Reagimi i plotë i Partisë Demokratike

Aug 17, 2011 | 17:18

Reagimi i plotë i PD-së

Lidhur me letrën e hapur të z. E. Rama, për raportin e OSBE/ODHIR-it, për zgjedhjet e 8 majit, zëdhënsja e Partisë Demokratike, deklaron sa vijon:

Partia Demokratike vlerëson se, z. Rama nuk gabon kur deklaron se raporti i ODHIR-it,është më i qartë dhe më i drejtpërdrejtë se kurrë. Por, fakti që ai pretendon se raporti ka justifikuar akuzat e tij absurde dhe të pabaza, tregon se ai nuk e ka lexuar këtë raport, ose e ka lexuar atë me syzet e shokut Ruçi. Kjo sepse, raporti i OSBE/ODHIR-it, për herë të parë në historinë e zgjedhjeve pluraliste në Shqipëri, shpall zgjedhjet e 8 majit si zgjedhje kompetitive, transparente, aspektet pozitive të të cilave janë bazë për progres të mëtejshëm.

Ky është vlerësimi më maksimal, më i qartë që zgjedhjet në Shqipëri kanë marrë për vite me rradhë. OSBE/ODHIR nuk do të bënin kurrë këtë vlerësim, nëqoftëse nuk do të ishin plotësuar standartet e garës së lirë dhe standartet e transparencës, kushte themelore këto, për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Editoriali në media i z. Rama, është një shembull tjetër i lidhjeve të tij me të shkuarën, me të cilën qytetarët janë të lodhur.

Në këtë letër të hapur ai është në mbështetje të plotë të trazirave të dhunshme në Londër, Athinë dhe Paris, duke aluduar që kjo mund të ndodhë edhe në Shqipëri. Por, kur një drejtues që thurr 21 Janarin dhe fton për dhunë të re, tregon se është në dëshpërim të thellë dhe, se ftesa e tij për dialog, kontraston me provokimin që i bën ai vandalizmit dhe zjarrvënësve, që janë shfaqur rrugëve të Londrës dhe qyteteve të tjera.

Partia Demokratike  fton Partinë Socialiste dhe gjithë forcat politike të vendit, të shohin drejt të ardhmes dhe ashtu siç realizuam reformën zgjedhore të vitit 2005, ta kompletojmë atë me rekomandimet e OSBE/ODHIR-it të vitit 2009 dhe 2011, të besojnë se qytetarët shqiptarë kanë nevojë më shumë se çdo gjë tjetër për debate e diskutime që lidhen me të ardhmen e tyre.

© Panorama.al

Te lidhura