TIRANA- Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama tha sot se rinia në Shqipëri është e çoroditur, dhe se ndër 1 milionë të papaunë shumica dërrmuese jane të reja dhe rinj.
Komentet Rama i bëri në tryezën e Grupit të Punës për “ Politikat Rinore” organizuar nga Partia Socialiste në kuadër të programit për një “Rilindje Shqiptare”.
“Universitetet janë kthyer në streha vorfnore të mjerimit akademik, mbushur plot me të reja dhe të rinj, që qeveria i shtyn drejt dyerve të Universiteteve për të mos u përballur me papunësinë. Kjo politike, e shqyerjes së dyerve të Universiteteve dhe shtyrjes së të rinjve thuajse forcërisht brenda në Univeristet, është një minë me sahat që shpërthen në duart e çdo të riu me të dalë nga Universiteti.”- tha Rama.
Kreu socialist adresoi kritika të ashpra për mënyrën se si funksionon sot Universiteti në vend, si dhe arsimi parauniversitar.
Ai tha se mungojnë financimet në sistemin publik, kushtet dhe motivimi i pedagogëve.
“Universiteti publik është katandisur në një zgaver të errët, ku luhet farsa rrënqethëse. Rritja e numrit të studentëve dhe uljes së cilësisë. Zgjedhjet në Universitete s’kanë të bëjnë as me autonominë dhe as me çuarjen përpara, por me mbajtjen me pahir të një statukouje në funksion të një politike rrënuese”- tha ai.
Sipas kreut socialist, vendosja e shenjës e barazimit mes publikut dhe privatit, për fondet, për të favorizuar këta të fundit është heqja e gurit të fundit të themelit, dhe pastaj vjen shthurja e sistemit universitar.
Sistemi parauniversitar është në sistem punësimi dhe promovimi për shërbëtorët e qeverisë në rolin e mësuesve,tha ai, duke e vënë theksin gjithashtu edhe tek tekstet, ku sipas kreut të opozitës, shpëlarja e trurit përmes tekstesh me skarcitet të lartë dhe propagandë ndaj nxënësve, është objektiv i shpallur i qeverisë.
Programi i PS-së për rininë, sipas Ramës do të bazohet në sloganin, “Liri, Barazi, Vllazërim”
“Liri, barazi, vllazërim” është shprehja më kuptimplotë për të synuar një vizion të ri, për shoqërinë tonë, por në radhë të parë për transformimin e jetës së të rinjve tanë. Liri për të gjithë, të pacenueshme për asnjë arsye tjetër, barazi mundësish mbi 2 shina të palëvizshme, nga njëra anë konkurrencë, dhe vlerësim sipas meritës. Dhe vllazërim mes të gjithëve si normë e bashkëjetesës në komunitet.”
© Panorama.al











