
Sistemi i drejtësisë në Shqipëri perceptohet si i korruptuar, jo transparent, mungon përgjegjshmëria dhe rregullat për heqjen e imunitetit të gjyqtarëve.Këto janë disa nga vlerësimet e qeverisë për Gjyqësorin, ku përfshihen gjykatat, KLD-ja, Prokuroria, Konferenca Gjyqësore Kombëtare, Shkolla e Magjistraturës etj. Në dokumentin prej 52 faqesh, veçohet fakti se “Ndonëse ka një tendencë në rritje për luftën institucionale kundër korrupsionit (KLD ka pranuar çdo kërkesë të Prokurorisë për heqjen e imunitetit të gjyqtarëve në rastet e paraqitura), duket se masat parandaluese nuk janë ende të mjaftueshme (për ilustrim shërben imuniteti i plotë i gjyqtarëve)”. Në të njëjtën kohë, qeveria ka përcaktuar edhe një sërë prioritetesh, të cilat synojnë konsolidimin e pavarësisë së Gjyqësorit dhe përmirësimin e statusit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Korrupsioni në Gjyqësor
Në raportin analitik 2010 të Komisionit Europian mbi Shqipërinë, Gjyqësori paraqitet si një nga fushat me shqetësim në korrupsion, i shkaktuar nga një sërë faktorësh, si mungesa e përgjegjshmërisë, transparencës, paanësisë, statusi i gjyqtarëve, duke përfshirë edhe imunitetin e plotë të gjyqtarëve si prej pengesave të hetimit të rasteve korruptive në Gjyqësor. Ndonëse ka një tendencë në rritje për luftën institucionale kundër korrupsionit (KLD ka pranuar çdo kërkesë të Prokurorisë për heqjen e imunitetit të gjyqtarëve në rastet e paraqitura), duket se masat parandaluese nuk janë ende të mjaftueshme (për ilustrim shërben imuniteti i plotë i gjyqtarëve).
Eficenca në Gjyqësor
Niveli i statusit të gjyqtarëve të Shkallës së Parë dhe të Apelit, duke përfshirë edhe pagat, ende nuk është në përputhje të plotë me standardet europiane. Aktualisht ka nevojë për një analizë dhe standardizim të të gjitha privilegjeve, që gëzojnë gjyqtarët për shkak të detyrës. Garancitë për promovimin në karrierë të gjyqtarëve dhe për procedimin disiplinor të tyre, nuk zbatohen sa duhet në praktikë. Vlerësimi profesional i gjyqtarëve dhe krijimi i listës së renditjes së tyre nuk është konsoliduar si proces. Edhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë mbeten të papërditësuar me zhvillimet e legjislacionit dhe të doktrinës. Administrata gjyqësore mbështet veprimtarinë e gjykatave, megjithatë ka nevojë në rritje për konsolidimin e standardeve të performancës dhe të statusit të saj. Kushtet fizike të punës janë të tilla, që ende lejojnë zhvillimin e gjykimeve në zyrat e gjyqtarëve. Volumi i lartë dhe zvarritja e gjykimeve në Gjykatën e Lartë i atribuohet edhe faktorëve të tjerë, si mungesa e reflektimit të ndryshimeve ligjore dhe institucionale në përbërjen e kolegjeve të kësaj gjykate; procedurat jo transparente të emërimit të gjyqtarëve të lartë; numri i ulët i rekrutimit në këtë Gjykatë nga radhët e Gjyqësorit dhe roli i dobët i saj si gjykatë karriere, si dhe mungesa e mekanizmit të vazhdimit të detyrës së gjyqtarëve të lartë deri në zëvendësimin e tyre.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë
Në lidhje me organizimin më eficent të punës së Këshillit vërehen këto probleme: a) Mungesa e një riorganizimi të anëtarëve të Këshillit, për një ndarje më të qartë të detyrave midis trupës së tij, inspektoratit dhe administratës së tij, si dhe për një organizim më efikas të mbledhjeve plenare të tij; b) Vlerësimi i gjyqtarëve nuk është proces i konsoliduar dhe transparent; c) Mungesa e harmonizimit të rregullave lidhur me kriteret dhe procedurën e emërimit dhe promovimit të gjyqtarëve të Shkallës së Parë dhe të Apelit, për shkak të diferencës në kohë të miratimit të ligjit organik të KLD-së dhe ligjit organik të gjykatave; d) Mungesa e kritereve në ligj për transferimin e gjyqtarëve të të njëjtit nivel; e) Roli i dobët i KLD-së në hartimin dhe zbatimin e buxhetit financiar të pushtetit gjyqësor; f) Stafi administrativ në KLD nuk ka performancën e dëshiruar cilësore dhe procedurat e rekrutimit jo gjithmonë bazohen për thithjen e punonjësve profesionistë dhe me integritet të lartë. Në lidhje me veprimtarinë e gjykatave, vërehen këto probleme: a) Mungesa e rregullave të qarta që të lejojnë Këshillin të marrë masa konkrete për adresimin e problemeve që dalin nga inspektimet e gjykatave (probleme lidhur me transparencën e dhënies së drejtësisë, apo infrastrukturën e nevojshme në funksion të respektimit të solemnitetit nga gjyqtarët).
Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor
Aktualisht ka një nevojë për rritjen e kapaciteteve menaxhuese të ZABGJ-së për të mundësuar identifikimin më të saktë të nevojave financiare të pushtetit gjyqësor, si dhe planifikimin, menaxhimin e monitorimin e tij. Qasja e standardeve operuese për sigurimin e kushteve cilësore të punës, gjykimit dhe shërbimit, si nga këndvështrimi i gjyqtarëve, ashtu edhe nga këndvështrimi i qytetarëve, është ende e dobët.
Konferenca Gjyqësore Kombëtare
Rregullat e organizimit dhe të funksionimit të KGJK-së, në drejtim të shprehjes së vullnetit të të gjithë gjyqtarëve që përfaqëson për ushtrimin e kompetencave të sakta dhe konform ligjeve, nuk janë formalizuar ende në një ligj të veçantë.
Shkolla e Magjistraturës
Shkolla e Magjistraturës ka ende infrastrukturë dhe ambiente të pamjaftueshme për të siguruar realizimin e të gjithë veprimtarisë trajnuese, akademike dhe administrative të saj. Përmirësimi i infrastrukturës pa dyshim do të ndikojë edhe në cilësinë e mësimdhënies. Shkolla ka ende mjete të pamjaftueshme financiare, ndonëse mbështetet kryesisht nga Buxheti i Shtetit dhe në plotësim edhe nga partnerë ndërkombëtarë të ndryshëm të interesuar në realizimin e veprimtarisë së saj, sipas ligjit në fuqi, në fushën e trajnimeve dhe botimeve.
Prokuroria
Problematika e hasur në organin e prokurorisë është e ngjashme me atë të pushtetit gjyqësor, për shkak të ndërlidhjes së veprimtarisë së këtyre operatorëve. Lidhur me forcimin e pavarësisë së prokurorëve në procesin e hetimit, ligji për policinë gjyqësore, i cili tashmë ka hyrë në fuqi, ka plotësuar kuadrin ligjor mbi forcimin e kapaciteteve investiguese në polici dhe prokurori. Megjithatë, nevojiten të merren hapa të tjerë kryesisht lidhur me plotësimin e kuadrit ligjor në zbatim të risive ligjore të sjella në forcimin e autonomisë së prokurorisë në hetimin paraprak dhe mundësinë për hetime proaktive (7 akte nënligjore).
