Rama: Vendimi i Kolegjit, pasoja edhe për ekonominë

Jun 1, 2011 | 10:29

Kreu socialist, Edi Rama, tha dje se vendimi i Kolegjit Zgjedhor lidhet drejtpërdrejt dhe me të ardhmen e vendit.Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Rama e cilësoi veprimtari ilegale vendimmarrjen aktuale në KQZ, ndërsa i kërkoi Kolegjit të mos certifikojë manipulimin e votës dhe ndryshimin e rezultatit në tavolinë të zgjedhjeve të 8 majit.
Pjesa e parë e numërimit të votave nga KQZ u shoqërua nga protesta të Partisë Socialiste. Pse i ndërpretë protestat dhe te kush besoni se do të keni garanci për të dhënë drejtësi, ndërkohë që përmendni ndërkombëtarët dhe Prokurorinë?
Protestat para Komisionit Qendror të Vjedhjeve ishin shprehje e një vullneti për të nxjerrë në pah sa më fort atë që po ndodhte për të rritur ndjeshmërinë e të gjithëve në raport me atë që po ndodhte dhe, mbi të gjitha, për të kërkuar në rrugë demokratike zmbrapsjen e asaj që ndodhi. Ndërkohë që sot ne jemi në një proces që lidhet drejtpërdrejt me rrugën ligjore dhe me kërkimin e natyrshëm në këtë rrugë jo të së vërtetës që tashmë dihet nga të gjithë, por të afirmimit të kësaj të vërtete përmes një gjykimi të drejtë, të pavarur dhe të ndershëm. Ndërkohë që sot e gjithë ditën në Komisionin Qendror të Vjedhjeve vazhdon veprimtaria ilegale për të përmbysur rezultatin në tavolinë duke vazhduar hapja e kutive të zgjedhjeve të 8 majit, kuti të cilat, ndryshe nga çdo herë tjetër, kanë dalë nga regjimi i zakonshëm, janë mbledhur pa një vendim, si zakonisht, janë magazinuar pa asnjë monitorim, janë hequr nga survejimi me video që ka qenë një praktikë e konsoliduar deri në zgjedhjet e shkuara, hapen e mbyllen sipas oreksit të grabitësve dhe nuk kanë asnjë lloj legjitimiteti për të nxjerrë që aty çfarëdo sendi që do të mund të përmbyste legjitimisht një rezultat që shqiptarët e panë me sytë e tyre. Është e qartë, Saliu ka bërë zgjedhjen më të gabuar të mundshme për vendin, për qeverinë e tij, për veten e tij, por faturën e kësaj zgjedhjeje të gabuar përsëri po e paguan Shqipëria dhe po e paguajnë shqiptarët. Vendimi i Kolegjit është një domosdoshmëri jo thjesht për të përcaktuar mandatin e Tiranës mbi bazën e rezultatit legjitim që e pa çdo shqiptar dhe bota mbarë, me sytë e miqve e partnerëve të fokusuar në këto zgjedhje, por edhe për të mos rritur koston për vendin e për njerëzit të një procesi të dalë përfundimisht nga binarët përmes vullnetit të mbrapshtë të një njeriu, i cili, për fat të keq, është Kryeministri i këtij vendi, por që kurrë në historinë e tij s’ka pranuar ndonjëherë ndonjë rezultat që e ka nxjerrë humbës, ashtu sikundër nuk fiton dot pa vjedhur kundërshtarin. Në rast se Drejtësia s’jep drejtësi dhe i gjithë ky manipulim monumental në sytë e të gjithëve “legjitimohet”, përmes vulës së padrejtësisë, merret lehtë me mend se si mund të shkojnë punët e demokracisë, e drejtësisë dhe të vetë ekonomisë në këtë vend. Është bërë e qartë për të gjithë shqiptarët se sa e lidhur është liria dhe ndershmëria e zgjedhjeve me fatet e tyre, me fatet e demokracisë, të drejtësisë dhe të vetë ekonomisë.
Ju flisni shpesh për një presion që po ushtrohet ndaj Kolegjit Zgjedhor nga pushteti. Mendoni që ky presion do të ndikojë në vendimin përfundimtar të tyre?
Se në ç’derexhe është katandisur Drejtësia në Shqipëri, ky është një fakt i njohur, sëmundja është e thellë, efektet e saj kanë lënë gjurmë të thella në të gjithë sistemin dhe në mënyrën se si sillet sistemi i Drejtësisë përpara se sa të vinim në këtë çështje e të kërkonim drejtësi nga Drejtësia për këtë çështje. Por, nga ana tjetër, ne jemi të detyruar, nga vizioni ynë për mënyrën se si duhet të shkojnë gjërat në këtë vend, por edhe nga bindja jonë, se në të gjitha rastet rruga ligjore është një rrugë që duhet ndjekur medoemos. Që t’i referohemi Kolegjit Zgjedhor si trupa gjykuese që mund të zgjidhë me nder këtë nyje që rrezikon të kthehet në litar në qafën e vendit, thjesht dhe vetëm se Saliu nuk tërhiqet nga përpjekja e paudhë për të vjedhur mandatin e Tiranës duke përmbysur rezultatin në tavolinë përmes një veprimtarie haptazi të paligjshme, madje kriminale të Komisionit Qendror të Vjedhjeve.
Ju keni pranuar që Kolegji Zgjedhor të ketë dhe konsulencën e Komisionit të Venecias. A tregon kjo mungesë besimi ndaj Drejtësisë dhe Kolegjit Zgjedhor në veçanti?
Jo! Ne kemi pranuar propozimin e bërë bujarisht nga miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë për të ndihmuar procesin me një ekspertizë të kualifikuar ndërkombëtare, në funksion të një vendimmarrjeje sa më solide. Sigurisht, edhe për të ndihmuar trupën gjykuese që të ngrihet profesionalisht mbi të gjitha dallgët e presionit të pushteti që nuk ka asnjë rrugë tjetër përveç se t’i shkojë deri në fund paudhësisë, me shpresën që t’i vërë vulën në thonjëza të një vendimi gjykate, grabitjes së bërë ditën për diell. E, për më tepër, presioni i hapur mbi Kolegjin nga ana e Saliut është i qartë qysh në momentin kur gjykatësit shoqërohen me policë, pa e kërkuar dhe pa pasur asnjë nevojë. Ky është presion, dhe jo garanci, qoftë për gjykatësit, qoftë për një rezultat të drejtë të gjykimit.
Nëse Kolegji nuk do të japë një vendim në favorin tuaj, zoti Ruçi ka lëshuar një apel për revoltë popullore, ndërsa nga ju kemi dëgjuar për protesta. A i mbeteni këtij qëndrimi për të zhvilluar protesta dhe revoltë popullore dhe pse ndërkombëtarët kanë apeluar për qetësi dhe jo veprime të dhunshme?
Unë nuk i heq asnjë presje atyre që ka deklaruar Gramoz Ruçi.
Nëse Kolegji do të japë një vendim në favorin tuaj, cili do të jetë veprimi i parë juaji?
Çdo gjë ka kohën dhe vendin e vet. Sot është koha dhe vendi për të folur për atë që kemi përpara si një stacion shumë i rëndësishëm. E përsëris, jo për t’i dhënë drejtim ligjor, duke i dhënë drejtësi thjesht kësaj çështjeje, por për të përcaktuar se si do të zhvillohet jeta politike dhe shoqërore e vendit në vitet në vijim dhe, pa dyshim, vendimi i Kolegjit është përcaktues edhe për këtë. Ndërkohë ne e kemi pranuar me mirënjohje edhe propozimin për të përfshirë Komisionin e Venecias në ndihmë të Kolegjit Zgjedhor dhe e mirëpresim kontributin e këtij Komisioni prestigjioz, ashtu siç mirëpresim dhe çdo kontribut tjetër për ta ndalur produktin e deformuar dhe deformues të kanibalizmit elektoral.

