Rasti i birrës “Norga” dhe biznesi i rrezikuar

Jun 10, 2011 | 9:56

FATMIR TOÇI

Kam ndjekur gjithë këto ditë me vëmendje e shqetësim atë që po ndodh me kompaninë “A & B Grup”, apo me birrën “Norga”, siç njihet në Vlorë dhe në të gjithë Shqipërinë, mosmarrëveshjet midis kësaj kompanie me një bankë të njohur si financuese e një kredie 18 milionëshe, degjenerimin e mosmarrëveshjeve në konflikt të hapur, e cila ka gjeneruar edhe një tjetër konflikt publik midis punëtorëve të kësaj fabrike të mbetur pa punë e të hedhur pa mëshirë në rrugë dhe forcave të ruajtjes së objektit dhe atyre të rendit. Nga të gjitha njoftimet mediatike në lidhje me ngjarjen, pretendimet e palëve, prononcimet dhe qëndrimet e përfaqësuesve të njohur nga fusha e biznesit, politikës, por edhe njerëz të ndryshëm, duket qartë se mosmarrëveshja ekziston, po aq sa duket qartë se shumë pak përpjekje janë bërë për zgjidhjen në interes të biznesit të të dyja palëve të këtij problemi, pa përmendur këtu edhe fatin e 200–300 punonjësve vlonjatë që mbajnë frymën dhe familjet e tyre me të ardhurat nga puna në fabrikat e kësaj kompanie. Është për këtë arsye që konflikti ka marrë një shtrirje më të gjerë sociale dhe është agravuar deri në përplasje me policinë dhe ca më pak për t’u solidarizuar me pronarin e tyre.
Kompania që prodhon birrën “Norga” dhe një llojshmëri të preferuar në treg të pijeve me lëngje frutash është mjaft e njohur jo vetëm në Vlorë e në Jug të vendit, por në të gjithë Shqipërinë. Historia 20–vjeçare e themelimit dhe rritjes së këtij biznesi pionier nga çifti Haxhiraj është një kalvar i vërtetë, duke kapërcyer vështirësi e pengesa që lidhen jo vetëm me kushtet në të cilat lindi dhe u zhvillua biznesi i brishtë shqiptar, por edhe me kuadrin historik të viteve të tranzicionit, që kulmojnë me vitet e pasigurisë deri të jetës në Vlorën e viteve ’96–’97. Unë e njoh prej vitesh themeluesin e kësaj kompanie dhe, përpos faktit se qindra familje vlonjate e kanë lidhur fatin e jetës së tyre me punën në këtë ndërmarrje, presidenti i saj, Agron Haxhiraj, është një prej personave më të njohur në zonë për mbështetjen që u ka bërë në vazhdimësi njerëzve në nevojë, veprimtarive të ndryshme kulturore e sportive në nivel lokal e kombëtar, për vëmendjen dhe mbështetjen ndaj vendit të tij të lindjes në Lumin e Vlorës dhe për marrëdhënie qytetare me të gjithë. Ndoshta janë edhe këto disa prej arsyeve që më kanë bërë ta ndjek me shqetësim problemin që ka pllakosur sot në kompaninë e tij me dëshirën e mirë dhe shpresën për një zgjidhje në interes të të gjitha palëve.
Nisur nga vlerësimi i situatës me syrin e parë, duket se banka financuese ka pasur të drejtë: penalizim i kompanisë me sekuestrim të objektit për shkak të mosrealizimit të detyrimeve në pagimin e kësteve të kredisë, siç është përcaktuar edhe në kontratë. Po a është kjo rruga më e mirë për zgjidhjen e një konflikti nga një bankë dhe a mund të kishte zgjidhje të tjera më të mira për të dyja palët?! Unë mendoj se po, nëse pas këtij qëndrimi ekstrem nuk ka ndonjë qëllim tjetër që lidhet me konkurrencën në treg, të paktën siç pretendohet nga kompania prodhuese kredimarrëse. Kompania ka paguar pothuaj gjysmën e detyrimit, bashkë