Raporti i S&P: Polarizimi politik dobësoi ekonominë

Jun 20, 2012 | 13:54

Agjencia e vlerësimit të riskut “Standard and Poor’s” e ka vlerësuar Shqipërinë edhe një herë me B+, duke e konsideruar situatën si stabël. Kjo është e disata herë që agjencia bën një vlerësim total të ekonomisë së Shqipërisë, duke pasur parasysh të gjithë faktorët, politikë, makroekonomikë të saj, dhe “nota” ka qenë gjithmonë e njëjtë.
Dobësitë dhe pikat e forta
Raporti i agjencisë “Standard and Poor’s” në vlerësimin për vendin tonë vë përballë dobësitë dhe pikat e forta të tij. Sa u përket të parave, sipas raportit, një pikë e dobët është GDP-ja e ulët për frymë, së dyti niveli shumë i lartë i borxhit publik kur e krahasojmë këtë me vendet fqinje, së tregti një polarizim i dukshëm politik që ka ngadalësuar reformat, dhe së katërti imbalancat e mëdha të jashtme. Por, nga ana tjetër, për agjencinë e vlerësimit të riskut Shqipëria ka një sërë pikash të forta, të cilat ndikojnë pozitivisht. Së pari është potenciali i madh afatgjatë i rritjes ekonomike, së dyti është kuadri ligjor që në mënyrë të qartë favorizon pagesat e shërbimit të borxhit, ndërsa e treta është prospekti afatgjatë për integrimin në Bashkimin Europian që shërben si ankorë e orientimit të politikave.
Politika dhe ekonomia
Standard and Poor’s vlerëson se politika mbetet një nga dobësitë e mëdha të Shqipërisë. Krahasuar me vlerësimin e hershëm të kësaj agjencie, duket se situata është përmirësuar, pra “tensionet politike kanë rënë, por dobësitë ende vazhdojnë”. Në një vështrim më të përgjithshëm, sipas agjencisë, institucionet vijojnë të mbeten të dobëta dhe zhvillimi i vendit mbetet peng i progresit të ulët të mjedisit politik. Partia Socialiste, sipas raportit, që kur është kthyer në Parlament në muajt e fundit të 2011-s, është bërë më konstruktive, por qëndrimi i saj gjatë zgjedhjes së Presidentit në qershor ishte bojkoti, pasi nuk u gjet gjuha e përbashkët me maxhorancën. Nga ana tjetër, raporti i S&P bën vlerësim të plotë për situatën ekonomike, ku vlerëson se vendi ynë do të ketë gjatë këtij viti një rritje 2.5 për qind. Në përgjithësi, situata, sipas agjencisë, duket e mirë, por faktorët e riskut nuk mungojnë dhe ndër ta është edhe situata e fqinjëve si Italia dhe Greqia.

Raporti i Standard & Poor’s
Situata politike

·    Mjedisi politik: Tensionet politike kanë rënë, por dobësitë vazhdojnë
·    · Polarizimi politik ka penguar aftësinë e qeverisë për zhvillimin e politikave efektive, sidomos në lidhje me aspiratat e saj të integrimit në BE, por ka përparuar disi që nga fundi i 2011-s.
·    · Ne besojmë se arritja e statusit kandidat i BE-së për Shqipërinë është e mundshme brenda 12-18 muajve të ardhshëm, nëse bëhen përparime të rëndësishme sipas kërkesave të BE-së.
·    ° Ka dobësi institucionale, sidomos në lidhje me korrupsionin dhe të drejtat e pronës.

Ekonomia
·    Rritja e performancës së Shqipërisë gjatë krizës ka qenë relativisht e mirë dhe shohim përparim të mirë, edhe pse risqet aktuale janë prezente.
·    Risqet politike dhe fiskale apo një tjetër shok i jashtëm mund ta pengojë Shqipërinë që të arrijë rritjen e saj potenciale.
·    Dobësitë e mëdha në strukturën ekonomike vazhdojnë të jenë prezente.

Fleksibiliteti fiskal
·    Qeveria uli me sukses deficitin në vitin 2010 dhe në 2011-n arriti që të menaxhonte një linjë të njëjtë me objektivin.
·    Deficiti fiskal pritet që të jetë rreth 3 për qind e GDP-së në terma afatmesëm.
·    Gjithsesi, dobësitë në menaxhimin e financave publike janë prezente dhe mund të ilustrohen nga shikimi i buxhetit dhe administrimi i të ardhurave.
·    Niveli i borxhit dhe interesat mbeten të larta, një problem që bëhet më i madh nga të ardhurat më të ulëta dhe sistemi i sigurimit shoqëror ende i pareformuar.

Politika monetare
·    Kreditë e këqija kaluan 20 për qind në fund të 2011-s.

·    Mbulimi i fortë i sektorit bankar me kapital kanë ndihmuar për të mbajtur stabilitetin e sektorit financiar, pavarësisht përkeqësimit të konsiderueshëm në cilësinë e aseteve.

12 muaj larg statusit të BE
Nëse Shqipëria do të implementojë siç duhet të gjitha reformat dhe kërkesat e bëra nga Bashkimi Europian, marrja e statusit të vendit kandidat është në rastin më të mirë 12 muaj larg, ose në rastin pesimist, 18 muaj. Raporti i Standard and Poor’s vlerëson se Shqipëria mund ta konsiderojë si pikë të fortë synimin politik për t’u integruar për në BE, pasi kjo i shërben si ankorë, por për të zbatuar të gjitha kërkesat, duhet që të punojnë të gjitha palët politike.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura