
PS zhvillon tryezën e programit për çështjet e rinisë.
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë tryezës për politikat rinore, e akuzoi qeverinë për reformat e bëra në universitetet shqiptare. Sipas tij, universiteti është kthyer sot në një minë me sahat për çdo të ri që përfundon një shkollë.
“Universiteti sot është një minë me sahat në dorën e çdo të riu që përballet me papunësinë. Shtimi i numrit të studentëve po ul cilësinë në auditorë, ndërsa shtohen përditë universitetet private që kanë kriter paratë. Universiteti publik është shndërruar në një zgavër e errët ku luhet përditë farsa e shtimit të numrit të studentëve dhe rënies së cilësisë”, tha Rama. Kreu socialist deklaroi se universitetet në vend janë kthyer në një vend që nxjerrin të rinj të papunë, duke shtuar numrin e studentëve në kurriz të cilësisë. “Rinia sot është e çoroditur në Shqipëri. Ndër një milion të papunë, shumica dërrmuese janë të reja dhe të rinj. Universitetet janë bërë streha vorfënore e mjerimit, ku studentët e drejtuar masivisht brenda dyerve të shkollave, me të dalë prej tyre, përballen me varfërinë”, tha kryesocialisti. Rama ka kritikuar edhe reformën më të fundit në universitete, duke thënë se ka favorizuar universitetet private, të cilat, sipas tij, kanë kriter vetëm paratë. Gjatë kësaj tryeze, lideri i opozitës është shprehur se politika ka shkatërruar tashmë moralin e shkollës. Sipas tij, disiplina në shkollë është fjalë boshe, ndërsa dhuna sociale është fushë e lirë në jetën shkollore. Ai u shpreh më tej se programi i PS-së, “Rilindja Shqiptare”, ka në themelin e tij barazinë e mundësive për të rinjtë e çoroditur sot.