me kolateralin, dhe, pavarësisht nga moskorrektesa disamujore në pagesën e kësteve për shkak të krizës ekonomike që ka mbërthyer vendin, ishte në momentin e fillimit të sezonit veror, kur prodhimet e saj shiten në 3–4 muaj disa herë më shumë nga ç’shiten gjatë gjithë vitit. Dhe për këtë arsye, pritshmëria e të ardhurave të kompanisë do të normalizonte me siguri marrëdhënien me bankën financuese. Nga ana tjetër, është e natyrshme të besojmë se banka, në punën e saj normale, duhet të jetë më shumë e interesuar që të arkëtojë normalisht kolateralin e kontraktuar, sesa të magazinojë makineri e pajisje, ndërtime e banesa të ndryshme, objekte të patundshme apo me vlerë tjetër. Ç’do të ndodhte nëse të gjithë klientëve të saj që kanë marrë kredi, apo një pjese të tyre, do t’u ndodhte e njëjta situatë ekonomike dhe, pavarësisht nga parashikimi, do të ndodheshin në pamundësi likuiditeti? Do të kishim sekuestrim për objektet e të gjithë klientëve? Me siguri që bankat do ta humbnin qëllimin e tyre për të cilën janë krijuar dhe ato vetë do të viheshin në vështirësi për shitjen e objekteve të sekuestruara. Madje, në krizën e gjithanshme që ka pllakosur vendin, kjo gjë do të ishte e pamundur dhe vetë bankat do të shkonin drejt falimentit. Sa për ta ilustruar do të sillnim shembullin e Greqisë fqinje, kriza ekonomiko – financiare që i ka mbërthyer të gjithë sektorët e saj prodhues, tregtarë e të shërbimeve është tashmë e njohur, aq sa për shlyerjen e borxheve të saj publike dhe kalimin e krizës është vënë në lëvizje i gjithë komuniteti ndërkombëtar, i cili po kërkon rrugët më efikase për nxjerrjen e këtij vendi anëtar të BE-së nga humnera ku ka rënë. Nga informacionet që kemi nga biznesi vendas, bankat greke nuk po qëndrojnë pasive ndaj gjendjes ekonomike që ka mbërthyer vendin dhe nuk po shihet ndonjë nxitim i madh i tyre për të sekuestruar pronat e objektet e mijëra e mijëra bizneseve që nuk kanë aftësi likuiduese për kreditë e marra. Madje janë të njohura me qindra raste kur bankat afrohen bashkëpunuese me biznesin për ta kaluar krizën së bashku, deri aty sa pranojnë shlyerjen e kredive pa kolateral, për t’i dhënë një mundësi dhe një frymëmarrje tjetër biznesit për ta kapërcyer krizën. Ka shumë prej tyre që edhe i kanë “ngrirë” për një afat të caktuar detyrimet e biznesit për t’i rifilluar në një moment më të mirë kredimarrësit.
Nga ana tjetër, ky veprim ekstrem i bankës do të ndikonte negativisht në kredibilitetin e tyre dhe do të ulte ndjeshëm besueshmërinë e biznesit apo kredimarrësve të tjerë për të operuar me kredi në rastet e nevojave financiare për zhvillimin e biznesit. Hezitimi në marrjen e kredive, përpos rënien e ritmeve të zhvillimit të prodhimit dhe ekonomisë së vendit në tërësi, do të sillte edhe rënien e veprimtarisë së bankave, domethënë uljen e fitimeve të tyre. Ç’do të ndodhte nëse për shkak të krizës, por edhe për shkak të kësaj mënyre sjelljeje me biznesin, askush nuk do t’i drejtohet bankës për kredi, kur dihet se nëpërmjet kredive të dhëna bankat sigurojnë të ardhurat kryesore për veprimtarinë e tyre? Që të jem i qartë në sa po shkruaj në lidhje me këtë konflikt, që mund të jetë një prej përplasjeve që tashmë kanë nisur midis