Rama: Të adresohet vjedhja e zgjedhjeve, gati për reformat

Jul 21, 2011 | 10:00

Kreu socialist, Edi Rama, përmes një letre dërguar Katrin Ashton dhe komisionerit Stefan Fyle shpreh gatishmërinë e opozitës për reformat integruese. Një ditë pas deklaratës së përbashkët të përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme, Ashton, dhe komisionerit Fyle në Bruksel, Rama përshëndet frymën e saj, por u kërkon atyre që të adresohen zgjedhjet e 8 majit dhe manipulimi i tyre.”Ne jemi të bindur se e vërteta e hidhur e këtij procesi pa standarde, ku fitorja e opozitës u grabit ditën për diell dhe administrata zgjedhore, KQZ-ja e Kolegji Zgjedhor manifestuan brutalisht mungesën e rendit ligjor në Shqipëri, duhet adresuar pa ekuivok, jo për të ndryshuar tanimë rezultatin e gënjeshtërt të Tiranës, por për të hapur rrugën e një dialogu serioz dhe ndërtuar qasjen e duhur ndaj së ardhmes”, shprehet Rama në letrën e tij. Duke nënvizuar reformat që i duhen vendit për integrimin europian të vendit, Rama shprehet se opozita do të bëjë detyrën e saj për të përmbushur reformat që duhet të prekin shumë aspekte të veprimtarisë së shtetit shqiptar. “Përfitoj nga rasti t’ju siguroj se opozita shqiptare do ta luajë rolin që sot i dikton sfida e Integrimit Europian të Shqipërisë me vetëdijen e urgjencës së nënvizuar prej jush lidhur me reformat esenciale që i duhen vendit në aspektin kushtetues, zgjedhor e institucional, përfshirë edhe një reformë të thellë parlamentare. Duke ju siguruar se tek opozita shqiptare do të gjeni vijimësisht një përfaqësues të denjë të aspiratës europiane të popullit shqiptar dhe duke ju garantuar po ashtu se 12 prioritetet e përcaktuara prej Komisionit Europian janë edhe prioritete të axhendës sonë, lejomëni t’ju shpreh konsideratat e mia më të larta për punën tuaj fisnike”, shprehet kreu socialist në letrën e tij. Pa e hequr fokusin e tij nga zgjedhjet e 8 majit, kryesocialisti shprehet se pret raportin e OSBE-ODHIR për të parë dhe pikat se ku duhet të ndërhyet më tej në përmirësimin e zgjedhjeve të ardhshme. “Ne presim me besim të plotë të lexojmë konstatimet dhe rekomandimet e raportit final të OSBE-ODIHR-it. Po ashtu, mbështesim pa asnjë rezervë nismën e sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës për të pyetur Komisionin e Venecias lidhur me mënyrën se si Shqipëria mund të shmangë situata të ngjashme, me atë që fatkeqësisht ndodhi në zgjedhjet e turpshme të Tiranës. Përfitoj nga rasti t’ju siguroj se opozita shqiptare do ta luajë rolin që sot i dikton sfida e integrimit europian të Shqipërisë, me vetëdijen e urgjencës së nënvizuar prej jush, lidhur me reformat esenciale që i duhen vendit në aspektin kushtetues, zgjedhor e institucional, përfshirë edhe një reformë të thellë parlamentare”, shprehet Rama. Sipas tij, zgjedhjet e 8 majit treguan dobësitë e shtetit të së drejtës në Shqipëri. “Për fat të keq, zgjedhjet vendore të 8 majit 2011 e përkeqësuan më tej situatën politike. Ato nxorën në pah mosfunksionimin e Administratës së Lartë Zgjedhore dhe të vetë Shtetit të së drejtës, si edhe rrezikuan shumë seriozisht një shans tjetër për vendin tonë në rrugën e vështirë të demokratizimit e të integrimit europian”, shprehet Rama në letrën e tij.

Letra e Rames

Partia Socialiste e Shqipërisë Kabineti i Kryetarit
Tiranë, 20 Korrik 2011

Catherine Ashton
ZëvendësPresidente e Komisionit Europian dhe Përfaqësuese e Lartë e BE për Politikën e Jashtme

