
Grupi Parlamentar socialist diskuton rreth situatës emergjente në Veri.
“Izolim nga dëbora, krizë energjetike e përmbytje”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e fokusoi mbledhjen e Grupit Parlamentar socialist në situatën e krijuar nga dëbora më e fundit në veri, verilindje dhe juglindje të vendit. Rama u shpreh se vendi përballet me tri kriza. “Sot, Shqipëria përballet me koston e trefishtë të shurdhërisë së qeverisë, sepse jemi përballë krizës së izolimit nga dëbora të mijëra familjeve që po ziejnë kokrrat e fundit të misrit, përballë krizës energjetike që ka nisur të ndihet në çdo shtëpi ku fiken dritat me orë të tëra, përballë përmbytjeve të radhës që me këtë dëborë masive janë të pashmangshme”, u shpreh Rama. Sipas kreut socialist, Parlamenti duhet të ndërhyjë me qëllim hartimin e masave konkrete për përballimin e situatave të tilla. “Duhet të ndërhyjë urgjentisht Parlamenti dhe të kërkojë e imponojë masa konkrete financiare nga qeveria. Nesër ne do të bëjmë publik planin tonë afatshkurtër dhe afatmesëm për krizën e dëborës, krizën energjetike dhe krizën e pritshme të përmbytjeve që do të pasojnë. Një grup deputetësh janë ngarkuar me përpilimin e këtij plani, që do ta mbrojmë në seancën parlamentare të së enjtes”, u shpreh kryesocialisti. Sipas tij, maxhoranca dhe opozita duhet të miratojnë në Parlament një plan masash për të përballuar situatën aktuale. “Plagët që dëbora po hap aty kanë goditur fort, do të duan një plan të posaçëm shërimi dhe ne jemi gati të japim kontributin tonë. Do të votojmë në Parlament çdo masë imediate për përballimin sot për sot të krizës dhe duam po ashtu që Parlamenti të marrë masa edhe për kurimin

afatmesëm e afatgjatë të plagëve të hapura nga kjo krizë. Qeveria duhet të dëgjojë. Shurdhëria nuk është plan, po kosto që rritet, nëse qeveria zgjedh të mbyllë veshët e të hapë vetëm gojën për të sulmuar opozitën”, u shpreh Rama. Por mbrëmë, në Twitter Edi Rama reagoi pas deklaratave të Kryeministrit Berisha në mbledhjen e Komitetit të Emergjencave Civile. “Duhet një plan që ne e kemi, duhet një vullnet për bashkëpunim që ne e kemi, por duhet dhe një qeveri normale që vendi nuk e ka! Do bëjmë tonën! Për Kryeministrin kështu është gjithë Europa, po në fakt askund si në Shqipëri nuk vuajnë me dhjetëra-mijëra familje të braktisura në mëshirën e fatit. PS ka informacion nga çdo zonë, ka njerëzit në ndihmë të çdo zone, ka plan konkret për krizën që thellohet, teksa Kryeministri jeton në arrati logjike. Asnjë transparencë, asnjë informacion, asnjë plan për krizën, vetëm blozë dëshpërimi mbi opozitën për të mbuluar dëborën që mban peng vendin. Kryeministri u kreh përsëri në televizor duke sharë opozitën, teksa Shqipëria vazhdon digjet nën dëborë e braktisur nga shteti i shthurur prej tij!”, shkruan Rama në adresën e tij.
Deputetët e PS
Deputetët socialistë të zonave të bllokuara nga dëbora kanë raportuar para Grupit Parlamentar situatën më të fundit. Qemal Minxhozi, Asllan Dogjani, Alfred Dalipi, Paulin Sterkaj, Fidel Ylli e Tom Doshi dhanë një pasqyrë të situatës së komunave të bllokuara, emergjencave shëndetësore dhe mungesës së shtetit për të ndihmuar banorët e këtyre zonave. “Mosmarrja e masave në kohën e duhur nga ana e strukturave të shtetit ka bërë që 14 komuna të jenë të bllokuara. Janë të bllokuara akset që lidhin qendrën e qytetit me komunat”, u shpreh Dogjani.
Reagimi i PD
Partia Demokratike reagoi pas deklaratës së kryetarit të PS-së, Edi Rama, në mbledhjen e Grupit Parlamentar socialist. Zëdhënësja e PD-së, Albana Mustafaraj, deklaroi në një konferencë për mediat se “Rama qan me lot gëzimi problemet e krijuara nga fatkeqësia natyrore e dëbora masive në mbarë vendin.” “Si në të gjitha rastet e fatkeqësive natyrore, të përmbytjeve, njeriu që dikur bënte grevë urie për të bllokuar liberalizimin e vizave për të gjithë shqiptarët, këto ditë duket se fërkon duart e hedh lot krokodili, duke shpresuar se do të mundë të nxjerrë përfitime politike nga një fatkeqësi natyrore që ka pllakosur jo vetëm Shqipërinë, por edhe të gjithë Europën”, tha ajo.
Moti
Paraditja e sotme parashikon një mot favorizues në të gjithë vendin, me gjithë temperaturat e ulëta. Sipas Meteoalb, në mesditë do të ketë shtim vranësirash, të cilat do të rrezikojnë reshje shiu e dëbore. E njëjta situatë parashikohet dhe gjatë së enjtes, kur parashikohen reshje të pakta të dëborës. Sinoptikanët flasin për një mot të ftohtë paktën deri më 20 shkurt, çka do të thotë që në vendet me borë do të krijohet akull.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











