Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen, ka kërkuar dje nga liderët në Kosovë dhe Serbi që të ndikojnë në ruajtjen e qetësisë gjatë zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës. “Të dielën do të ketë votime në Kosovë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale serbe. Unë u bëj thirrje të gjithë liderëve dhe të gjitha komuniteteve që të tregojnë përmbajtje gjatë procesit të votimit”, tha Rasmusen. “Është mision i KFOR-it që të ruajë një ambient të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë, në mënyrë të paanshme, siç ka bërë tash e më shumë se njëmbëdhjetë vjet. Unë kam besim të plotë në profesionalizmin e komandantit të KFOR-it që të përdorë të gjitha mjetet brenda mandatit të cilat janë në dispozicion, përfshirë edhe batalionin e dytë të forcave rezervë për operacionet, i cili tashmë është vendosur në Kosovë”, thuhet mes të tjerash në deklaratën e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s.