bankave dhe biznesit shqiptar, unë nuk kam asgjë me bankën në fjalë, e cila, sipas kontratës të lidhur midis palëve, mund të jetë në të drejtën e saj ligjore për zbatimin e saj. Por, mendoj, me sa shoh e jam i informuar në lidhje me çështjen në fjalë, se nuk janë konsumuar të gjitha rrugët për kalimin e ngërçit. Me pak dashamirësi e “bonsens”, banka mund ta ndihmojë biznesin në fjalë dhe në këtë mënyrë do të ndihmonte edhe veten dhe nuk do të shkaktonte një tragjedi të vërtetë sociale në dhjetëra e qindra familje të punësuara.
Ka edhe një aspekt tjetër shqetësues në këtë historinë e birrës “Norga”, që vjen nga heshtja dhe indiferenca e shtetit dhe e institucioneve të tij financiare dhe ekonomike, pa u shqetësuar fare, të paktën për mungesën në arkën e shtetit të të ardhurave që ky shtet ka marrë rregullisht nga tatimet që i ka vjelë kësaj ndërmarrjeje për dy dekada. Nuk është rasti të flasim sot për politikat e munguara të qeverisë në mbështetje të biznesit, të lënies së tij pa mbrojtje dhe për pasigurinë në të cilën ndodhet, për gjobat që i vë politika dhe klanet pranë qeverisë, për klientelizmin që e shkatërron konkurrencën e ndershme dhe i çon ndërmarrjet e ndryshme drejt falimentit pa u mëkëmbur akoma. Jo, sot dua të sjell në vëmendje raste të pafund, madje në vendet më të zhvilluara të botës, të ndërhyrjes së shtetit dhe mekanizmave të tij për mbrojtjen e veprimtarisë së biznesit në përgjithësi, por edhe të kompanive të veçanta për daljen nga kriza, në interes të saj dhe të shoqërisë në tërësi. Dhe këto mekanizma shtetërore janë banka qendrore, dikasteret përkatëse që merren me financat dhe ekonominë, organet tatimore, të doganave etj. Kujtojmë se më pak se para dy vjetësh në SHBA, në kuadrin e krizës financiare që mbërtheu botën mbarë, shteti ndërhyri me suport të drejtpërdrejtë për disa banka private, falimentimi i të cilave mund të sillte pasoja zinxhir në ekonominë e vendit dhe gjendjen sociale të një kategorie shtetasish amerikanë. Dhe bëhet fjalë për një shtet si Amerika, e cila është e prirur ndaj rreziqeve, që ka në themel të zhvillimit të shoqërisë konkurrencën dhe që e pranon si një fenomen të natyrshëm falimentin. Indiferenca e shtetit dhe përfaqësuesve të tij në rastin e konfliktit të një banke të rëndësishme me kompaninë që prodhon birrën “Norga” i përforcon zërat që qarkullojnë në Vlorë dhe rrethet e biznesit në mbarë vendin se goditja që i bëhet kësaj kompanie ka si prapavijë interesa që lidhen me zënien e tregjeve dhe konkurrencën e pandershme të njerëzve të veshur me pushtet apo klaneve pranë kësaj qeverie.
Në mbyllje të këtyre radhëve unë shpresoj dhe do të uroja në gjetjen e një zgjidhjeje sa më optimale në interes të palëve në konflikt, në gjetjen e rrugëve që e forcojnë bashkëpunimin, që do t’i japin mundësi zhvillimit të prodhimit për të mundësuar shlyerjen e detyrimeve ndaj bankës, për të mos shtuar akoma më shumë ushtrinë e të papunëve në këtë vend, si dhe për të mos krijuar një klimë pasigurie e frike të biznesit.
Dhe rrugët janë të shumta. Mjafton t’i jepet edhe një shans kompanisë “A & B Grup”, apo birrës “Norga”, siç e njohin të gjithë për emrin e mirë që ka krijuar.
* Deputet i PS

© Panorama.al

Te lidhura