TIRANË- Partia Socialiste ka reaguar sot për raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore në vendin tonë, duke deklaruar se ai ka numëruar të gjitha shqetësimet e ngritura me kohë nga opozita. Gjatë një deklarate për mediat, deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri ka vlerësuar raportin si objektiv, duke shtuar se ai ka nxjerrë në pah gjithë problematikat e zgjehdjeve, që nga listat e dubluara e deri në atë që ai e cilëson jo legjitimitet të kreut të ri të bashkisë së Tiranës.
“Shqetësimet e PS, para, gjatë dhe pas ditës së zgjedhjeve janë pasqyruar të plota dhe të vërteta, duke ngritur shqetësime për dështimin e zgjedhjeve. Listat kishin mospërputhje, shtesa e dublime, nënvizohen kërcënime ndaj buxhetorëve, jo vetëm për pjesëmarrje në mitingje, por edhe të votojnë kandidatët e partisë në pushtet. Raporti nënvizon votim të parregullt në 10% të qendrave që është më keq se zgjedhjet e vitit 2009”- tha Tahiri.
Sipas tij, votimi në grup, më shumë se një herë ishin shenjat e konstatuara nga ndërkombëtarët e bashkë me këto edhe mbushja e kutive, fenomen që sipas raportit u konstatua gjatë këtyre zgjedhjeve.
“Sipas raportit KQZ u soll si institucion partiak, numërimi i votave të gabuara cilësohet si procedurë që ndryshoi praktikën e konsoliduar, numërimi i tyre ishte i parapërgatitur, i pambështetur në ligj. Kjo cenoi kredibilitetin e KQZ duke e kthyer në instiutucion të komanduar. Vendimet e Kolegjit cilësohen si kontradiktore, vend të vecantë kanë vendimet për Tiranën, që janë kontradiktore dhe hedhin hije dyshime për vendimarrjen e komanduar edhe në Kolegj. Vlerësimi i ndërkombëtarëve është se kryetari i bashkisë nuk ka legjitimitet”- tha Tahiri.
© Panorama.al











