Rasti i “Birrës Norga” dhe bizneset në mëshirë të fatit

Jun 3, 2011 | 10:07

NIKOLLAQ NERANXI

Jemi mësuar që titujt sensacionalë të gazetave apo lajmeve televizive t’i gjejmë kryesisht nga politika apo kronika dhe rrallë, shumë rrallë, qëllon që të tilla të jenë lajmet ekonomike. Madje, edhe pozicionimi i këtyre lajmeve diku nga mesi, lë të kuptosh që ato të parat janë shumë më të rëndësishme se një lajm ekonomie.  Kam menduar se e gjitha kjo ka ndodhur sepse lajmet e ekonomisë në përgjithësi janë servirur thjesht përmes disa komunikatave zyrtare të institucioneve shtetërore dhe si të tilla, kalojnë si diçka rutinë. Pak, shumë pak, përbëjnë lajm sipërmarrjet private dhe problematikat e tyre, ndërkohë që një risi, një skandal, një ndryshim drejtuesish apo aksionerësh në një kompani private serioze kudo në Perëndim, merr vëmendjen mediatike dhe publike të merituar atje. Në një vend si Shqipëria, ku punësimi realizohet kryesisht nga sektori privat, ku dhe interesat jetike të qytetarëve tanë janë të lidhura me sipërmarrjet private, duhet një vëmendje po kaq e madhe për gjithçka ndodh aty. Rasti i shoqërisë “A&B Group”, e birrës “Norga”, e cila nuk ka arritur të negociojë me bankën që e ka kredituar, ishte lajm i parë në disa media dhe ky është një sinjal i mirë për biznesin, për sensibilitetin që arrin të krijojë kjo lloj problematike, por ndërkohë nuk e di se sa përshtypje ka bërë në publik. Mua personalisht, si njeri i biznesit, më ka shokuar, sepse më duket absurditet edhe ta mendoj, se si mund të marrë fund një biznes, se pse nuk arrin të merret vesh me bankën e saj, se si mund t’i sekuestrohen asetet, duke hedhur në rrugë rreth 400 punonjës të kësaj kompanie, duke shkatërruar kështu ëndrrat dhe punën shumëvjeçare të drejtuesve e pronarëve të saj. Nuk kam akoma të gjithë informacionin e nevojshëm se si ka lindur konflikti mes firmës dhe bankës, sepse kam lexuar shpjegimet e të dyjave, të cilat fajësojnë njëra-tjetrën dhe, në fakt, as nuk dua të marr rolin e gjykatësit për të gjetur kush është fajtori dhe kush është viktima. Mua më shqetëson fakti që një biznes privat është sot në një moment kritik. Nëse flasim për sipërmarrje private shqiptare, këtu nuk kemi thjesht të bëjmë me një individ apo grup individësh të guximshëm, të cilët kanë ditur të investojnë ca para. Në Shqipëri është shumë më tepër se kaq. Më kujtohet se si ky çift nga Vlora ka punuar dhe sakrifikuar shumë për të ngritur aktivitetin e tyre, një linjë prodhimi birre me emrin “Norga”. Në vitin e trishtë ’97, ata janë përballur me sulme bandash kriminale dhe pengmarrje makabre dhe përsëri janë ringritur, duke mos u dorëzuar. Kjo është specifika e atyre bizneseve që kanë gati dy dekada në treg, ata i kanë provuar të gjitha dhe disa prej tyre, ndër të cilët, edhe çifti që krijoi aktivitetin e Birrës Norga, arriti të mbijetojë, ndërkohë që shumë biznese u shkatërruan dhe disa biznesmenë edhe u vranë. Sot, në vitin 2011, historitë me maska të vitit ‘97, pengë-marrjet dhe shkatërrimet nga themeli i shumë bizneseve të ngritura me gjak, mbase kanë kaluar në harresë të shumë njerëzve, por kurrsesi, të atyre që e kanë pësuar në kurrizin e tyre. Ai çift që sot sheh se si banka po i merr gjithçka, dje, luftonte