Kreu socialist flet para të rinjve, në nisjen e kursit të dytë të Akademisë Politike
“Kjo që shihni përditë s’është politikë, por batakçillëk”
Kryesocialisti ftoi dje të rinjtë të bëhen pjesë e programit të Partisë Socialiste për ndryshim. Duke folur në nisjen e kursit të dytë të Akademisë Politike të Partisë Socialiste, Rama u kërkoi të rinjve të përgatiten për të qenë të gatshëm për të marrë në dorë politikën. “Jini vetja. Hidhuni në betejë me besimin te vetja. Bëjeni veten tuaj një forcë të ndryshimit që meritoni dhe që do ta mbërrini vetëm duke e bërë të ndodhë me forcën tuaj të bashkuar me tonën e të gjithkujt që beson se meriton një vend më të mirë për të jetuar. Kështu, ndryshimi do të vijë me të gjithë fuqinë e vet. Edhe koha e ndërrimit të stafetave do të vijë, pa dyshim. Bëjeni të mundur që ajo t’ju gjejë në vendin e duhur për të realizuar ambiciet tuaja politike”, u shpreh Rama. Akademia Politike e PS është një nismë e përbashkët e fondacionit “Qemal Stafa” dhe “Friedrich Ebert”. Drejtues i Akademisë Politike të PS është anëtari i Asamblesë Kombëtare, Maqo Lakrori. Kryesocialisti vlerësoi numrin e madh të të rinjve të interesuar për t’u bërë pjesë e Akademisë, ndërsa i ftoi ata të futen në garë mes tyre. “583 aplikantë janë një numër fantastik, të cilin askush s’e priste, por janë edhe një barrë e madhe për komisionin përzgjedhës, i cili duhet të kualifikojë thuajse më pak se një në njëzet aplikantë. Dëshiroj t’u them të gjithë atyre që s’do të jetë mundësia t’u jepet e drejta për të hyrë në këtë akademi, se nuk duhet të trishtohen. Politika është edhe kjo. Është garë. Është konkurrencë e fortë. Është seleksionim i pamëshirshëm”, u shpreh Rama. Sipas tij, një në 20 të interesuar do të jetë pjesë e kësaj akademie. Rama u tregoi të rinjve arsyet pse ata duhet të angazhohen me politikën. “Të merresh me politikë do të thotë të bësh të mundura, bashkë me të tjerët, gjëra që sot i vetëm askush s’i bën dot të mundura në mjedisin ku jeton. Për këtë ka lindur politika”, u shpreh kryesocialisti. Sipas kreut të PS, politika shqiptare nuk është shembulli i mirë që duhet ndjekur, por ekzistojnë mundësitë që ajo të ndryshojë imazh. “Por, – tha Rama, – nuk duhet të tërhiqemi, pasi gjenerata e re mund të kthejë besimin për një politike fisnike. Sot, pa ndryshuar politikën, asgjë tjetër nuk ndryshon dot, për ju dhe të gjithë ju. Për realitetin e vështirë dhe të padurueshëm, në shtet, punë, lagje e Shqipërinë ku jetojmë. Pa ndryshuar politikën, gjeneratat tuaja dhe më të mira nuk do gjejnë sot vendin që meritojnë në bashkësinë e lirive të popujve europianë. Ju shpreh bindjen time se politika nuk është kjo që shihni përditë dhe pa shije dhe neveritë pa pushim me batakçillëkun e saj. Ju them se politika në vetvete është fisnike dhe ka mundësitë për të bërë transformime, ashtu siç ka bërë te njerëzimi”, u shpreh Rama.
Rregullorja e Kuvendit, Bushati: Votim i fshehtë për dekretet
Ditmir Bushati
Edhe pse Komisioni për Reformën Parlamentare ka zhvilluar vetëm një mbledhje, PS i ka të qarta çështjet që synon të zgjidhë bashkë me maxhorancën deri në mars. Për Ora News deputeti Ditmir Bushati rendit pretendimet për të cilat opozita do të synojë të arrijë kompromis me PD-në. “Ka disa çështje, për shembull votimi i dekreteve të Presidentit për krerët e institucioneve. Sot ka një paradoks, për emërimet e qeverisë kryhet votim i fshehtë, ndërsa për emërimet e Presidentit votimi është i hapur. Ne duam të kthehet votimi i fshehtë, siç e parashikon edhe rregullorja e PE. Mendoj se disa çështje të tjera që do arrihet dakordësi janë masat disiplinuese për deputetët, kompozimi i Konferencës së Kryetarëve, rritja e transparencës së Parlamentit”, u shpreh Bushati. Për bashkëkryetarin e Komisionit të posaçëm të Kuvendit për Reformën Parlamentare, ka disa pika ku maxhoranca dhe opozita janë ende larg kompromisit. “Me keqardhje konstatoj se për disa çështje që kanë të bëjnë me votimin, me kontrollin parlamentar ndaj institucioneve të Ekzekutivit, për reformën buxhetore ka një bllokadë nga PD. Këtu hyn edhe 60 minutëshi i diskutimit të lirë”, u shpreh ai. Për socialistët është e rëndësishme që reforma parlamentare të mos shihet si lëshim ndaj opozitës dhe që me asistencën ndërkombëtare të dilet me një dokument final që respekton rekomandimet e KE. Nënkryetari i Kuvendit, dhe anëtar i Komisionit për Reformën Parlamentare, Namik Dokle është shprehur pak ditë më parë se problematikat e listuara janë reflektim i shqetësimeve të ngritura nga opinioni i Komisionit Europian në 2010-n. “Të gjitha propozimet që ka bërë PS janë ballafaquar me Rregulloren e Parlamentit Europian. Natyrisht që do të jemi të hapur dhe sigurisht që do të ketë edhe propozime të tjera”, është shprehur Dokle.