Rasmusen: S’ka zgjidhje ushtarake për veriun

Jul 11, 2012 | 18:22

Nuk ka zgjidhje ushtarake për veriun e Kosovës, ka thënë sot në Prishtinë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen.

Këto komente, Rasmusen i bëri në përmbyllje të vizitës së delegacionit të Këshillit të NATO-s në Kosovë, ku ky delegacion takoi komandantin e KFOR-it, Erhard Drevs, përfaqësuesit ndërkombëtarë si dhe kryeministrin Hashim Thaçi dhe zëvendësin e tij, Sllobodan Petroviç.

Rasmusen i bëri thirrje lidershipit në Prishtinë dhe Beograd që të bisedojnë duke ua bërë të qartë se për veriun, nuk do të ketë zgjidhje ushtarake, të dhunshme.

“Nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë problem. Ne duhet të kemi një proces politik, i cili do të sjellë integrimin e plotë të pjesës veriore në Kosovë dhe shoqërinë kosovare”,- theksoi Rasmusen.

Sipas Rasmusen, kjo kërkon angazhim nga autoritetet në Beograd por edhe guxim politik dhe përkushtim nga autoritetet politike në Prishtinë. Rasmusen pohoi edhe njëherë se mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

© Panorama.al

Te lidhura