Bankat në vend i janë kthyer kredisë në euro, duke pakësuar sasinë e asaj që jepet në lekë dhe në dollarë, krahasuar me një muaj më parë.Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për kreditë me afat më të gjatë, siç janë 3-5 vjet apo mbi 5 vjet, sasia e kredisë së dhënë në euro është rritur. Në shifra, bankat kanë dhënë 11 milionë euro kredi, krahasuar me 6.4 milionë euro që ishte në prill. Për kredinë mbi 5 vjet, kredia e dhënë ka qenë në masën 24 milionë euro, ndërkohë që në muajin prill ishte 19.8 milionë euro. E kundërta ka ndodhur me kredinë në dollarë, e cila ka vijuar tendencën e saj rënëse në sasi. Kreditë 3-5 vjet kanë qenë në masën 0.5 milionë dollarë, në ndryshim nga 0.6 milionë dollarë që ishin në muajin prill. Për kreditë mbi 5 vjet janë dhënë 1.5 milionë dollarë dhe sërish vihet re rënie krahasuar me prillin, kur sasia e kredisë së dhënë në dollarë ishte 3.7 milionë dollarë. Të njëjtin fat si kredia në dollarë ka pasur edhe ajo në lekë. Ajo me afat 3-5 vjet ka pësuar rënie, ku nga a 830 milionë lekë që ishte në prill, në maj ka arritur 704 milionë lekë. Kurse sasia e kredisë së dhënë për afat mbi 5 vjet ka rënë nga 2.1 miliardë në prill në 2 miliardë lekë në maj.
Depozitat
Në fund të majit, totali i depozitave arriti 810 miliardë lekë, ndërkohë që në prill totali ishte 806 miliardë lekë. Nga këto, depozita në lekë janë 431 miliardë, me një rritje prej 4 miliardësh krahasuar me prillin, kur depozitat në sistemin bankar në lekë ishin 427 miliardë. Në këtë kategori, depozitat pa afat janë të vetmet që kanë pësuar rritje modeste prej vetëm 7 milionë lekësh gjatë muajit maj. Depozitat në valutë në fund të muajit të pestë të vitit ishin 379 miliardë lekë me një rritje me vetëm 1 miliardë lekë krahasuar me prillin, kur depozitat në valutë shënonin 378 miliardë lekë. Rritja e depozitave në sistem është komentuar edhe nga Banka e Shqipërisë si një tregues që konsumi është ulur dhe shqiptarët preferojnë më shumë të kursejnë sesa të shpenzojnë.
505 miliarde
lekë arriti në maj kredia e dhënë gjithsej nga sektori bankar në vend, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë. Krahasuar me prillin, kredia është rritur me 5.7 miliardë lekë, nga 5 miliardë lekë që ishte në fund të muajit të katërt të vitit.
Sasia e kredisë në maj
Kredia në lekë 3-5 vjet
Prill 2011 830 milionë
Maj 2011 704 milionë
Kredia në lekë mbi 5 vjet
Prill 2011 2.1 miliardë
Maj 2011 2 miliardë
Kredia në euro 3-5 vjet
Prill 2011 6.4 milionë
Maj 2011 11 milionë
Kredia në euro mbi 5 vjet
Prill 2011 19.8 milionë
Maj 2011 24 milionë
Kredia në dollarë 3-5 vjet
Prill 2011 0.6 milionë
Maj 2011 0.5 milionë
Kredia në dollarë
mbi 5 vjet
Prill 2011 3.7 milionë
Maj 2011 1.5 milion
NERTILA MAHO
© Panorama.al











