
Raportuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, senatori çek Tomas Jirsa dhe deputeti moldav Grigore Petrenca, mbërritën dje në Tiranë dhe nisën takime për situatën politike. Ata u takuan me krerët e politikës ndërsa pritet të takohen edhe me krerët e institucioneve të pavarura. Dy raportuesit u takuan dje paradite me kreun e opozitës, Edi Rama, me kryeministrin Berisha dhe me liderin e LSI-së, Ilir Meta. Në një dalje të shkurtër për mediat ata thanë se përmes takimeve me liderët politikë dhe drejtues të institucioneve të tjera po mbledhin fakte për situatën politike, për të hartuar më pas një raport. “Diskutuam për situatën politike. Jemi këtu si vëzhgues, dhe jo për të bërë ndonjë koment, për të gjykuar apo për të dhënë këshilla”, tha Jirsa. “Ne jemi këtu jo për të gjykuar kush është drejt dhe kush është gabim. Jemi këtu për të dëgjuar dhe për të përgatitur raportin faktmbledhës që do të paraqitet në Komitetin e Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës”, tha Petrenca. Pasditen e djeshme ata u takuan me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese dhe trupën e Kolegjit Zgjedhor dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në axhendën e dy raportuesve janë edhe takimet me ambasadorin e OSBE-së dhe të Bashkimit Europian. Vizita e tyre në Shqipëri mbyllet këtë të premte, ndërsa raporti do të paraqitet në mbledhjen e radhës së Komitetit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Ashton: Mbyllni sa më shpejt procesin zgjedhor
Gjatë punimeve të Ministeralit të Komunitetit të Demokracive, ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto pati një takim dypalësh me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Europan dhe zv.presidente e Komisionit Europian, Baroneshën Katerine Ashton. “Takimi u përqendrua te zhvillimet më të fundit në Shqipëri dhe perspektivën e Shqipërisë drejt integrimit europian. Baronesha Ashton theksoi se sa më shpejt që të përfundojnë diskutimet mbi zgjedhjet vendore, aq më mirë do të jetë, me qëllim që forcat të përqendrohen mbi realizimin e 12 prioriteteve dhe më tej mbi procesin e integrimit uvropian. Sipas saj, duhet të përfundojë procesi zgjedhor dhe të përqendroheni në çështjet e axhendës europiane”, thuhet në njoftimin për shtyp. Sipas Ashton, të gjitha vendet kanë problemet e tyre, përfshi edhe Shqipërinë, por e rëndësishme është se si kërkohet dhe gjendet zgjidhja e tyre. “Rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, si dhe angazhimi dhe konsulenca e ODIHR-it dhe i Komisionit të Venecias, janë më se të mirëpritura”, tha Haxhinasto.











