Kryesocialisti Edi Rama, pas takimit kokë më kokë me ambasadorin e SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, deklaroi dje para mediave se opozita nuk tërhiqet nga qëndrimi i saj për të ndërmarrë një paketë ndryshimesh kushtetuese, dhe jo arnime në gusht dhe në shtator. Rama theksoi se kërkesa për të votuar kryeprokuroren, anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese me shumicë të cilësuar votash, nuk është kusht për maxhorancën, por një vizion për një reformë të plotë kushtetuese. Sipas kryetarit të PS-së, nëse pala tjetër do të reflektojë dhe do të japë konsensus për këtë propozim, atëherë ky do të jetë një mesazh i qartë për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. “Ne nuk kemi vendosur kushte dhe as nuk bëjmë pazar me këtë proces. Ne kemi paraqitur një vizion të bindur se vendit i duhet një reformë kushtetuese në funksion të forcimit të institucioneve të drejtësisë dhe të rritjes së efektshmërisë së luftës kundër korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Partia Socialiste është absolutisht e vendosur për heqjen/kufizimin e imunitetit, është një qëndrim yni i kahershëm. Kemi pritur vite që pala tjetër të vijë në pozicionin tonë që kjo të bëhet me një ndryshim kushtetues. Por, Partia Socialiste nuk do të arnojë Kushtetutën në gusht dhe të bëjë pastaj arnime të tjera në shtator. Ne duam një diskutim, i cili të jetë i plotë për të gjitha çështjet dhe pastaj, në fund të këtij diskutimi, secila palë voton ose nuk voton atë çka konsideron të nevojshme ose të panevojshme. Shqiptarët le të gjykojnë. Përmes një debati për Kushtetutën të bëjmë një sërë ndryshimesh që ndajnë pushtetin politik nga pushteti gjyqësor. Që ndajnë tryezën e Këshillit të Ministrave, sot dhe nesër, nga tryeza ku drejtësia do të bëjë drejtësi”, deklaroi Rama. Replika me Berishën
Rama ka komentuar dhe akuzat e Partisë Demokratike se, me vendosjen e kushteve, opozita kërkon të bllokojë marrjen e statusit të vendit kandidat në tetor. Por për Ramën, gjuha e përdorur nga Kryeministri rrëzon çdo tentativë për kompromis. Madje, Rama ka shkuar me tej, teksa i ka krahasuar deklaratat e PD-së si gjuhë që nuk çon në kompromis as në tregun fshatar. “Unë e neveris këtë propagandë. Unë e neveris Kryeministrin e Shqipërisë, kur flet në një gjuhë të tillë. Ndërkohë që kërkon konsensus nga opozita, sulmon përditë opozitën. Kjo gjuhë është një gjuhë me të cilën nuk bëhen kompromise as në tregun e fshatarëve, ku diskutohet çmimi i qepës, dhe jo më të bëhen kompromise të mëdha për Kushtetutën. Nga ana tjetër, ne jemi në këtë pozicion jo sepse e dëshiron Kryeministri, as sepse bën thirrje Kryeministri. Për thirrjet e Kryeministrit s’kemi asnjë respekt. Jemi në këtë pozicion, sepse ky është pozicioni që i duhet vendit dhe mbi hesapet partiake dhe interesat e politikës së ditës është aspirata për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, u shpreh Rama.
Zgjedhjet Kreu i PS-së, Edi Rama, deklaroi dje se propaganda për të fajësuar opozitën si bllokues të integrimit, është e neveritshme dhe do të marrë fund në zgjedhjet e 2013-s. “Këtë propagandë le ta mbajnë deri në zgjedhjet e ardhshme, se në zgjedhjet e ardhshme do ta largojmë, bashkë me qeverinë, me votën e shumicës dërrmuese të popullit shqiptar”, tha Rama.
