Raporti i DASH: Korrupsioni pengon luftën ndaj trafikut

Jun 28, 2011 | 11:18

Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi Raportin Vjetor për Trafikimin e Njerëzve për vitin 2011, në të cilin thuhet se niveli i lartë i korrupsionit në Shqipëri pengon luftën ndaj trafiqeve.Në raport përfshihen 180 vende, ndërsa dokumenti vlerëson punën që bëjnë qeveritë e këtyre shteteve në përpjekje për të luftuar trafikimin e njerëzve. Në kapitullin për vendin tonë thuhet se Shqipëria është një vendburim për trafikimin e burrave, grave dhe fëmijëve që detyrohen të kërkojnë lëmoshë. Në raport thuhet se viktimat e trafikimit në Shqipëri ndahen në dy grupe: ato që detyrohen të bëjnë punë të detyruar dhe për shfrytëzim seksual brenda Shqipërisë, por edhe në Greqi, Itali, Maqedoni, Kosovë dhe Europën Perëndimore. Rreth gjysma e viktima të raportuara për vitin 2010 ishin gra dhe vajza, viktima seksi në hotele dhe banesa private në Tiranë, Durrës dhe Vlorë, thuhet në raport. Ndërsa fëmijët janë shfrytëzuar kryesisht për të kërkuar lëmoshë dhe për forma të tjera të punës së detyruar. Burrat shqiptarë, viktima të trafikut, janë detyruar të kryejnë punë të detyruar bujqësore në Greqi dhe vende të tjera fqinje. Organizatat joqeveritare vazhdojnë të raportojnë se ritrafikimi i viktimave shqiptare përbën problem. Në raport thuhet se qeveria shqiptare nuk i plotëson të gjitha standardet minimale për eliminimin e trafikut, megjithatë, po bën përpjekje të rëndësishme. Qeveria shqiptare, thuhet në raport, ka marrë disa hapa konkretë për përmirësimin e strategjisë kundër trafikimin njerëzor në tërësi. Korrupsioni, vazhdon raporti, sidomos në Drejtësi, ka vazhduar të pengojë zbatimin në përgjithësi të ligjeve kundër trafikimit dhe përpjekjet për mbrojtjen e viktimave. Mes rekomandimeve për Shqipërinë, në raportin e Departamentit të Shtetit për trafikimin e njerëzve thuhet se vendi duhet të vazhdojë të përmirësojë zbatimin e Mekanizmit Kombëtar të Referimit, duke bërë të mundur që të ndiqen penalisht punonjësit e zbatimit që ligjit që bashkëpunojnë në trafikimin e njerëzve, të hetojë dhe nxjerrë para drejtësisë autorët e trafikimit dhe të ndihmojë në funksionimin e strukturave kundër trafikut. Raporti nënvizon se Shqipëria i ka shtuar përpjekjet për zbatimin e ligjeve kundër trafikut në vitin 2010 dhe ka përmirësuar përpjekjet për identifikimin dhe mbrojtjen e  viktimave, por korrupsioni në të gjitha nivelet dhe sektorët vazhdon të pengojë së tepërmi përpjekjet e qeverisë në luftën kundër trafikimit të njerëzve.

© Panorama.al

Te lidhura