TIRANË- Humbje të thellë në realitet dhe fitore imagjinare vetëm në mendjen e kreut të PS-së. Kështu i ka cilësuar Partia Demokratike deklaratat e kreut të PS-së, Edi Rama lëshuar sot gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare.
Gjatë një deklarate për mediat, zëdhënësja e PD-së, Albana Mustafaraj ka theksuar se me fjalën e tij, Rama u përpoq në mënyrë joserioze të mbulojë humbjen personale dhe partiake duke shpallur disfatat për fitore.
“Le ta pyesim zotin Rama, 140 mijë vota më pak të qytetarë shqiptarë për partinë dhe koalicionin e majtë, përbëjnë disfatë tuajën, apo fitore imagjinare. 47 mijë vota më pak se të gjitha bashkitë dhe komunat e vendit, janë humbje e thelle elektorale, apo fitore që ekziston në imagjinatë. 41 mijë vota më pak të kandidatëve për kryetarë bashkie e komuna, janë humbja juaj e radhës apo fitorja juaj imagjinare që në realitet nuk ekziston”- tha ajo.
Sipas saj, në të katër garat e Tiranës rama ka shënuar humbje personale. Ajo ka renditur 7 këshillat minibashkiakë të humbura, 7 kryetarë të minibashkive, parlamentin e humbur të kryeqyteti dhe 21 mijë vota të humbura në Tiranë krahasuar me vitin 2007, e 93 vota më pak nga kandidati demokrat Basha.
“Sa për deklaratën se fitorja madhështore ka tërbuar kundështarin, PD i uron edhe për shumë vite të tjera udhë të mbarë nga fitorja në fitore të tilla”- tha ajo.
© Panorama.al











