
Udhëheqësit e rebelëve libianë, të cilët po kërkojnë t’i japin fund konfliktit sa më shpejt për të shmangur rënien e vendit në kaos, kanë vendosur një shpërblim prej 2 milionë dinarësh apo 1,7 milionë dollarësh për kokën e kreut liban, Muamar Gedafi.Mustafa Abdel Jalil, kreu i Këshillit Kombëtar të Tranzicionit, njoftoi se kushdo që vret ose kap Muamar Gedafin, do falet për çdo krim të së kaluarës. Shuma e parave të shpërblimit, sipas Jalilit, u mblodh nga biznesmenë. Jalili tha gjithashtu se nëse Gedafi heq dorë nga pretendimet e tij për të qëndruar në pushtet, Këshilli do t’i siguronte atij një kalim të sigurt për të jetuar në azil në çdo vend që do të pranonte atë. Ai shtoi se Këshilli do të lejojë që koloneli libian të shkojë në një komb që nuk është anëtar i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, e cila ka lëshuar një urdhër për arrestimin e Gedafit me akuzën për krime kundër njerëzimit. Kjo do t’i lejonte atij evitimin e gjykimit në Hagë. “Ndonjëherë e keqja më e vogël pengon të keqen më të madhe”, tha Jalil në një konferencë për shtyp në selinë e rebelëve në Bengazi. Ai gjithashtu i bëri thirrje NATO-s për të vazhduar sulmet ajrore, duke thënë se civilët ishin ende në rrezik. Sipas tij ka një situatë urgjente humanitare në spitalet e Tripolit. Luftëtarët e opozitës kanë marrë kompleksin e Gedafit një ditë më parë dhe kanë rrëzuar simbolet e tij. Por as Gedafi dhe as bijtë e tij nuk u gjetën në bunker. Gedafi ka deklaruar se tërheqja e tij nga kompleksi në Tripoli ishte një lëvizje taktike. Ai foli sërish për “martirizim” ose fitore në luftën e tij kundër NATO-s. Deklaratat e kolonelit u transmetuan në TV Arabik “Al-Orouba”. Një zëdhënës i Gedafit tha se “Kreu i Libisë është në gjendje t’u rezistojë kryengritësve për muaj ose edhe vite”. Forcat kryengritëse thonë se kontrollojnë tani 90 për qind të Tripolit, por qyteti Sirte dhe disa qytete të tjera janë ende të kontrolluara nga forcat besnike të Gedafit. Jalilu u bëri thirrje banorëve të atyre zonave të bashkohen me revolucionarët, duke premtuar se ata nuk do të ndëshkohen se kanë mbështetur Gedafin. Sipas zëdhënësit të ushtrisë rebele, Ahmed Bani, ata kanë ofruar negociata me udhëheqësit e fiseve në Sirte, të cilët mbështesin Gedafin, por ata nuk kanë pranuar të negociojnë. Më parë, zëdhënësi i Kolonel Gedafit ka njoftuar se forcat besnike të regjimit kanë zënë rob katër persona të nivelit të lartë nga Katari dhe një shtetas të Emirateve të Bashkuara Arabe. Ai ka kërcënuar se Libia do të kthehet në një “vullkan llave dhe zjarri”. Sipas kryengritësve, luftimet në Libi kanë shkaktuar mbi dy mijë të vdekur dhe 400 të plagosur vetëm gjatë ditëve të fundit. Ata janë zotuar se nuk do të ndalen derisa të kapin Gedafin dhe fëmijët e tij.
Femijet e Gedafit, thirrje nga TV
Një nga djemtë e Muamar Gedafit, Saadi, ka shfrytëzuar ekranin e CNN për t’i bërë thirrje SHBA-së për negociata armëpushimi për të evituar gjakderdhjen. “Kam autoritet për të negociuar”, është shprehur ai. Saad Gedafi po përpiqet të hyjë në kontakt me autoritetet amerikane dhe rebelët. Ndërkohë, vajza e kolonelit, Aisha, ka kërkuar nga libianët në TV “Orouba” që të bashkohen me besnikët e atit të saj në luftën kundër NATO-s dhe ndërhyrësve të huaj në vend.
Gazetaret e huaj lihen te lire
35 gazetarët e huaj, të mbajtur peng për disa orë nga forcat e Gedafit në hotelin “Rixos”, janë lënë të lirë dhe kanë qarkulluar lirshëm në rrugët e Tripolit, pasi luftëtarët e kolonelit u tërhoqën nga hoteli. Ata janë evakuuar fillimisht nga Kryqi i Kuq. “Kriza ka mbaruar. Gazetarët janë jashtë”, ka shkruar reporteri i CNN në Tripoli, Mathju Çens, në rrjetin social “Twitter”.
Rebelet zhvendosin zyrat ne Tripoli
Këshilli Kombëtar i Tranzicionit, qeveria rebele libiane e njohur tashmë nga shumë vende si legjitime, ka njoftuar se brenda 48 orëve do të shpërngulë zyrat në Tripoli. Një zëdhënës i Këshillit e bëri deklaratën në TV “Al jazeera”, pas marrjes së bunkerit të Gedafit. Këshilli i Tranzicionit aktualisht e ka qendrën në Bengazi, qyteti i dytë më i madh i Libisë.
© Panorama.al











