Raporti i KiE: PS të ndërpresë bojkotin

Jun 25, 2011 | 12:09

Bashkëraportuesit e Këshillit të Europës për Shqipërinë do të vizitojnë Tiranën për situatën e krijuar pas zgjedhjeve lokale të 8 majit.Komiteti i Monitorimit në KiE hartoi një draft-rezolutë për Shqipërinë, ku bën thirrje për dialog polik dhe dhënien fund të bojkotit të opozitës në Kuvend. “Zhvillimet që lidhen me zgjedhjet lokale të mbajtura më 8 maj 2011 nxorën në pah natyrën e brishtë të demokracisë dhe polarizimin e vazhdueshëm midis shumicës qeverisëse dhe opozitës. Bashkëraportuesit kanë ndërmend ta vizitojnë vendin menjëherë pasi rezultati i zgjedhjeve të mbyllet”, thuhet në draft-rezolutë. Ky raport i përgatitur nga Komiteti i Monitorimit, me drejtues Dik Martin, flet në mënyrë të detajuar për situatën në Shqipëri, ku krahas thirrjeve, është i gatshëm të japë edhe asistencë për reformën elektorale në veçanti. “Partia kryesore e opozitës në Shqipëri (Partia Socialiste), të ndërpresë bojkotin e saj në punën e Parlamentit dhe të hyjë në një dialog konstruktiv politik me forcat e tjera politike”, thotë raporti, i cili kërkon më tej që përmirësimi i ligjeve të prekë rregulla të transparencës në lidhje me pronësinë e medias, përbërjen e komisioneve zgjedhore dhe listat e kandidatëve. Në këtë dokument thuhet se abuzimi nga partitë e opozitës me strategjitë e bojkotit (rasti i Shqipërisë), ose refuzimin e tyre për të marrë pjesë në zgjedhje (në disa vende të tjera), nuk ndihmojnë procesin demokratik. “Në Shqipëri, megjithëse zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2009 u konsideruan në nivel global të ndershme dhe të lira, politizimi i procesit zgjedhor dhe shkeljet e gjetura gjatë fushatës, si dhe disa parregullsi të vërejtura gjatë votimit, i dhanë shkas rritjes serioze të krizës aktuale politike. Asambleja Parlamentare i ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur opozitës kryesore që t’i japë fund bojkotit të punës së Parlamentit dhe të hyjë së bashku me forcat e tjera politike. Është përgjegjësi e liderëve politikë për të thirrur mbështetje në kuadër të institucioneve demokratike dhe jo në rrugë”, thuhet në raport.

Komiteti i Monitorimit

Komiteti i Monitorimit është komision e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, i cili ka për detyrë të monitorojë disa vende anëtare në lidhje me procesin e demokratizimit dhe zbatimin e ligjit. Ky komitet monitoron vende të tilla si Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bosnjë-Hercegovina, Gjeorgjia, Moldavia, Mali i Zi, Federata Ruse, Serbia dhe Ukraina dhe katër vendet e angazhuara në një dialog postmonitorim si Bullgaria, Monakoja, Maqedonia dhe Turqia, në përpjekjet e tyre për të siguruar respektimin e plotë për demokracinë, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Bashkëraportuesit

Jaakko Laakso nga Finlanda dhe David Wilshire nga Mbretëria e Bashkuar, janë bashkëraportuesit e Këshillit të Europës për Shqipërinë. Ata pritet të vizitojnë vendin tonë sapo të shpallet rezultati përfundimtar për zgjedhjet lokale të 8 majit. Dy parlamentarët u angazhuan gjerësisht pas zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit 2009, duke propozuar edhe një rezolutë në Asamblenë Parlamentare për Shqipërinë.

Draft-rezoluta e KiE

Paaftësia e opozitës për të bashkëpunuar me partinë në pushtet pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009 shkaktoi një krizë të vazhdueshme dhe çoi në ngjarjet tragjike të janarit 2011.

Nga ana tjetër, abuzimi nga partitë e opozitës me strategjitë e bojkotit (rasti i Shqipërisë), ose refuzimin e tyre për të marrë pjesë në zgjedhje (në disa vende të tjera), nuk kujdeset për procesin demokratik.

Në Shqipëri, megjithëse zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2009 u konsideruan në nivel global të ndershme dhe të lira, politizimi i procesit zgjedhor dhe shkeljet e gjetura gjatë fushatës, si dhe disa parregullsi të vërejtura gjatë votimit, i dhanë shkas rritjes serioze të krizës aktuale politike.

Asambleja Parlamentare i ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur opozitës kryesore që t’i japë fund bojkotit të punës së Parlamentit dhe të hyjë së bashku me forcat e tjera politike. Është përgjegjësi e liderëve politikë për të thirrur mbështetje në kuadër të institucioneve demokratike dhe jo në rrugë.

