Rama: Sulme barbare ndaj Ina Ramës dhe Prokurorisë

Feb 5, 2012 | 11:15
Rama në Austri

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi dje se qeveria po bën presion për të penguar Prokurorinë e Përgjithshme të zbardhë ngjarjet e 21 janarit. Kreu i opozitës i ka cilësuar si barbare sulmet e maxhorancës ndaj kryeprokurores Ina Rama. Në forumin e debatit të organizuar në Vjenë, “EU-Betueen Me and You”, Rama i është përgjigjur dhe interesimit të të pranishmëve për ekspertizën e FBI-së për katër vrasjet e ndodhura janarin e vitit të shkuar. Komandanti i Gardës, sipas Ramës, nuk ka zbatuar ligjin dhe është shkaktar për vrasjen, pasi ka tentuar të fshehë provat e krimit. “Nëse paskan zbatuar ligjin, pse ndërrojnë tytat?! Pse i fshijnë provat në serverin e Kryeministrisë?! Dhe pse pengojnë në mënyrë konstante hetimin duke bërë presione barbare ndaj Prokurorisë dhe personalisht ndaj prokurores së Përgjithshme?!”, u shpreh Rama.
Angazhimi
Kreu i opozitës, para panelit të të ftuarve, ka paraqitur vizionin e Partisë Socialiste për sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Angazhimi i socialistëve, sipas Ramës, është krijimi i të gjitha kushteve dhe mundësive që Drejtësia, sistemi gjyqësor dhe Prokuroria të kenë mundësi të bëjnë punën e tyre si institucione të pavarura. “Në radhë të parë duke qeverisur në mënyrë të drejtë, duke mos e përdorur fuqinë e pushtetit për të bërë padrejtësi, për të tjetërsuar pasuri kombëtare në funksion të njerëzve të qeverisë apo të klientëve të qeverisë, për të tjetërsuar prona që u takojnë qytetarëve në funksion të ortakëve në biznes të pushtetarëve për ta trajtuar qeverinë si një pronë dhe si një oborr ku çdo gjë është e mundur, por për shqiptarët jashtë oborrit çdo gjë është e pamundur. Ky është vizioni im”.
Çështja e pronave
Çështja e pronave ka qenë një nga pikat ku shefi i opozitës është ndalur, duke rikonfirmuar se në programin e PS-së për “Një Rilindje Shqiptare”, për Partinë Socialiste nuk ka ish-pronarë, por vetëm pronarë të ligjshëm. “Ne jemi shprehur shumë qartë për zgjidhjen e problemit të pronës, duke filluar që nga fakti se ne nuk i konsiderojmë ish-pronarë, por pronarë. Vetë koncepti ish-pronarë është një koncept që për ne i takon së shkuarës. Ne jemi angazhuar solemnisht për zgjidhjen e problemit të pronës, sepse problemi i pronës dhe zgjidhja e tij nuk është as e majtë, as e djathtë, por është një çështje që lidhet me drejtësinë, mbi të cilën duhet të ngrihet e gjithë bashkëjetesa shoqërore”, pohoi Rama.

Kurbani
Kryetari i Partisë Socialiste ka promovuar në Vjenë, librin e tij “Kurban”. Shumë shqiptarë të ardhur nga qytete të ndryshme të Austrisë, si dhe një numër i konsiderueshëm të ftuarish austriakë, janë mbledhur në “House of the European Union” për të marrë pjesë në debatin “EU-Betueen Me and You”. Pas përfundimit të diskutimeve krysocialisti Rama, ka shfrytëzuar rastin për të autografuar librin Kuran, për emigrantë që jetojnë dhe punojnë në Austri.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura