TIRANË- Një ditë pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor që la në fuqi vendimin e KQZ, qe shpalli Bashën kryebashkiak të Tiranës, lideri i PS-së, Edi Rama, duke akuzuar gjyqtarët për vendim të paligjshëm, e per pasoje te papranueshem, ka garantuar se fjala e fundit nuk është thënë ende.
Përmes një konference për shtyp, Rama ka deklaruar se Partia Socialiste do t’i drejtohet sërish Kolegjit për të kërkuar të drejtën në bazë të Kushtetutës dhe ka ftuar partnerët ndërkombëtarë për të ndihmuar me ekspertizën e tyre, si e vetmja mundësi për të hedhur ditë ligjore mbi të vërtetën.
“Kolegji ka bërë të bardhën të zezë e të zezën të bardhë, duke sfiduar në kor me Saliun e Ristanin sovranitetin e popullit, Kushtetutën, ligjin e zgjedhjeve, shqetësimet e miqve ndërkombëtarë. Vendimarrja e mbrëmshme ka dëshmuar se fjala në drejtësi është zbrazur, si një guackë e mbetur mbi rërën e rrëshqitshme ku sipas rastit dallgët e pushtetit a rryshfetit e kthejnë mbarë e pas”- tha ai.
Sipas Ramës, gjykatësit zgjodhën dje të bëjnë padrejtësinë e radhës në dëm të popullit. “Shumkush pret që sot unë t’i akuzoj me të drejtën e zotit e të ligjit që këtë herë janë në krahun tonë ata gjykatës, por mua më vjen për ta shprehja ‘fali zot se s’dijnë ca bëjnë”- ka vijuar më tej ai.
Duke akuzuar për mungesën e sistemit të drejtësisë, Rama ka numëruar rastet kur drejtësia nuk ka dhënë drejtësi. Sipas tij, këtë radhë drejtësia nuk mbrojti as vetë të drejtën e popullit për të mos u vjedhur në votën e vet, duke mohuar në lirinë e vet më esenciale, rendin demokratik.
“Dje disa festuan hipur mbi kurrizin e drejtësisë dhe disa u ndjenë keq për padrejtësinë, por fjala e fundit nuk është thënë ende. Vendimi i mbrëmshëm na shton fuqinë që e drejta të shkojë deri në fund. Ne do t’i ridrejtohemi Kolegjit ku do të kërkojmë të drejtën në bazë të Kushtetutës, do komunikojmë më publikun e të ndajmë me shqiptarët shqetësimin për t’i dalë zot një situate ku po merr formë diktatura”- tha ai.
Rama u bëri apel partnerëve të huaj për domosdoshmërinë e ekspertizës ndërkombëtare që të garantojë në kohë përputhjen e vendimarrjes ligjore për zgjedhjet me standardet e botës demokratike. “Ekspertiza ndërkombëtare është e vetmja rrugëdalje nga kriza e rëndë, për të kuptuar të vërtetën lidhur me zgjedhjet”- tha ai, duke përsëritur rezistencë të pashembullt nëse e drejta merret peng me vulë gjykate.
© Panorama.al











