Rama: Votimi i imunitetit, pas diskutimit të draftit tonë

Sep 3, 2012 | 11:58
Kreu i PS, Edi Rama

Kreu i PS: Nuk kemi kushte, por duam reformë në Drejtësi.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha dje në një konferencë për shtyp se heqja e imunitetit në Parlament do të votohet nga opozita, pasi më parë maxhoranca të pranojë diskutimin e amendamenteve të saj. I kthyer nga një takim i Internacionales Socialiste, kreu i opozitës mbështeti edhe një herë disa propozime të depozituara nga Grupi Parlamentar për ndryshimin e neneve të Kushtetutës që kanë të bëjnë me zgjedhjen me shumicë të cilësuar të gjyqtarëve. “Ne presim të nisë edhe diskutimi për të gjitha ndryshimet kushtetuese që kemi propozuar. Vetëm kështu do t’i hapet rrugë votimit në Parlament edhe për kufizimin e imunitetit brenda muajit shtator përpara gjykimit të tetorit në Bruksel për kandidaturën e Shqipërisë për statusin”, u shpreh Rama. Sipas tij, propozimet e opozitës synojnë reformimin e sistemit të drejtësisë, i cili sot është një nga problemet më të mëdha të qytetarëve. “Kemi propozuar që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë të zgjidhen me 3/5-tat e votave të Parlamentit. Pra, të marrë fund zgjedhja nga një parti e vetme e gjyqtarëve, për më tepër nga një njeri i vetëm, siç ndodh sot, dhe të krijohen kushtet për një konsensus më të gjerë parlamentar në përzgjedhjen e gjyqtarëve të dy gjykatave më të rëndësishme të Shqipërisë. Dua të nënvizoj se kjo nuk është as shpikje e jona, as diktaturë e pakicës, siç e quan në tym Saliu”, u shpreh Rama, teksa iu përgjigj akuzave të shumicës, duke thënë se këto propozime janë marrë nga disa vende të tjera të BE-së. “Këto s’janë aspak kushte për të votuar ose jo kufizimin e imunitetit, po janë një vizion i yni për forcimin e sistemit të drejtësisë përmes një reforme thelbësore kushtetuese. Këto propozime tregojnë qartë se kush jemi ne në raport me Drejtësinë dhe çfarë shteti duam të ndërtojmë. Nëse pala tjetër do t’i votojë, atëherë pa dyshim do të jetë një hap i madh përpara për vendin, për shoqërinë dhe sigurisht edhe për çdo individ të kësaj shoqërie”.

Fushata
“Ne do të jemi këta dhjetë muaj që mbeten, deri ditën e zgjedhjeve, nëpër qytetet e fshatrat e Shqipërisë për të dialoguar për të ardhmen me çdo shqiptar që e do rimëkëmbjen e ekonomisë, ripërtëritjen e shoqërisë, rivendosjen e demokracisë dhe ribashkimin me Europën. Do të dialogojmë me shqiptarët për taksimin e ndershëm, për punësimin real, për nxjerrjen e fshatit nga prapambetja mesjetare”, tha Rama.

Damian Gjiknuri: Ftesa nga Konventa e Demokratëve në SHBA
Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri, është ftuar të marrë pjesë në Forumin e Liderëve Botërorë, që zhvillohet me rastin e Konventës së Demokratëve që mbahet në Sharlot, Karolina e Veriut, në datat 3-6 shtator. Ftesa është bërë nga bordi i drejtuesve të Institutit Kombëtar Demokrat, që kryesohet nga ish-sekretarja e Shtetit, Madalen Allbright. Në këtë aktivitet, që zhvillohet në kuadrin e Konventës, marrin pjesë personalitete të njohura politike apo diplomatike, ndërmjet të cilëve ish-sekretaria Allbright, ish-presidenti Klinton, senatori John Kerry, Nensy Pallosi etj., anëtarë të Kongresit Amerikan, si dhe politikanë të shquar të mbi 100 shteteve të botës. Pas këtij aktiviteti, sekretari për çështjet zgjedhore në PS, Gjiknuri, pritet të udhëtojë në Washington DC për të zhvilluar takime me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, Departamentit të Drejtësisë dhe Departamentit të Mbrojtjes. Në këto takime do të diskutohen çështjet më të mprehta të politikës në vend.

© Panorama.al

Te lidhura