Raporti, Tatimet arrijnë 694 milionë USD, dështon TVSH-ja

Jun 29, 2011 | 11:00

Statistikat e fundit të Tatimeve përplasen fort me realitetin ekonomik të vendit.Ndryshe nga klima që politika, pas 21 janarit, i ka krijuar sipërmarrjes, ndryshe nga frenimet e formalizimit që sjell legalizimi i mospagimit të detyrimeve (amnistia), të dhënat e tatimeve tregojnë që të paktën taksat po i mblidhen biznesit. Gazeta ka arritur të sigurojë raportin e fundit për 5-mujorin e këtij viti, ku shifra e parave të mbledhura arrin në rreth 694 milionë USD. Raporti tregon se janë mbledhur 69.4 miliardë lekë nga 54.5 miliardë gjatë vitit të kaluar. Pra, në pesë muaj, Tatimet kanë mbledhur rreth 50 milionë USD më shumë ose rreth 10 milionë në çdo muaj. Në krahasim me planin e vendosur nga qeveria, i cili u quajt optimist dhe pritet të ndryshohet ndjeshëm pas korrikut, tatimet kanë një mosrealizim prej 1.1 për qind. Ministria e Financave kishte parashikuar të mblidhte 70.25 miliardë lekë për 5-mujorin. Ky parashikim i Financave pritet të rishikohet me rreth 200 milionë USD (në total, të gjithë të ardhurat) pas pak ditësh. Raporti dhe shifrat tregojnë qartë se tatimet i janë përgjigjur rritjes së aktivitetit të biznesit, duke sfiduar edhe situatat jashtëligjore që nxisin qartë mospagimin, si ajo e 21 janarit, apo faljes së abuzimit siç është amnistia. E vetmja shifër që habit në raportin fiskal, është ajo e TVSH. Ndryshe nga të gjithë bizneset dhe nga të gjitha taksat, TVSH, ajo që mblidhet nga VIP, ka mosrealizim.
Suksesi dhe dështimet
Puna e tatimeve, të paktën sipas raportit statistikor, këto pesë muaj ndahet në dy pjesë. Të ardhurat tatimore janë 48.1 miliardë lekë, nga 44.3 të një viti më parë. Tejkalimi prej 3.7 miliardë lekë ose rreth 37 milionë USD është pjesë e suksesit. Por jo të gjithë sektorët kanë dhënë pjesën e tyre në këtë sukses. Po të krahasosh shifrat, shikohet qartë se tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale dhe taksa nacionale kanë tejkaluar jo vetëm 5-mujorin e kaluar, por edhe planin optimist të vendosur nga Ministria e Financave. Në total, vetëm këto zëra kanë mbledhur 3.24 miliardë lekë më shumë se plani. Ndërkohë që TVSH, akciza, lojërat e fatit dhe sigurimet kanë bërë që i gjithë tejkalimi i të ardhurave të zerohet dhe të shkojë minus. Në total, këto zëra kanë krijuar një deficit në krahasim me planin prej 3.96 miliardë lekë ose rreth 40 milionë USD. Vetëm mbledhja e TVSH, detyra kryesore e Drejtorisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj ose ndryshe e VIP-ave, ka një mosrealizim të planit prej rreth 16 milionë USD. Duhet theksuar se TVSH është i vetmi zë në të gjitha të ardhurat tatimore, i cili ka një diferencë negative edhe me vitin e kaluar. Mosrealizimi i Drejtorisë VIP është rreth 8 milionë USD më pak se një vit më parë.
Kontrollet dhe gjobat
Vetëm gjatë muajit qershor, deri ditën e djeshme, tatimet kanë vendosur 150 penalitete me një vlere prej 17.7 milionë lekësh ose rreth 180 mijë USD. Sipas raportit, Task-Forcë e Drejtorisë së Hetimit ka futur në “punë”, pasi i ka gjetur në të zezë, 546 punëtorë. Pas kontrollove, 19 biznese janë dërguar për ndjekje penale në prokuroritë e rretheve, ndërkohë që Tatimet kanë bërë gati dosjet dhe denoncimet edhe për 7 subjekte të tjera. Tatimet kanë sekuestruar mallrat e 7 subjekteve, mes të cilave edhe 2 lotari sportive, të cilat kryenin aktivitet pa u regjistruar në QKR. Rreth 120 gjoba janë vënë për mospasje apo mosdhënie të faturës tatimore. Pra, mos përdorimin e kasave fiskale. Kjo duket si një ndër përparësitë e kontrollit të Tatimeve.

