Raporti, investimet e huaja në 2010, 1 miliard dollarë

Aug 2, 2011 | 11:27

Viti 2010 ka shënuar një histori suksesi për Investimet e Huaja Direkte në Shqipëri, të cilat në vlerë llogariten të kenë qenë 1 miliard dollarë.

Raporti i hartuar nga UNCTAD (Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin) i publikuar disa ditë më parë, vë në fokus ecurinë e Investimeve të Huaja Direkte në botë duke bërë edhe një renditje. Në Shqipëri prezantimin e gjetjeve e bënë dje zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Eno Bozdo, dhe përfaqësuesja e PNUD, Zineb Touimi-Benjellou.

RAPORTI

Shqipëria është renditur në raportin e UNCTAD si vendi i 18-të në botë sa i përket indeksit të performancës së Investimeve të Huaja Direkte duke bërë një përmirësim të madh krahasuar me vendin e 78-të ku pozicionohej në vitin 2006. Kështu, raporti vë në dukje rritjen e vlerës së investimeve të huaja nga viti në vit për vendin tonë. Nga 325 milionë dollarë që ishin në vitin 2006, investimet janë rritu në vitin 2007-n në 656 milionë dollarë, më pas në 2008-n, në 978 milionë dollarë, në 2009- n, plot 989 milionë dollarë dhe për vitin 2010 vlera e investimeve ishte 1 miliard e 97 milionë dollarë. Zëvendësministri, Eno Bozdo, tha dje në fjalën e tij se investimet e realizuara sipas aktivitetit ekonomik klasifikohen në 44,5 për qind, vlerësohen se i përkasin kërkimshfrytëzimit, industrisë dhe ndërtimit, ndërsa 55,5 për qind i përkasin sektorit të shërbimeve, transportit, telekomunikacionit, shërbimeve financiare, tregtisë dhe shërbimeve të biznesit. “Pjesëmarrja në rritje e kompanive të huaja në tregun shqiptar është tregues i qartë i kushteve të favorshme për IHD-të që vazhdojnë të realizohen në disa sektorë të ekonomisë, si nxjerrja e mineraleve, sektori energjetik, sektori bankar dhe telekomunikacioni”, tha Bozdo. Ndërkaq, raporti vëren se Shqipëria ka qenë vendi i dytë në rajon që ka pasur një trend rritës të investimeve të huaja pas Serbisë, që kryeson listën e vendeve të rajonit të cilat pa përjashtim përngjatë vitit 2010 kanë pësuar rënie të Investimeve të Huaja Direkte. Lidhur me rritjen e investimeve të huaja në vend, raporti vëren një sërë çështjesh që kanë ecur në linjën e duhur të nxitjes së investimeve, siç janë barra e ulët fiskale apo përpjekja për të pasur një legjislacion që do të mbrojë më shumë investitorët, por sërish ka probleme që pengojnë investimet. Në fakt, për vlerën e investimeve të huaja institucione të ndryshme ndërkombëtare e kanë paraqitur në vlera të ndryshme të përllogaritura sipas mënyrave të tyre dhe rezulton që vlera e UNCTAD të jetë një nga më pozitivet.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura