Strukturat paralele në Kosovë, të ashtuquajtura “Kuvend i bashkësive të komunave në Kosovë”, me seli në pjesën veriore të vendit, janë kaq të zemëruara pas njoftimeve se mes Kosovës dhe Serbisë u arritën marrëveshje, sa vendosën të paraqesin fletëparaqitje penale kundër shefit të delegacionit të Serbisë në bisedimet me Kosovën, Branisllav Stefanoviç. Në njoftimin e tyre thuhet se marrëveshja për njohjen e letërnjoftimeve, patentës së shoferëve, lejeve të qarkullimit dhe të targave nga Kosova, paraqet formën më të keqe të tradhtisë “nën regjinë e regjimit tradhtar të Boris Tadiçit”. Ndërkohë, ish-ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiç, i konsideroi marrëveshjet mes Prishtinës dhe Beogradit të arritura në Bruksel, si njohje e pavarësisë së Kosovës. “Marrëveshja me përfaqësuesit e shtetit ilegal të Kosovës paraqet shkelje flagrante të Kushtetutës së Serbisë, rezolutës 1244, dhe si e tillë paraqet shkelje flagrante të dokumenteve juridike, në të cilat ka bazën sovraniteti i Serbisë”, tha Samarxhiç. “Tashmë, shtetit dhe popullit serb i ka mbetur që të jetojë me faktin se një pjesë e territorit i është ndarë, ndërkaq qeveria e ka pranuar këtë”, shtoi ai. Edhe ish-kryeministri i Serbisë, tashmë lideri i Partisë Demokratike serbe, Vojisllav Koshtunica, tha se me marrëveshjet e arritura ndërmjet Beogradit e Prishtinës qeveria e Serbisë nuk e ka respektuar besimin e të gjitha shteteve që e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës dhe “u ka dhënë goditje historike të rëndë dhe serioze interesave të Serbisë”. “Serbia gjatë historisë ka pasur ngritje dhe rënie, fitore dhe humbje, por kjo është hera e parë që regjimi e shpall fitore kapitullimin dhe me këtë direkt e mashtron popullin e vet”, thuhet në njoftimin me shkrim të Vojisllav Koshtunicës. Politikania serbe e Kosovës, Rada Trajkoviq, ka vlerësuar se me marrëveshjen ndërmjet Kosovës e Serbisë, Beogradi nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, por e ka penguar afrimin e Kosovës me Shqipërinë. Ndërsa sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç, tha se marrëveshja në mes Prishtinës dhe Beogradit, nuk është marrëveshje mes Serbisë dhe një shteti tjetër.