Rimbursimi i TVSH

Gjatë 5 muajve të parë të vitit, rimbursimi i TVSH, pra kthimi te biznesi, ka arritur në 2.67 miliardë lekë ose rreth 26 milionë USD. Krahasimisht, shifra është rreth 4.9 milionë USD më shumë se një vit më parë. Vjet, në 5 muaj tatimet rimbursuan 2.184 miliardë lekë për bizneset.

Të dhënat  për DPT për 5-mujorin

Plani për 2011                70.25 miliardë lekë

Të ardhurat 2011            69.46 miliardë lekë

Të ardhurat 2010             64.54 miliardë lekë

Diferenca 2011-2010            +4.91 miliardë lekë

Diferenca plan
– 789 milionë lekë

Të dhënat e detajuara

Të ardhurat
tatimore
48.104 miliardë lekë
Ndryshimi 2011-2010
+ 3.7 miliardë lekë
Tatimi mbi Fitimin
9.991 miliardë lekë
Ndryshimi 2011-2010
+ 2.561 miliardë lekë
Ndryshimi me planin 2011
+ 1.591 miliardë lekë
Të ardhurat
personale
11.244 miliardë lekë
Ndryshimi 2011-2010
+ 749 milionë lekë
Ndryshimi me planin 2011
+ 544 milionë lekë
Taksat Nacionale
3.740 miliardë lekë
Ndryshimi 2011-2010
+ 740 milion lekë
Ndryshimi me planin 2011
+ 1.110 miliardë lekë

TVSH
13.191 miliardë lekë
Ndryshimi 2011-2010
– 897 milionë lekë
Ndryshimi me planin 2011
-1.609 miliardë lekë
Akciza
6.033 miliardë lekë
Ndryshimi 2011-2010
+ 650 milionë lekë
Ndryshimi me planin 2011
– 667 milionë lekë
Lojërat e Fatit
2.123 miliardë lekë
Ndryshimi 2011-2010
+ 91 milionë lekë
Ndryshimi me planin 2011
– 397 milionë lekë
Sigurimet Shoqërore
21.357 miliardë lekë
Ndryshimi 2011-2010
+ 1.161 miliardë lekë
Ndryshimi me planin 2011
– 1.293 miliardë lekë

Kredia me Fondin e OPEC-ut

Nuk ka kaluar ende një javë kur qeveria nënshkroi një kredi 25 milionë dollarëshe me Fondin Saudit, ndërkohë që dje është bërë me dije miratimi i një tjetër kredie prej 20 milionë dollarësh nga Fondi i OPEC-ut. Ministria e Financave bëri me dije dje se ky fond ka dhënë “Ok” për financimin e projektit të rrugës Tiranë-Elbasan. Qeveria shqiptare paraprakisht kishte bërë një kërkesë pranë këtij fondi dhe me një letër ky i fundit këto ditë ka dhënë edhe miratimin. Në njoftimin e Financave bëhet me dije se fondi ka pranuar të jetë pjesëmarrës në bashkëfinancim në shumën 20.40 milionë USD. “Kredia ofrohet me një interes të leverdishëm prej 3.3 % në vit, me afat maturimi prej 20 vjetësh, nga të cilat 5 vitet e para, pa pagesë. Hapi i dytë do të jetë shqyrtimi i projekt-marrëveshjes dhe më pas nënshkrimi i saj nga zyrtarët e të dyja palëve”, thuhet në njoftim. Pesë ditë më parë u miratua një kredi prej 25 milionë dollarësh nga Fondi Saudit. Kushtet e kësaj kredie u konsideruan si mjaft të leverdishme, pasi norma e interesit është 2 për qind dhe afati i maturimit 25 vjet, nga të cilat 5 vitet e para janë pa pagesë. Deri më tani, qeveria ka marrë “Ok” për tre kredi, ku më e madhja është siguruar nga Banka Islamike për Zhvillim në shumën 222.7 milionë dollarë.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura