Rama: S’njohim privatizimet. Ekonomia në krizë

Jun 1, 2011 | 13:20

TIRANË- Kreu i PS-së, Edi Rama ka reaguar sot kundër vendimit të marrë nga qeveria për privatizimin e katër hidrocentraleve, duke deklaruar se opozita nuk do të njohë asnjë privatizim, sipas tij, me prapavija të qarta mafioze.

“Ato janë pjesë e një aseti të madh publik , një pasuri e madhe kombëtare, e mbi të gjitha një pasuri e cila jo vetëm që nuk është problematike nga rentabiliteti, por fitimprurëse me rezultate qartësisht të dukshme, e mbi të gjitha rinovimi i gjithë këtyre aseteve është bërë thuajse plotësisht me kredi, pra me borxhe të marra bazuar në kontributin e gjithë taksapaguesve. Pse Saliu e hedh këtë hap është shumë e qartë, shthurja e financave të vendit ka hyrë në një fazë të rrezikshme për stabilitetin e vendit”- ka thënë ai.

Rama ka akuzuar për shfrytëzim e abuzim të parave në arkën e shtetit për qëllime elektorale të Berishës. Sipas tij, janë tejkaluar në masën 110% shpenzimet për pagesat, 2.4 miliardë lekë të reja është tejkalimi i shpenzimeve operative, 106.6% tejkalimi i shpenzimeve të pushtetit vendor dhe sipas tij, ka ndodhur në ato territore ku pushteti para 8 majit e ka  pasur PD.

Rama ka analizuar vendimin më të fundit, duke deklaruar se projektligji për hidrocentralet është keqbërës. “Në projektligj shfaqen dy formula të ndryshme duke lënë të hapur formën e privatizimit dhe shtegu e abuzimin. Është parashikuar 4 muaj, që nuk bëhet fjalë të jetë kohë e arsyeshme për privatizime të kësaj natyre, që janë ëtë dëmshme për të sotmen dhe të nesërmen e këtij vendi. Ne nuk do njohim si të ligjshëm asnjë proces të kësaj natyre dhe ashtu si kemi thënë për të tjera procese me sfond mafioz, themi edhe për procesin e privatizimit të këtyre aseteve kombëtare. Do t’i zbrapsim e do ua kthjemë shqiptarëve”- tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura