
Kreu i Partisë Socialiste i ka bërë edhe njëherë publikisht thirrje kryeministri Sali Berisha që t’i lerë në këtë moment akuzat, shpifjet dhe gënjeshtrat apo fjalimet me dokrra për arritjet e tij imagjinare, pasi është koha e konsensusit për Presidentin, që garanton unitetin e popullit, e betejës së ideve për Shqipërinë që duam për prindërit dhe fëmijët tanë, dhe jo koha e luftës ndaj opozitës.
Gjatë një komunikimi të shkurtër me gazetarët, kreu i PS-së tha se “deklarata më e fundit e komisionarit Fule dhe vizita e sotme e ministrit danez të çështjeve evropiane tregojnë qartë se jemi në një moment kur miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë po bëjnë gjithçka për të na ndihmuar në emër të interesave të vendit tonë dhe familjes evropiane, të cilët kërkonjë t’i ndihmojmë me rezultate konkrete.”
Rama tha se është i shqetësuar, pasi sipas tij, koha nuk pret, dhe mesazhet e tyre po bien në veshët e shurdhët të qeverisë.
“Berisha nuk po shfaq asnjë shenjë vullneti për të vënë interesat e vendit mbi ato personale. Nuk po reflekton në asgjë dhe për asgjë. Ky moment historik për Shqipërinë përballë udhëkryqit të zgjedhjes së Presidentit, dhe të provimit të madh të vjeshtës e imponon reflektimin e krejt klasës politike shqiptare, dhe të kryeministrit në rradhë të parë.”- tha Rama.
Ramë theksoi se reforma zgjedhore duhet të mbyllet para 24 majit, pasi në të kundërt rrezikohet statusi, ndërsa shtoi se ky është momenti për të ndarë interesat e palëvë nga interesat publike të shqiptarëve si palë e interesuar.
Kryeministri po bën shurdhin ndaj kërkesës sonë për dialog për zgjedhjen e Presidentit, tha kryesocialisti, duke shtuar se opozita kërkon një President për të gjithë shqiptarët, ndërsa kryeministri për vetën.
Sipas tij nuk mund të sakrifikohen interesat kombëtarë, vetëm e vetëm se kryeministri kërkon me çdo kusht të bëjë të tijtë edhe Presidentin, Prokurorin e Përgjithshëm , KLD-në, Shërbimin Informativ Kombëtarë dhe Komandantin e Forcave të Armatosura.
© Panorama.al