Ministria e Drejtësisë
Inspektimet në Gjyqësor dhe në prokurori nuk duket të jenë plotësisht funksionale. Ka vërejtje për mbivendosje dhe mungesë bashkërendimi të Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë me atë të KLD-së, për shkak të procedurave ligjore jo në përputhje me standardet europiane. Roli për mbikëqyrjen e administratës gjyqësore në funksion të rritjes së performancës dhe transparencës në pushtetin gjyqësor duhet konsoliduar. Gjithashtu, ka nevojë për të përmirësuar procedurat e bashkërendimit mes inspektorateve të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, si një bazë e shëndetshme për reflektimin e rekomandimeve qeveritare, që i adresohen çdo vit prokurorisë në luftën kundër kriminalitetit.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve
Kërkohen përpjekje të mëtejshme për arritjen e standardeve ndërkombëtare, sidomos atyre europiane dhe me fokus të veçantë te të miturit. Gjithashtu, kërkohen masa efektive për minimizimin dhe evitimin e rasteve të keqtrajtimeve fizike dhe psikologjike, sidomos të atyre në mbikëqyrje të policisë dhe me fokus të veçantë te të miturit. Ka ende qendra të ekzekutimit të dënimeve penale që funksionojnë mbi kapacitetet dhe mbeten për t’u përmirësuar kushtet e përgjithshme të tyre, duke përfshirë edhe ndonjë qendër paraburgimi apo rajon policie.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës
Si një shërbim i ngritur së fundmi, ky institucion nuk ka konsoliduar marrëdhëniet me publikun, gjykatat, prokurorinë, policinë, sistemin penitenciar, autoritetet lokale dhe OJQ-të.
Shërbimi Përmbarimor Gjyqësor
Shërbimi i Përmbarimit Gjyqësor shtetëror shfaq probleme në cilësi dhe eficencë të shkaktuara si nga mungesa e mjeteve logjistike e financiare, ashtu edhe nga kapacitetet administrative. Cilësia dhe efektiviteti jo në nivelin e duhur kanë ulur numrin e ekzekutimeve të suksesshme.
Qendra e Publikimeve Zyrtare
Duhet t’i nënshtrohet përmirësimit të standardit të publikimit dhe shpalljes së akteve ligjore në përputhje dhe me vendet e tjera, si dhe objektivat afatgjatë institucionalë, në kuadër të epokës dixhitale.
Komiteti Shqiptar i Birësimeve
Në fushën e birësimeve, implementimi i standardeve dhe procedurave ligjore për birësimet brenda dhe jashtë vendit përbën një nga problemet kryesore të këtij institucioni.
Avokatura e Shtetit
Tashmë është vlerësuar si sfidë dhe domosdoshmëri e kohës fuqizimi dhe modernizimi i këtij institucioni, me fokus të veçantë në rritjen e nivelit të ekspertizës që u duhet ofruar strukturave shtetërore gjatë veprimtarisë së tyre dhe rritjen e cilësisë së mbrojtjes ligjore që i duhet garantuar shtetit. Nëpërmjet organizimit dhe strukturimit të Avokaturës së Shtetit sipas ligjit në fuqi, vazhdimit të reformës, përmirësimit të kuadrit ligjor dhe përputhjes së tij me standardet europiane, përmirësimit të kushteve të punës, infrastrukturës dhe trajtimit të trupës avokatore, punimit të vazhdueshëm në drejtim të unifikimit të praktikës ligjore dhe rritjes së nivelit të përfaqësimit dhe profesionalizmit në gjykatat kombëtare, Strasburgut dhe Arbitrazhit Ndërkombëtar, synohet të ndikohet në uljen e korrupsionit në organet e administratës shtetërore dhe organet e drejtësisë. Në këtë kuadër, roli i Avokaturës së Shtetit do të ndihmojë edhe më gjerë në objektivat e qeverisë, siç është lufta kundër korrupsionit.
Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML)
Problem tjetër i hasur gjatë veprimtarisë së këtij institucioni është edhe asgjësimi i provave materiale (bimë dhe lëndë narkotike), mbetje nga analizat toksikologjike, të cilat nuk tërhiqen nga organet e procedimit penal që kanë kërkuar ekspertimin, si dhe ndryshime në tarifat e ekspertimit që kryhen nga ky institucion. Gjithashtu problematik është mospërdorimi i një përqindjeje të caktuar i të ardhurave dytësore, për nevoja të Institutit si përfitimi në një përqindje të caktuar të ekspertëve të cilët paraqiten në gjykatë.
Profesionet e lira
Edhe pse të lira dhe private, në një shtet demokratik këto profesione vishen me tiparet e një shërbimi publik. Rrjedhimisht, disa çështje vendimtare mbi profesionet e lira duhet të përcaktohen në mënyrë të përbashkët ose të jenë subjekt i mekanizmave të kontrollit ligjor, madje në disa raste edhe të kontrollit demokratik, duke krijuar një rrjet ndërvarësie. Fragmentarizmi që përshkon shpesh profesionet e lira bëhet pengesë për reagim të shpejtë ndaj ndryshimeve dhe investimeve në fuqizimin e profesionalizimit të tyre. Kërkohet transparencë dhe monitorim periodik i veprimtarisë së tyre.
Kritikat e Qeverisë
Për Gjyqësorin
Sot pushteti gjyqësor konsiderohet si një ndër fushat me nivel të lartë perceptimi korrupsioni nga raportet vlerësuese të organizatave të huaja apo vendëse, ankesat e publikut apo denoncimeve të kryera në numrat e gjelbër të vendosura në çdo institucion.
Për KLD
Në lidhje me luftën kundër korrupsionit, vërehen këto probleme: a) Imuniteti i gjyqtarëve, i cili shpesh bëhet pengesë për hetim të shpejtë dhe më eficent të veprimeve korruptive nga ana e gjyqtarëve; b) Mungesa e rregullave për heqjen e imunitetit të gjyqtarëve nga Këshilli.
Për Prokurorinë
Edhe organi i prokurorisë perceptohet të vuajë nga korrupsioni; nga ndikimet/influencat e të tretëve në veprimtarinë e tij; nga niveli jo i kënaqshëm i procedurave dhe i efektivitetit të ushtrimit të ndjekjes penale; nga transparenca e ulët dhe mungesa e besimit të publikut te ky organ.
Për Konferencën Gjyqësore Kombëtare
Aktualisht, ky organizëm nuk është ende një forum që përmbush tërësisht misionin e tij për të kontribuar në rritjen e pavarësisë dhe përballjen me sfidat e tjera të pushtetit gjyqësor. Diskutimet brenda këtij forumi pothuajse mungojnë.
Për Institutin e Mjekësisë Ligjore
Lidhur me veprimtarinë e IML-së janë vënë në dukje vështirësitë e mungesës së personelit të kualifikuar e të emëruar si ekspertë të jashtëm në rrethe, pasi në disa rrethe të vendit ka lindur nevoja e zëvendësimit të ekspertëve të cilët kanë dalë në pension.
Politikat që do të ndërmerren
. Konsolidimi i pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe i organeve të sistemit të drejtësisë në drejtimin strukturor, funksional dhe financiar (shumë i rëndësishëm)
. Lehtësimi i vetëqeverisjes së pushtetit gjyqësor dhe rritja e aftësisë së tij për të ndikuar te dy pushtetet e tjera (shumë i rëndësishëm)
. Forcimi i kontributit të KLD-së në funksionimin e pushtetit gjyqësor, për një drejtësi të pavarur, transparente, efikase e me besim te publiku, si dhe për të garantuar ushtrimin dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të tij (shumë i rëndësishëm)
. Përmirësimi strukturor i Gjykatës së Lartë për rritjen e ndikimit, autoritetit dhe integritetit të saj (shumë i rëndësishëm)
. Administrimi i pavarur i buxhetit gjyqësor duke përmirësuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe siguruar skemë funksionale (shumë i rëndësishëm)
. Garantimi i standardeve kushtetuese përmes rritjes së efektivitetit të Gjykatës Kushtetuese (shumë i rëndësishëm)
. Përmirësimi i statusit të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe zbatimi efikas i legjislacionit lidhur me (shumë i rëndësishëm): pagën; imunitetin; emërimin; promovimin; procedimin disiplinor; vlerësimin profesional; barazinë gjinore
. Forcimi i rolit dhe pavarësisë së prokurorit në procesin e hetimit
. Rritja e performancës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe orientimi i sistemit gjyqësor drejt praktikave më të mira europiane për ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët (shumë i rëndësishëm)
. Rritja e pavarësisë, përgjegjshmërisë transparencës dhe efikasitetit në sistemin e rehabilitimit të të dënuarve me masa alternative (i rëndësishëm).
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