Stefan Fule
Komisioner për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë

E nderuar Baronesha Ashton dhe i nderuar Komisioner Fule,
Lejomëni për së pari t’ju shpreh mirënjohjen time për gjithçka keni bërë për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën e integrimit europian dhe për përfshirjen Tuaj bujare e të pandërprerë në përpjekjen e vështirë të kapërcimit të krizës politike në Shqipëri, e cila e ka gjenezën në zgjedhjet e deformuara të 28 qershorit 2009.
Për fat të keq, zgjedhjet vendore të 8 majit 2011 e përkeqësuan më tej situatën politike. Ato nxorën në pah mosfunksionimin e administratës së lartë zgjedhore dhe të vetë shtetit të së drejtës, si edhe rrezikuan shumë seriozisht një shans tjetër për vendin tonë në rrugën e vështirë të demokratizimit e të integrimit europian.
Në emër të opozitës Shqiptare, dëshiroj t’ju falënderoj sot shumë sinqerisht për vëmendjen e posaçme me të cilën Ju i ndoqët këto zgjedhje të fundit në Shqipëri dhe veçanërisht për shprehjen e qartë publike të shqetësimit për zhvillimin aspak normal të procesit zgjedhor në Tiranë.
Ne jemi të bindur se e vërteta e hidhur e këtij procesi pa standarde, ku fitorja e opozitës u grabit ditën për diell dhe administrata zgjedhore, KQZ-ja e Kolegji Zgjedhor, manifestuan brutalisht mungesën e Rendit Ligjor në Shqipëri, duhet adresuar pa ekuivok jo për të ndryshuar tanimë rezultatin e gënjeshtërt të Tiranës, i cili njësoj si në 2009-n, u vulos nga një gjykatë zgjedhore aspak e pavarur, po për të hapur rrugën e një dialogu serioz dhe ndërtuar qasjen e duhur ndaj së ardhmes.
Pikërisht në emër të së ardhmes unë ndaj me ju, pikë për pikë, gjithë sa shkruhet në deklaratën tuaj të përbashkët.
Ne presim me besim të plotë të lexojmë konstatimet dhe rekomandimet e raportit final të OSBE/ODHIR-it. Po ashtu mbështesim pa asnjë rezervë nismën e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës për të pyetur Komisionin e Venecias lidhur me mënyrën se si Shqipëria mund të shmangë situata të ngjashme me atë që fatkeqësisht ndodhi në zgjedhjet e turpshme të Tiranës. Faleminderit edhe për nxitjen e kësaj nisme.
Përfitoj nga rasti t’ju siguroj se opozita shqiptare do ta luajë rolin që sot i dikton sfida e integrimit europian të Shqipërisë me vetëdijen e urgjencës së nënvizuar prej jush, lidhur me reformat esenciale që i duhen vendit në aspektin kushtetues, zgjedhor e institucional, përfshirë edhe një reformë të thellë parlamentare.
Duke Ju siguruar se tek opozita shqiptare do të gjeni vijimisht një përfaqësues të denjë të aspiratës europiane të popullit shqiptar dhe duke Ju garantuar po ashtu se 12 prioritetet e përcaktuara prej Komisionit Europian janë edhe prioritete të axhendës sonë, lejomëni t’ju shpreh konsideratat e mia më të larta për punën Tuaj fisnike.

Edi Rama
Kryetar
Sinqerisht Juaji

Ngjela

Spartak Ngjela paralajmëroi dje nisjen e demonstratave. “Opozita konstaton se që prej dy vjetësh, duke filluar që nga zgjedhjet e vitit 2009, grabitja e tyre dhe përplasja shoqërore në Shqipëri deri në ditët e sotme, gjendja shoqërore këtu ka rrëshqitur në një fashizëm oriental. Në funksion të kësaj, ne e konceptojmë gjendjen si një errësirë institucionale, e cila brenda një gjendje të tillë arbitrare dhe agresive duhet ndryshuar me forcën e opinionit publik dhe rivendosja e demokracisë është e vetmja rrugë”, tha Ngjela.

Koçi

Kreu i PSV91, Petro Koçi, nisur nga qëndrimi i BE-së, kërkoi dje nga klasa politike nisjen e menjëhershme të reformave. “Reforma kushtetuese duhet të shoqërohet nga reforma zgjedhore dhe reforma të tjera, por nëse duam të garantojmë ndryshimin europian të Shqipërisë, duhet t’ia rifillojmë
nga Kushtetuta. Na duhet një qeveri kushtetueshmërisht më e kontrollueshme, një President më i pavarur nga presionet e maxhorancave, një Parlament që përfaqëson më drejtpërdrejt vullnetin e zgjedhësve dhe
pushtete të balancuara”, u shpreh Koçi.

Bushati: Kërkojmë garanci nga të huajt

Partia Socialiste kërkon garanci nga faktori ndërkombëtar. Deputeti socialist, Ditmir Bushati, tha dje se opozita do të jetë në shtator në Parlament dhe do të japë kontributin e saj për të garantuar që do të ketë rezultate konkrete për reformat. “Nuk përjashtohet pjesëmarrja në të gjitha komisionet dhe nivelet ku roli i opozitës është i patjetërsueshëm dhe i pazëvendësueshëm. Dialog për dialog nuk do të ketë, por do të duhet të ketë një proces të shëndetshëm demokratik, që do të garantohet nga ata që e kanë mbështetur demokratizimin e Shqipërisë në vite dhe e kam fjalën për partnerët ndërkombëtarë, për trojkën që ka qenë shumë pranë zhvillimeve në Shqipëri gjatë viteve”, tha Bushati. Ndërkohë, po dje, ministrja e Integrimit, Bregu, uroi që opozita t’i mbetet qëndrimit të saj më të fundit për t’u bërë pjesë aktive në Parlament duke votuar ligje që janë kusht për procesin integrues.

LSI: Rama të kuptojë interesat e vendit
Edi Rama duhet që të kuptojë se interesat europiane të vendit nuk janë të lidhura me karrigen e kryetarit të Partisë Socialiste, por janë të lidhura me interesat e qytetarëve të vendit. Kështu pohoi gjatë një konference për shtyp, Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama. Sipas tij, “është e rëndësishme që edhe lidershipi i Partisë Socialiste të kuptojë që nuk mund të vazhdojë ta mbajë PS-në jashtë kontributeve pozitive dhe ta detyrojë të prodhojë negativitete në dëm të interesave kombëtarë, në dëm të interesave europianë të vendit”. Duke theksuar më tej se “ndjesa më e mirë është marrja e përgjegjësive konkrete për atë që ka bërë, pasi veprimi i papërgjegjshëm i Edi Ramës nuk është se dëmtoi vetëm interesat e Partisë Socialiste.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura