Në 30 vitet e fundit më së shumti ish-pronarët shqiptarë kanë fituar të drejtat për shpronësim nga qeveria shqiptare në gjykatat ndërkombëtare.
Mirëpo moszbatimi në kohë i vendimeve e ngarkon buxhetin e shtetit me shpenzime shtesë. Deri në fund të vitit 2023 janë krijuar së paku 3.4 milionë euro detyrime të reja në formën e kamatëvonesave, vë në dukje Kontrolli i Lartë i Shtetit.
GJYQET
Për çështjen “Sh… kundër Shqipërisë”, vijon problematika e viteve të kaluara, ku Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ka mbajtur një qëndrim bllokues për projektvendimin e paraqitur nga Ministria e Drejtësisë, pavarësisht se, vendimi i Gjykatës Europiane te të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) ka formë të prerë, është botuar në Fletoren Zyrtare dhe ky propozim është hartuar nga 2 institucione kompetente për çështjet ligjore, siç janë Ministria e Drejtësisë dhe Avokatura e Shtetit.
Sipas KLSH-së, moszbatimi i këtij vendimi përkthehet në kosto financiare shtesë për buxhetin e shtetit. Propozimi i MFE për marrëveshje me këste nuk gjen mbështetje në dispozitat e vendimit dhe në ligjin organik të Avokaturës së Shtetit.
KLSH vëren se nga MFE, në lidhje me çështjen “R.. dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, është vepruar në kundërshtim me ligjin “Për avokaturën e shtetit”, ku citohet se: Ministria përgjegjëse për financat transferon pagesën në një llogari depozitimi për kërkuesit, e cila qëndron e ngurtësuar derisa të përmbushen procedurat e parashikuara me ligj, por jo më shumë se 6 muaj nga data e depozitimit, me përjashtim të rasteve kur provuesi provon se ka një proces gjyqësor ose administrativ të hapur, i cili e pengon në realizimin e këtij afati.
KAMATEVONESAT
Moskalimi i fondeve në një llogari të ngurtësuar rrit riskun e kërkesave për interesa dhe kamatëvonesa si dhe kostot nga mosekzekutimi vullnetar (kontraktimi i përmbaruesve privat). KLSH thekson se veprimet dhe mosveprimet e MFE për mosekzekutimet e vendimeve të mësipërme krijojnë risk të lartë për efekte shtesë në dëm të buxhetit të shtetit, si rrjedhojë e kamatë vonesave të kërkueshme për moszbatim në afat të vendimeve të GJEDNJ-së.
Sipas llogaritjeve të bëra nga grupi i auditimit vlera e interesave/kamatëvonesave që i rëndon buxhetit të shtetit deri në fund të vitit 2023 ishte rreth 3,4 milionë euro. Detyrimet faktike për vendimet e GJEDNJ Ishin rreth 18 milionë euro në fund të 2023. Vendimet e GJEDNJ-së që kanë vendosur kompensimin e drejtë, ekzekutohen nga institucionet përkatëse, sipas fushës së tyre të përgjegjësisë, brenda 3 muajve nga momenti kur vendimi i gjykatës merr formën e prerë.
Sipas pikës 3 të nenit 19/5 ku përcaktohet se: “Në rast të moskryerjes së pagesës brenda afateve kohore mbi masën e detyrimeve përkatëse financiare paguhet Interesi, sipas përcaktimeve në vendimin e GJEDNJ së” sqaron KLSH. Janë verifikuar tre vendime të Këshillit të Ministrave në vlerën 17,880,650 euro i përkasin viteve 2015, 2016 dhe 2018 dhe janë ende pa u likuiduar, në kundërshtim me ligjin “Për Avokaturën e Shtetit’”.
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al