Zhvillimet që lidhen me zgjedhjet lokale të mbajtura më 8 maj 2011 nxorën në pah natyrën e brishtë të demokracisë dhe polarizimin e vazhdueshëm midis shumicës qeverisëse dhe opozitës. Bashkëraportuesit kanë ndërmend të vizitojnë vendin menjëherë pasi rezultati i zgjedhjeve të mbyllet.

Autoritetet shqiptare janë ftuar nga ana e Asamblesë Parlamentare për të përmirësuar kuadrin legjislativ dhe në rritjen e kapacitetit të administratës zgjedhore në një numër fushash.

Asambleja Parlamentare kërkon që në lidhje me zgjedhjet dhe pluralizmin politik:
1. Kuvendi i Shqipërisë të fusë një kornizë legjislative për të përmirësuar procesin zgjedhor dhe të përmirësojë aftësitë e administratës zgjedhore përsa i përket regjistrit zgjedhor, rregullimin e mediave dhe të financimit të fushatave, rregullat e transparencës në lidhje me pronësinë e medias, përbërjen e komisioneve zgjedhore dhe listat e kandidatëve.

Në lidhje me bashkëpunimin parlamentar me opozitën:
2. Partia kryesore e opozitës në Shqipëri (Partia Socialiste), të ndërpresë bojkotin e saj në punën e Parlamentit dhe të hyjë në një dialog konstruktiv politik me forcat e tjera politike.

Daul: Të respektohet vendimi i gjykatave

Kreu i Grupit të Partive Popullore Europiane, Jhozef Daul, u shpreh dje se palët në Shqipëri duhet të respektojnë vendimin e gjykatave. “Me sa di unë, rezultati do të jepet nga Gjykata. Kur fiton, sigurisht që je gjithmonë i kënaqur. Thelbësore është që demokracia funksionon, që rregullat demokratike zbatohen. Kjo është themelore. Dëgjoni! Duhen respektuar rregullat. Ka gjykata, ka organe vendimmarrëse. Duhet të triumfojnë rregullat. Për më tepër, nuk është një parti e vetme që vendos, nuk është rruga. Demokracia është votë. Atëherë, kjo duhet respektuar. Unë kam dërguar përfaqësuesit tanë për të kontrolluar atje, kemi vendimet gjyqësore, ka pasur numërim dhe rinumërim votash. Nëse të dhënat janë të sakta, atëherë, pas numërimit, kjo punë mbaron. Çfarë mund të bëjmë ne nga Brukseli tjetër? Ne themi se ekziston e drejta, por ekziston edhe drejtësia. Duhet të mësohemi me një gjë të tillë”, tha Daul.

“PD-PS të punojnë në Kuvend”

Ambasadori italian në Tiranë, Saba D’Elia tha dje se palët duhet të punojnë brenda Kuvendit. “Duhet të përpiqen të punojnë për të kaluar këtë ngërç dhe për t’ iu rikthyer një jete politike normale edhe në parlament, sepse pikërisht në parlament duhet të ndërmerren ato reforma që janë kërkuar nga BE për procesin e integrimit”, tha ambasadori. Ai bëri me dije se Italia nuk do të kërkojë më nga shtetasit shqiptarë legalizimin e dokumenteve. Të gjitha dokumentet e prodhuara nga autoritetet shqiptare do të legalizohen vetëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, me vulën apostile, pa pasur nevojë të legalizohen më pas në Ambasadën Italiane në Tiranë apo konsullatat në Vlorë dhe Shkodër.

Bllokohet Këshilli Bashkiak i Durrësit
Këshilli Bashkiak i Durrësit do të jetë i bllokuar deri në momentin që të verifikohen mandatet e të gjithë këshilltarëve të dalë nga zgjedhjet lokale të 8 majit. Në mbledhjen e djeshme të KQZ-së nuk u plotësua kuorumi i nevojshëm prej 5 votash për të miratuar përbërjen e Këshillit për shkak të listës emërore të kandidatëve. Njëri nga këshilltarët fitues, Ilia Milloshi, rezultonte i 11-ti në listën e kandidatëve të PS-së dhe i pari në listën e kandidatëve të PDS-së. Gati një muaj para zgjedhjeve ai i kishte kërkuar KZAZ-së së qytetit të Durrësit ta hiqte nga lista e PDS-së. Anëtarët e KQZ-së nuk ranë dakord për zgjidhjen e kësaj situate, pasi u diskutuan dy variante: i pari, që të hiqej nga njëra prej listave që nuk mori më shumë se katër vota dhe i dyti, që këtë çështje ta zgjidhje Komisioni i Mandateve të Këshillit, që nuk u pranua nga tre prej anëtarëve. Në këto kushte, çështja do të zgjidhet me ankim në Kolegjin Zgjedhor. Në Durrës, 21 vende i ka fituar e majta dhe 24 e djathta.

 

ERALD KAPRI

© Panorama.al

Te lidhura