
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është takuar dje në Bruksel me zv.presidentin e Parlamentit Europian, Miguel Angel Martinez. Përfaqësuesi i lartë i Parlamentit Europian ka parë dhe ekspozitën “Euro-Albanian Contacts” me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, e cila pritet të hapet sot në ambientet e Parlamentit Europian. “Ekspozita që keni sjellë, është e shkëlqyer në veçanësinë e saj dhe e tregon bukur Shqipërinë”, është shprehur Martinez kur ka parë ekspozitën. Ekspozita “Euro-Albanian Contacts” e organizuar nga Partia Socialiste u hap dje pasdite në ambientet e Parlamentit Europian ne Bruksel. Kuratorët e ekspozitës, Artan Shkreli dhe Artan Lame, u shprehën se kjo “është ekspozita e parë e këtij lloji që paraqet kartografinë e trojeve arbërore në shekuj”. Ekspozita paraqet rreth 50 harta të trojeve arbërore të një harku kohor prej 17 shekujsh. Pjesa më e madhe e këtyre hartave shfaqen për herë të parë në një ekspozitë dhe në javët e ardhshme do të ekspozohen edhe në Shqipëri. Gjithashtu në këtë ekspozitë do të shfaqen edhe rreth 100 botime europiane që flasin për Shqipërinë, turizmin dhe kulturën shqiptare.











