Rama: Si duhet të jetë Presidenti

May 3, 2012 | 13:25
Rama dje në mbledhjen e Grupit të PS

Kreu socialist, Edi Rama, zbuloi dje platformën e tij me të cilën do të shkojë në takimet me kryetarët e partive parlamentare për Presidentin e ri.
Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar socialist, Rama kërkoi përcaktimin e identikitit të kreut të ri të shtetit. “Është shumë herët të flitet për emra, dhe jo vetëm është herët, por është edhe kundërproduktive në këtë fazë që duhet të jetë përgatitore për një proces. Por është, pa dyshim, koha për të folur për identikitin e Presidentit të ri të Republikës në kushtet kur, nga njëra anë, prej mënyrës se si do të zgjidhet Presidenti do të varet në një masë kritike, vendimtare, statusi i kandidatit dhe, nga ana tjetër, do të përcaktohet në një farë mënyre edhe vlerësimi real që çdonjëra palë do t’i bëjë momentit historik të 100-vjetorit të Pavarësisë”, u shpreh Rama. Sipas tij, Presidenti i ri për selinë rozë duhet të plotësojë tri kritere: “T’i japë një shtysë vendimtare procesit të marrjes së statusit të kandidatit duke u zgjedhur përmes një procesi politik e jo përmes një procedure mekanike të bazuar te numrat; të jetë garant i Kushtetutës e posaçërisht i pavarësisë së institucioneve të Drejtësisë nga shumica e sotme apo e nesërme qeverisëse; të përbëjë një faktor sigurie e paanësie për palët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, u shpreh Rama.
Reformat
Kryesocialisti kërkoi përmbylljen e të gjitha reformave të nisura në Parlament, pas marrëveshjes së bashkëpunimit dypalësh me PD.
“Tanimë ka përfunduar drafti konsensual për Gjykatën Administrative dhe ta votojmë pa humbur kohë. Të mos lejojmë e as mos bëhemi shkak për asnjë shtyrje të mëtejshme të Reformës Zgjedhore dhe të mbyllim në gjysmën e parë të këtij muaji.
Të diskutojmë me të gjitha palët për përfundimin e reformës parlamentare sipas standardeve më të larta demokratike, në kushtet kur njëra palë, përkatësisht Partia Demokratike, këmbëngul në mosndryshimin e dy rregullave që penalizojnë opozitën dhe debatin parlamentar”, u shpreh Rama. Sipas tij, Grupi Parlamentar socialist do të përgatisë propozimin e tij për heqjen/kufizimin e imunitetit të deputetëve, zyrtarëve të lartë të shtetit dhe gjyqtarëve, e ta depozitojmë në parlament me synim kalimin e kësaj çështje nga tribunat politike në duart e përfaqësuesve të popullit.

Zgjedhjet në FRESSH dhe Forumin e Gruas
Dje pasdite, Kryesia e Partisë Socialiste vendosi thirrjen e Kongresit të Forumit të Gruas socialiste dhe hapjen e fushatës së zgjedhjes së kryetarit të Forumit Rinor. Deputetja Eglantina Gjermeni tha se më 20 tetor do të mbahet Kongresi i gruas socialiste. Ndërkohë, sa i takon riorganizimit të Forumit Rinor Socialist, sekretari për Rininë, Erion Veliaj, tha se janë përzgjedhur 6 emra për kreun e FRESSH. Sipas Veliajt, fushata do të nisë më 5 maj dhe do të përmbyllet më 5 qershor. Gjatë kësaj fushate kandidatët do të paraqesin platformat e tyre, ndërsa më 12 qershor do të votohet për kryetarin e FRESSH-it.

Mediat, Rama: Të thyejmë traditën duke sfiduar edhe veten
Kryetarja e Grupit të Punës për pjesën e programit të PS që ka lidhje me zhvillimin e medias në Shqipëri, anëtarja e Asamblesë Kombëtare, Iris Luarasi, bëri publike të dhënat e një sondazhi të bërë me njerëzit e medias. Sipas këtij sondazhi, gjendja e medias mbetet e vështirë. “49% e të intervistuarve nga fusha e medias nuk janë të kënaqur me gjendjen e përgjithshme të medias sot në Shqipëri. E krahasuar kjo me një vit më parë, asgjë s’ka ndryshuar sipas njerëzve të medias. 63.3% e të intervistuarve mendojnë se reklama nuk ndahet në mënyrë të drejtë”, u shpreh Luarasi. Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Medias dhe Edukimit, Valentina Leskaj, tha se “lidhur me median elektronike, gjëja e parë që ne do të bëjmë është sigurojmi atyre garanteve ligjore që do të sigurojnë pavarësinë e mediave nga autoritetet publike, forcat politike dhe interesat ekonomike. Kjo është e rëndësishme të garantohet me ligj”. Kryetari i PS, Edi Rama, duke marrë fjalën në këtë tryezë, tha se pavarësia e medias kërkon në radhë të parë të thyhet një traditë e vjetër, por dhe një sfidë me vetveten. “Jemi të gjithë dëshmitarë, nuk është një histori që ka filluar dje me ardhjen e kësaj qeverie dhe nuk është një histori që do të fillojë nesër me qeverinë tonë. Është një histori më e gjatë dhe unë besoj që nuk ka shans që faqja e kësaj historie të ndryshojë nëse nuk marrim edhe një përgjegjësi për ta bërë këtë, duke qenë të vetëdijshëm se duhet thyer një traditë shumë e keqe dhe duhet sfiduar edhe vetvetja, sepse tundimet e pushtetit janë shumë të forta në krahasim me programet e shkruara kur je në opozitë. Kjo është e vetvetishme”, u shpreh Rama.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura