Kryetari i PS, Edi Rama, vlerësoi ndryshimet e fundit të miratuara nga ekspertët në Kodin Elektoral.
“Kemi marrë garanci, komisionerët s’do bëjnë më akte korruptive”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, vlerësoi me nota pozitive ndryshimet e fundit të miratuara nga Komisioni i posaçëm i Reformës Zgjedhore për Kodin Elektoral. Duke folur nga Selaniku, ku mori pjesë në takimin e Komitetit të Internacionales Socialiste për Europën Juglindore, me temë “Demokracia, ekonomia, shoqëria dhe e ardhmja europiane”, kreu i opozitës tha se në zgjedhjet e ardhshme opozita do të ketë më shumë garanci sa i përket ruajtjes së votës. “Çdo reformë zgjedhore është objekt debati dhe kundërshtish. Ajo që ne na duhet është që të garantojmë një sërë aspektesh, që deri dje kanë qenë aspekte të errëta të procesit zgjedhor. Besoj se jemi në një proces ku do të kemi një sërë garancish të reja, të cilat jo vetëm që nuk janë pak, por përbëjnë një bazë shumë të mirë për t’u thënë qytetarëve se tanimë ajo çka ka ndodhur nuk do të përsëritet dhe se zgjedhjet e vitit 2013 do t’i fitojmë, pasi vota juaj nuk do të preket”, u shpreh kryetari i Partisë Socialiste. Teksa u ndal në disa nga pikat kryesore që preku reforma zgjedhore, lideri i opozitës tha se pas këtyre ndryshimeve nuk do të përsëritet më fenomeni i blerjes së komisionerëve, si dhe nuk do të ekzistojë më kjo KQZ, e cila në dy zgjedhjet e fundit, sipas Ramës, u kthye në mashë të qeverisë. “Procesi do të jetë i hapur dhe transparent, në raport me një të shkuar ku komisionerët shpeshherë kanë bërë çfarë kanë dashur për arsye korruptive; ku kutitë nuk kanë qenë të hapshme për arsye të fshehjes së provave të manipulimit nga ana e pushtetit; ku KQZ-ja është kthyer në një thertore elektorale dhe ku me listat është bërë një mishmash i neveritshëm që ka kondicionuar procesin zgjedhor”, u shpreh më tej Rama. Sipas tij, të gjitha këto ndryshime që miratoi dy ditë më parë Komisioni i Reformës garantojnë opozitën për një fitore të sigurt në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm. “Adresimi i të gjitha këtyre aspekteve dhe një sërë aspektesh të tjera, besoj se përbën një argument të fortë për ne që t’u drejtohemi qytetarëve me optimizëm dhe t’u themi se tanimë përpara nesh është rruga e fitores. Asnjë forcë, e cila deri dje ka arritur të imponohet në mungesë të transparencës dhe me mekanizma korruptiv, nuk do të mundë të na ndalë dhe fitorja do të jetë e jona në vitin 2013″, përfundoi Rama. Gjatë qëndrimit në Selanik, Rama ka pasur takime të veçanta me liderë të së majtës europiane. Pas zhvillimit të punimeve të Komitetit të Internacionales Socialiste për Europën Juglindore, Rama u shpreh se në qendër të diskutimeve ishin vlerat dhe parimet që duhet të mishërojë e majta e këtij shekulli. Një tjetër temë ku u fokusua komiteti ishte dhe domosdoshmëria e transparencës në proceset demokratike të vendeve të rajonit. “Komiteti i Internacionales për Europën Juglindore përbëhet nga liderët e partive socialiste dhe socialdemokrate të Ballkanit. Sot u mblodh për të diskutuar lidhur me sfidat që kanë të bëjnë me ekonominë, që kanë të bëjnë me shoqërinë, që kanë të bëjnë me demokracinë në rajon dhe që kanë të bëjnë në tërësi me atë çka duhet të mishërojë e majta e këtij shekulli, në një kohë krizash”, theksoi kreu i PS-së.
Gjiknuri: Sistemi zgjedhor, ndryshimin nuk e pranoi PD
Damian Gjiknuri
Bashkëkryetari socialist i reformës zgjedhore, Damian Gjiknuri, tha dje në një intervistë për “Top Channel” se Partia Demokratike pengoi rishikimin e sistemit zgjedhor gjatë mbledhjeve të Komisionit Parlamentar. “Këmbëngulëm që kjo çështje të përfshihet, madje iu ngarkua ekspertëve një detyrë që na jepni një konkluzion në lidhje me sistemin. Mund të them me plot gojë që nuk kishim në përgjithësi dakordësi nga Partia Demokratike, gjë që është thënë publikisht edhe nga Kryeministri Berisha. Çështja e sistemit, në këmbëngulëm fort, dhe mendoj që e ka një derë të hapur”, u shpreh deputeti socialist. Sipas tij, “është Parlamenti që mund të gjejë mekanizma të tjerë, qoftë duke ngarkuar një komision të posaçëm, përfshirë edhe partitë e vogla që nuk janë pjesë e Parlamentit, të marrin në shqyrtim çështjen e sistemit, ta konsultojnë atë nga pikëpamja kushtetuese, sepse disa nga sugjerimet për disa ekspertë patën edhe pretendime të karakterit që mund të mos kenë përputhje me Kushtetutën. Unë them që është mundësia që një komision tjetër, shumë shpejt, me një periudhë të shkurtër zgjedhore, ta adresojë çështjen e sistemit për të gjetur atë balancën e pranueshme dhe me pjesëmarrjen e partive të vogla”.
Ambasadori belg
“Vlerësojmë mbylljen e reformës”
Ambasadori i Belgjikës në vendin tonë, March Michielsen, vlerësoi dje si shumë të rëndësishëm lajmin e mbylljes së reformës zgjedhore nga Komisioni i posaçëm Parlamentar. Në një takim me Kryeministrin Sali Berisha, para se të largohet nga Shqipëria për shkak të mbarimit të mandatit, ambasadori u ndal te përmbushja e 12 prioriteteve. “Kryeministri Berisha e njohu gjithashtu ambasadorin Michie-lsen me punën intensive që po bëhet për përmbushjen e 12 rekomandimeve të Komisionit Europian, si dhe në shumë fusha të tjera. Ambasadori belg vlerësoi shumë të rëndësishëm lajmin për përmbylljen e reformës elektorale, me konsensus të plotë, si dhe i shprehu Kryeministrit vlerësimin për progresin për 12 prioritetet, duke i rikonfirmuar mbështetjen e plotë të Belgjikës për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, thuhet në njoftimin për shtyp.