Rama: S’na pranon BE pa reformuar drejtësinë

Feb 1, 2012 | 18:50

“Barazia para ligjit është kthyer në një utopi, ashtu sikundër kultura e pandëshkueshmërisë, është kthyer në një normë” Kështu u shpreh kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama në Tryezën e Drejtësisë nga Grupi i Punës për Shtetin e së Drejtës.

Në fjalën e tij kryesocialisti tha se  Shqipëria ka patur më shumës se një provë për ketë dhe se kjo normë po e mban vendin larg standardeve evropiane.

“Si është e mundur që Bashkimi Evropian  të mund të pranojë në gjirin e vet një vend, ku pushteti ekzekutiv sulmon ne një mënyrë të tillë barbare Prokurorinë, dhe ku prokurorja kthehet në shënjestër për të penguar medoemos daljen e së vërtetës lidhur me një ngjarje tragjike. Si mundet që BE të mund të pranojë një vend në gjirin e saj, ku për të penguar të vërtetën lidhur me një ngjarje që implikon ata, qeveria pengon hetimin, fshin provat, bën çmos për të devijuar të vërtetën. Është e pamundur që ne të pretendojmë se BE mund ta pranojë Shqipërinë në gjirin e vet teksa barazia para ligjit dhe vetë funksionimi i sistemit të drejtësisë përbëjnë një nga problemet më të rënda për jetën e përditshme.”- tha Rama në fjalën e tij.

Rama e quajti këtë një sfidë të jashtëzakonshme të programit të Partisë Socialiste, i cili sipas tij, duhet tu japë përgjigje shqiptarëve për të gjitha pyetje që kanë, se si ta qeverisim më mirë Shqipërinë, dhe të gjithë atij rreshti të gjatë pyetjesh, se si mund të funksionojë drejtësia dhe se përpara ligjit jemi të gjithë të barabartë.

Kreu socialist i kushtoi vëmendje të veçantë hetimeve për vrasjet e 21 janarit, ku tha se  procesi nuk lidhet thjesht me fatin e një procesi hetimor, por lidhet më fatin e shtetit të së drejtës në Shqipëri për vite të tëra, ndoshta edhe për një dekadë.

Sipas tij, nëse kjo sfidë nuk do të fitohet nga drejtësia dhe nuk do të përcaktohet nga e vërteta e zbardhur mbi fate dhe prova, atëherë padyshim 21 janari do të shërbejë si një kapak i rëndë për tu lëvizur nga vendi, mbi të gjithë sistemin e drejtësisë, dhe si një gur i rëndë në vendosjen e një sistemi padrejtësie në themel të funksionimit të drejtësisë në Shqipëri.

Rama tha se padrejtësia është shtrirë kudo, sepse ajo i ka rrënjët në mënyrën se si qeveriset ky vend, duke shtuar se,  është e vështirë ta gjesh drejtësinë në Gjykata në rast se vendi qeveriset padrejtësisht, merren vendime të padrejta, dhe se ata që qeverisin ndjekin interesat e tyre të ndara nga interesat e vendit.

© Panorama.al

Te lidhura