Rama: Ta largojmë rininë nga bingot e lotot

Feb 25, 2012 | 13:32

Tryeza e PS për sportin

PS mbledh tryezën e programit për çështjet e zhvillimit të sportit në Shqipëri.

“Do motivojmë sportistët, në 2011 po largohen si në ‘91”

Partia Socialiste organizoi dje pasdite tryezën e programit të saj për çështjet e sportit. Kreu i grupit të punës të Asamblesë Kombëtare për detajimin e programit të PS-së për çështjet e sportit, Fidel Ylli, paraqiti platformën e zhvillimit të sportit në Shqipëri në të ardhmen. Në fjalën e tij kreu socialist, Edi Rama, kërkoi që programi për një “Rilindje shqiptare” duhet të nxisë rininë të merret me sport dhe ta largojë atë nga lotaritë, bilardot apo alkooli. “Një kampion bote në një zonë të tillë Shqipëria mund ta nxjerrë në peshëngritje, mund ta nxjerrë në mundje, por ama nuk ka nxjerrë thjesht një kampion bote. Ka nxjerrë një shembull përpara një brezi të ri të humbur në ato territore për t’u treguar të gjithëve se ka edhe një mundësi tjetër përveç bilardos, lotos, alkoolit, bingos apo arratisë në drejtim të paditur për një copë bukë. Ashtu sikundër s’ka asnjë dyshim se Shqipëria nuk mund të konkurrojë për të fituar Kupën e Botës në futboll, por ama Shqipëria mund të kultivojë përmes futbollit dhe përmes disa sporteve të tjera lojërash me dorë, një kulturë e cila do të ndihmonte në mënyrë të jashtëzakonshme mirërritjen e komuniteteve të vogla në klasa, në shkolla, në qytete deri te bashkësia e madhe shqiptare”, u shpreh Rama. Kreu socialist vërejti me shqetësim mungesën e motivimit të sportistëve të talentuar, të cilët sipas tij ende vazhdojnë largohen nga vendi dhe konkurrojnë me ngjyrat e shteteve të tjera. “Në vitin 1991, kur rrugët u hapën dhe kur shumë talenteve iu dha mundësia që në këto rrugë të gjenin edhe rrugën e afirmimit të tyre në nivel botëror, disa djem, një ndër të cilët e kemi këtu që është një kampion bote, një kampion i madh, Luan Shabani, të lindur në shtëpi të varfra shqiptare, me një talent të jashtëzakonshëm brenda vetes dhe vetëm për shumë pak që nuk e gjetën dot në vendin e tyre u detyruan që ta gjejnë nën një flamur tjetër. Pa u menduar gjatë dhe në mënyrë barbare shumëkush u rend t’i quajë tradhtarë. E në qoftë se do ta quanim këtë një kapitull të mbyllur që lidhet me një moment turbullire të përgjithshme, e ndokush do të donte t’i amnistonte këta tradhtarë të vërtetë, jo vetëm të sportit, por në tërësi të shoqërisë shqiptare, si ka mundësi që në vitin 2011 një djalë tjetër shqiptar, një tjetër talent i atyre përmasave, i cili nuk ishte më në kohën e kaosit dhe të turbullirës, por ishte në sytë e të gjithëve”, u shpreh Rama. Kreu i PS-së, Edi Rama, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se sportet duhet të bëhen pjesë e “Rilindjes shqiptare”. “Në rast se sporti është kulturë demokratike, nuk ka mundësi që në një vend demokratik përcillet imazhi më i marrë që i vjen para syve, të ketë dhunën e përjavshme në stadiume. Në rast se sporti është kulturë qytetare, nuk ka mundësi që imazhi i parë që vjen në mend kur mbyll sytë është sesi përjetojmë realitetin, është mungesa e qytetarisë dhe duke parë sportin si kulturë, padyshim ka një mijë e një arsye për t’u dorëzuar përpara këtij realiteti. Për të thënë që është e pamundur që ta lindim sportin shqiptar, ta bëjmë pjesë të “Rilindjes shqiptare”. Por, nga ana tjetër, sporti është dhe një instrument, dhe ndoshta një nga instrumentet më efikase për ta zhvilluar këtë rilindje shqiptare, që është dhe emri që ne i kemi vënë vizionit tonë. Është një instrument për të afruar njerëzit duke stimuluar zhvillimin individual, në komunitet e kombëtar”.

Platforma e PS për sportin
.    Krijimi i kulturës sportive dhe masivizimi i sportit

.    Marrja me sport duhet të fillojë që të vegjël dhe jo më vonë

.    Krijimi i klasave zinxhir sportive për të furnizuar sportin vazhdimisht me talente të rinj

.    Nxitja dhe motivimi i sportit në ato zona që kanë në traditë disiplina të caktuara që kanë sjellë dhe medalje

.    Ngritja e një komisioni anti-dopingu, që të ruajmë dhe kontrollojmë rezultatet sportive

.    Mbështetja e biznesit për të investuar në sport

.    Alternimi i sportit me zhvillimin e turizmit, ngritja e resorteve për ski në ato zona që kanë reshje konstante dëbore

Ylli: Program i ri për sportin
Kreu i grupit të punës që merret me çështjet e sportit të programit të PS, Fidel Ylli, prezantoi programin e PS mbi sportin. Sipas tij, sporti duhet parë si faktor shëndeti. “Ne nuk e shohim në këtë prizëm sportin. Në rast se do merreshim më shpesh me sport, do të kishim më pak sëmundje. Marrja me sport duhet të fillojë që të vegjël dhe jo më vonë”. Fidel Ylli theksoi gjithashtu dhe dhunën në futboll. “Ky është një turp i madh. Polici rreh arbitrin, futbollistët policinë. Programi ynë nuk e lejon më këtë”. Më tej, Fidel Ylli gjithashtu shtroi idenë e ngritjes së një komisioni anti-dopingu. “Drogat janë të palejueshme dhe në sportet tona ato nuk i monitoron kush”.

© Panorama.al

Te lidhura