me bandat kriminale kur shteti kishte rënë, ndërsa sot, e shohin veten të pafuqishëm dhe mbi të gjitha, të pa mbrojtur nga askush. Ka një paradoks shumë të madh dhe rrëqethës në këtë rast, sepse ata njerëz që kanë punuar nga mëngjesi deri në darkë, paguanin gjobat që iu vinin bandat e ‘97-ës dhe ia dolën të mbijetojnë, ndërsa sot, ata paguajnë rregullisht taksa në shtet dhe po shkatërrohen! A ishte e mundur që e gjitha kjo të evitohej, duke marrë edhe rastin që kjo kompani nuk arriti t’i shlyente borxhin bankës dhe i tejkaloi të gjitha afatet e vendosura prej saj? Pa diskutim që po. Shteti në këtë rast mund të ishte garancia e bankës, por edhe e “A&B Group”, duke u bërë ndërmjetës që kjo situatë të tejkalohej. Në një vend ku pretendohet se kemi 20 vjet që kemi ndërtuar shtetin demokratik dhe ekonominë e tregut, ku ne paguajmë taksat një më një dhe çdo detyrim tjetër ndaj këtij shteti, kërkohet ndërhyrja e tij në këto momente të vështira. Me të vërtetë një sipërmarrës është një njeri me disa dhunti të veçanta, që guxon më shumë se të tjerët, sepse përtej vështirësive ai sheh mundësinë, dhe jo rrezikun, por ama, ai nuk është një super njeri. Sado që ai të punojë, sado vizionar të jetë, sado gjenialitet të tregojë në punën e tij, është shteti me institucionet e tij ai që duhet të rregullojë gjithçka, duke bërë të mundur që iniciativat private të mbijetojnë, e, pse jo, edhe të lulëzojnë. Nëse sot kemi një realitet kaq problematik për sa i përket ekonomisë në përgjithësi dhe iniciativës private në veçanti, nëse të gjithë jemi koshientë se ekonomia është akoma in formale, minimumi i mundshëm që shteti mund të bënte, është që të ruajë këto ndërmarrje të krijuara me kaq sakrifica nga falimentimi i tyre, dhe jo të bëjë sehir a thua se nuk është puna e tij, sepse në një situatë të tillë, shumë kompani të tjera mund të kenë shumë shpejt fatin e “A&B Group”. Një sipërmarrje private, një markë shqiptare, duhet të konsiderohet një pasuri kombëtare dhe, mbi të gjitha, nuk duhen parë ca si të nënës e ca të tjerë si të njerkës, sepse zhvillimi i një vendi vjen nga iniciativa private e gjithkujt. Shpresoj shumë që qeveritarët shqiptarë të mos i shohim vetëm duke prerë disa shirita inaugurimesh në disa ndërmarrje private, si për të treguar se këto ndërmarrje u krijuan dhe do të ekzistojnë falë tyre, sepse, në fakt, është krejt e kundërta, ky shtet ekziston falë iniciativës së lirë. Dëshiroj të citoj një thënie të Onassis, një sipërmarrës ëndërrimtar, i cili u bë miliarder nga hiçi falë punës dhe talentit të tij. Ai thoshte: “Një qeveri duhet të luftojë kundër varfërisë, ndërsa iniciativa private është ajo që sjell lumturinë”. Por, ka edhe një konstatim tjetër të Friedman, i cili nga eksperienca ka nxjerrë këtë konkluzion: “Shumë prej nesh duan dhe pretendojnë me të drejtë që shteti të mbrojë sipërmarrësit e vendit të tij, por një problem akoma më urgjent është që sipërmarrësit të mbrohen nga problemet që i sjell shteti”. Por, a do të kishte fatalitet më të madh që energjitë e një sipërmarrësi, në vend që të shpenzoheshin për të krijuar atë lumturi për të cilën flet Onassis, të harxhoheshin për t’u mbrojtur ndaj atij që pretendohet se duhet të të mbrojë?

© Panorama.al

Te lidhura