Berisha: Rama do që t’i zgjedhë gjyqtarët në zyrat e Fidelit
Berisha në Grupin e PD
Në mbledhjen e Grupit të demokratëve, Kryeministri Sali Berisha deklaroi se kreu i opozitës me propozimet e tij për ndryshimin e Kushtetutës, për votimin me 3/5-at të kryeprokurorit dhe anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, kërkon të bëjë pazare me Drejtësinë. Berisha tha se Rama, në këmbim të votës për heqjen e imunitetit, kërkon të bëjë shkëmbime me emërimet në drejtësi. “Ajo që është bizare, është se zoti Rama e lidh heqjen e imunitetit me pazare për Drejtësinë. Të na thotë zoti Rama që rrëzimi i murit të imunitetit, që po kërkohet nga institucioni i akuzës dhe të gjitha institucionet e tjera, po kërkohet nga çdo qytetar shqiptar, po kërkohet nga bota akademike, lehtëson hetimin për korrupsionin apo jo, e lehtëson hetimin e gjykimin e zyrtarëve apo jo. Nuk ka shqiptar që nuk i jep kësaj pyetjeje përgjigje pozitive. Por për zotin Rama, kjo nuk ka rëndësi. Rëndësi ka pazari dhe, në shkëmbim të kësaj, kërkon atë që ndodhi me Avokatin e Popullit, institucionin e të cilit e mbajti dy vjet pa kryetar. Ai kërkon që të gjithë krerët e institucioneve, të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë, të gjithë gjyqtarët e këtyre gjykatave, të Kontrollit të Lartë të Shtetit, prokurori i Përgjithshëm, Presidenti i Republikës, të emërohen me mekanizmin e Avokatit të Popullit, çka do të thotë ose zgjedhje e tyre në zyrat e Fidelit, ose mbetje e institucioneve pa kokë. Ju garantoj se, në rast se ne do të bënim këtë hap, kërkesa tjetër e zotit Rama do të ishte Kryeministri të zgjidhet me 84 vota”, tha Berisha.
Ilir Meta: Ta votojmë më 6 gusht imunitetin Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi dje se janë të gjitha mundësitë që heqja e imunitetit me ndryshime kushtetuese të realizohet brenda 6 gushtit. “Janë të gjitha mundësitë që në datën 6 të realizohet ky votim dhe të plotësohet një kërkesë e kahershme, por sidomos së fundmi e theksuar fuqishëm edhe nga komuniteti ndërkombëtar dhe që do të maksimalizonte të gjitha shanset e vendit për të marrë statusin e vendit kandidat. Data natyrisht nuk është ajo më e rëndësishmja, por edhe datat kanë rëndësinë e tyre, sidomos në raport me një proces, i cili absolutisht kërkon një progres më të shpejtë, më të dukshëm dhe më të matshëm”, theksoi Meta.
Milo: PD, gjueti shtrigash në fushatë me heqjen e imunitetit
Kreu i PSD: Ndryshime kushtetuese për sistemin
Kryetari i PDS-së, Paskal Milo, tha dje se nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, maxhoranca mund të bëjë një gjueti shtrigash ndaj opozitës në fushatën elektorale. “Gjatë muajve të ardhshme do të fillojë fushata elektorale dhe, pse jo, mund të fillojë edhe një gjueti shtrigash nga maxhoranca në radhët e opozitës, me qëllim që gjoja në emër të plotësimit të standardeve, të kushteve, gjoja në emër të luftës kundër korrupsionit apo të veprave të ndryshme penale që mund të realizohen, të mund të goditet opozita dhe të mund të krijohet një regjim terrori paraelektoral për funksione tashmë të njohura dhe të përdorura nga maxhoranca aktuale”, tha Milo. Sipas tij: “A nuk është momenti tani të bëhet ndryshimi kushtetues edhe për sistemin, kur për sistemin po ankohen shumë aktorë politikë shqiptarë dhe ku koha ka provuar që ndryshimi i atij sistemi ishte një nga gabimet e radhës që bënë dy partitë e mëdha politike? Prandaj ne këmbëngulim që të bëhet në formën e paketës”.