Basha: Kanibalizëm është të mos numërosh votat

Kandidati demokrat për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, tha dje se mbështet numërimin e çdo vote të hedhur nga qytetarët. Në një konferencë për mediat, Basha e akuzoi Ramën se po bën presione dhe kërcënime ndaj institucioneve. “Rivali im, nga ana tjetër, nuk dëshiron të pohojë se është kundër dëgjimit të zërit të çdo qytetari, kështu që në vend të këtij pohimi ka lançuar një fushatë për të përbaltur procesin dhe për të ushtruar presion dhe bërë kërcënime ndaj institucioneve kushtetuese. Unë nuk kam ndër mend ta ndjek në këtë rrugë. Unë besoj se çdo votë duhet numëruar dhe zëri i çdo qytetari duhet dëgjuar”, u shpreh Basha. Ai tha se, edhe pse është fitues me 77 vota, po pret me durim deri në fund procesin ligjor. “Të gjithë po presim për rezultatin final të garës për Bashkinë e Tiranës, dhe ndonëse aktualisht unë kryesoj me 77 vota, jam i vendosur të pres me durim derisa procesi të përfundojë në mënyrë transparente, të drejtë dhe korrekte, siç ka ndodhur deri tani. Çdo votë për kryetarin e Bashkisë, si votat e hedhura në kutitë e tjera, ashtu edhe ato të kontestuara, qytetarët shqiptarë po i shohin drejtpërdrejt në ekran. Çdo votë është parë dhe numëruar në sytë e të gjithëve, në televizion. Dhe sërish, kundërshtari im dëshiron që ju të mendoni se ka manipulime. Ndërsa thotë kështu, nuk paraqet asnjë provë dhe asnjë fakt. Madje, asnjë komisioner i partisë së tij, direkt i përfshirë në proces, nuk ka ngritur asnjë pretendim ligjor”, u shpreh Basha. Kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës, duke folur për akuzat e Edi Ramës për manipulim të votave në KQZ, tha se nuk është kanibalizëm të shohësh të gjitha votat e hedhura nga votuesit. “Është e rëndësishme të themi se në shqyrtimin që po iu bëhet tani që flasim votave të kontestuara në KQZ, proces që kandidati tjetër e quajti kanibalizëm, ai ka marrë 4 vota më shumë sesa unë. Nuk është kanibalizëm të përfshish votat në këtë proces transparent, pavarësisht se për kë janë hedhur ato. Është kanibalizëm të përjashtosh votat nga procesi. Ne jemi dëshmitarë që asnjë manipulim nuk ka ndodhur dhe deklaratat e kundërta me këtë fakt janë veçse qesharake”, u shpreh Basha.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura