Raportojnë të sëmurët, në treg 18 ilaçe të paefektshme

May 8, 2012 | 13:28
Vasili gjatë Konferencës së Farmakovigjilencës

Nuk kanë dhënë efektin e duhur te pacientët, ndaj mund të dalin jashtë përdorimit. Tetëmbëdhjetë medikamente, që qarkullojnë në tregun farmaceutik, po i nënshtrohen testimit pranë laboratorëve të Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave. Përgjithësisht janë antibiotikë dhe ilaçe kundër gripit. Raportimet për 8 prej tyre janë dorëzuar nga farmacitë dhe spitalet e vendit, ndërsa për 10 ilaçe të tjera kanë raportuar strukturat ndërkombëtare. Dy vjet më parë, 4 barna të tjerë janë çregjistruar. Të dhënat u bënë publike dje në Konferencën e Farmakovigjilencës. Sipas kreut të QKKB, Besnik Jakaj, kanë qenë vetë qytetarët që denoncuan mungesën e efekteve. Grostistët nga ana e tyre kanë sjellë për testim mbi 100 medikamente të dyshimta. “Ka pasur 175 raportime ndërkombëtare, nga të cilat 10 barna kanë qenë të regjistruara në Republikën e Shqipërisë. Janë antibiotikë, antiipertensiv, antiviral. Para dy vjetëve, janë nxjerrë 4 barna për mungesë të efektit dhe për shfaqje të efekteve anësore”, tha Jakaj. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i pranishëm në konferencë, e cilësoi sistemin e farmakovigjilencës një reformë të thellë të ndërmarrë në Shëndetësi, standard ndërkombëtar monitorimi. Ai kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për të denoncuar çdo ilaç të paefektshëm, apo të dëmshëm. “Raportimet janë një sinjal pozitiv për funksionimin e sistemit të farmakovigjilencës në vendin tonë, por mbetet domosdoshmëri dhe sfidë sensibilizimi, kryesisht për profesionistët e shëndetit, të cilët janë raportuesit më të preferuar në sistemin e farmakovigjilencës”, tha Vasili. Farmakovigjilenca ishte pjesë e marrrveshjes së prillit të viti 2009 mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Agjensisë Iltaliane të Barnave. Veprimtaria është financuar nga projekti INTERREG-3. Kjo strukturë mbledh, monitoron, kërkon dhe vlerëson informacionin që vjen nga personeli shëndetësor dhe nga pacientët mbi efektet e padëshirueshme të ilaçeve.

© Panorama.al

Te lidhura