Rasmusen: Veriu shqetësues, por s’ka ndarje të Kosovës

Jul 4, 2012 | 15:22
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rasmusen

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen, e konsideroi shqetësuese gjendjen në Veriun e Kosovës, duke u bërë thirrje të gjitha palëve që të gjejnë zgjidhje paqësore për konfliktin.
Ai theksoi se zgjidhja duhet të jetë politike, por e ka përjashtuar mundësinë e ndarjes së Kosovës. Në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve, “Beta”, Rasmusen tha se është me rëndësi që në këtë çështje të shkohet hap pas hapi. Sipas tij, hapi i parë është krijimi i përparimit në dialogun Beograd-Prishtinë, nën ombrellën e BE-së. Ai tha se edhe në të ardhmen NATO do të ketë një prani prej 5 deri në 6 mijë ushtarë në Kosovë. “Unë kam thënë se për ndarje të Kosovës as që mund të flitet dhe është me rëndësi që kjo të bëhet shumë e qartë për të gjithë në Ballkanin Perëndimor. Por, në këtë kuadër, është me rëndësi që qeveria në Prishtinë ta kuptojë rëndësinë e përfshirjes së të gjitha komuniteteve në politikë dhe jetën publike në Kosovë”, tha ai. Deklarata erdhi pas vendimit historik të Grupit Drejtues Ndërkombëtar, për t’i dhënë fund mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Kundër këtij vendimi serbët në Veri kanë mbajtur protesta mëngjesin e së martës, duke bllokuar katër zonat e përgjegjësisë së rajonit të Mitrovicës. Sipas Policisë së Kosovës, protestuesit ishin rreth 100 veta. Ndërsa autoritetet serbe e kanë parë vendimin e GDN-së si një vazhdim të njëanshëm të pavarësisë së Kosovës. Televizioni i Serbisë ka raportuar se grupi drejtues “ka marrë vendim që t’i jepet fund mbikëqyrjes së pavarësisë. Por më i rëndësishmëm për Serbinë është qëndrimi i KFOR-it dhe EULEX-it në Kosovë”. Ministri për Kosovën, Goran Bogdanoviç, tha se ky është edhe një tentim i legalizimit të një krijese jodemokratike në Ballkan. Ndërsa Oliver Ivanoviç, sekretar në Ministrinë për Kosovën, tha se Zyra Ndërkombëtare e udhëhequr nga Piter Feith nuk ka plotësuar misionin e saj, por largohet nga frika, pasi roli i tij nuk ka qenë i vlefshëm.

Stefanoviç
Marrëveshjet e bisedimeve Prishtinë-Beograd mund të anulohen. Shefi i ekipit negociator të Serbisë, Borislav Stefanoviç, paralajmëroi se qeveria e re e Serbisë do të hetojë nëse ato janë kundër interesave serbë. Ai shtoi se të gjitha marrëveshjet në detaje u janë dorëzuar serbëve në Kosovë. “Katër herë i kemi ftuar serbët nga Veriu i Kosovës që të jenë pjesë e ekipit negociator, por ata kanë refuzuar”, u shpreh ai. Stefanoviç tha se të gjitha marrëveshjet me Prishtinën janë kushtetuese, por nëse presidenti Nikoliç vlerëson të kundërtën, “atëherë le t`i anulojë qeveria e re”.

© Panorama.al

Te lidhura