TIRANE- Kreu i Partisë Socialiste u sugjeroi sot të rinjve në Shqipëri që të merren me politikë, pasi vetem duke e marre me te mund ta ndryshojne.
Gjatë një takimi me aplikantët e Akademisë Politike të PS-së, Rama shprehu entuziazmin e tij për numrin e madh të pjesëmarrësve, duke shtuar se, pavarësisht rolit shkurajues me premtimet e pambajtura, baltën dhe pisllekun që ka mbuluar politikën nga ata që i paraqiten shoqërisë si politikanë, numri aplikantëve është shumë i madh.
“Politika nuk ka munguar të japë shembullin e keq, mësimin e gabuar, modelin më të mbrapshtë. Unë dua vetëm t’ju them se pa ndryshuar politikën, asgjë nuk do të ndryshojë për ju në mjedisin e përbashkët. Pa ndryshuar politikën askush prej jush nuk mund ta ndryshojë realitetin e vështirë, shpesh herë të padurueshëm në të përditshmen tonë, në shkollë, komunitet etj.”- tha Rama.
Më tej kreu socialist, u tha të rinjve se politika nuk është ajo që shohin përditë, ajo gjeja pa shije që ju zhgënjen dhe ju neverit me shterpësinë, por përkundrazi politika është diçka, fisnike dhe e aftë për të prodhuar transformime.
“Kam dëgjuar shpesh, fatkeqësisht edhe shumë të rinj që thonë se nuk merremi me politikë, apo më keq shumë, mos t’ia shohim bojën politikës. Gabim, sepse politika merret përditë me ju, dhe me secilin se mendon se i shpëton duke mos u marrë me të. Sa më pak të merreni me politikë, aq më shumë do t’i vuani gabimet e saj.”- tha kryesocialisti.
© Panorama.al











