Rama, replika me deputetin e Vlorës

Feb 24, 2012 | 11:42

Rama gjatë takimit me deputetët e PS

Kryesocialisti mbledh Komitetin për Marrëdhëniet me Qytetarin, deputetët jashtë Kryesisë së PS.

Kreu i PS: Fike celularin, Deda: Na ftove dhe ke folur vetëm ti.

Mbledhja e parë e Komitetit për Marrëdhëniet me Qytetarin nuk u shpëtoi dot debateve. I ngritur një javë më parë, ky komitet, i cili ka në përbërjen e tij 42 deputetë socialistë që nuk janë anëtarë të Kryesisë socialiste, por as sekretarë të saj, do të diskutojë dhe trajtojë të gjitha problematikat dhe shqetësimet që deputetët kanë. Duke folur për rëndësinë e kësaj strukture të re, Rama i ka tërhequr vëmendjen deputetit të qarkut të Vlorës, Eltar Deda, i cili ishte duke u marrë me celularin e tij. Duket se kjo vërejtje nuk i ka pëlqyer Dedës, i cili ka kërkuar më shumë kohë që të diskutojnë deputetët e thirrur në këtë takim, se sa drejtuesit e partisë. “Ju na keni thirrur të flasim dhe të diskutojmë rreth problematikave që ka çdo deputet në lidhje me partinë, me strukturat drejtuese të saj apo të zgjedhurit vendorë. Por në vend që të flasim ne, ju keni 1 orë e gjysmë që po flisni dhe ne s’po na vjen radha!”, mësohet të jetë shprehur Deda në replikë ndaj ndërhyrjes që Rama i bëri atij. Kjo replikë vjen dhe pas debateve të bëra në Asamblenë e PS-së së Vlorës për kandidimin e Dedës për kreun e degës socialiste në këtë qytet, propozim që është kundërshtuar nga Rama. Kryesocialisti është munduar që përmes këtij forumi të krijojë një frymë solidariteti mes njëri-tjetrit, duke vendosur partinë në vend të parë e më pas interesat personale të secilit. Rama ka kërkuar nga deputetët që ky forum të shërbejë si tryeza ku gjerat thuhen në sy dhe jo nëpër tavolina, ku fjalët dhe diskutimet shndërrohen në thashetheme të tjetërsuara. Por, një shqetësim jo i vogël në mbledhjen e djeshme ishte dhe çështja e listave të ardhshme për deputetë. Deputeti i qarkut të Gjirokastrës, Et’hem Ruka, mësohet të ketë thënë se anëtarë të Asamblesë Kombëtare po flasin në emër të kryetarit Rama se kush do të jetë në listat e ardhshme për deputetë. Ruka ka kërkuar që këtyre individëve t’u mbyllet goja, sepse partia funksionon në mënyrë institucionale dhe jo mbi bazën e opinioneve personale. Kryesocialisti ka kërkuar që askush të mos besojë fjalë të tilla, pasi janë forumet e partisë që propozojnë dhe vendosin, ndërsa ka kërkuar nga deputetët që, ndryshe nga mbledhjet e grupit parlamentar, në këtë takim të diskutojnë hapur çdo shqetësim që kanë. Deputetët që kanë marrë fjalën kanë mbështetur filozofinë e kryetarit Rama për ta shndërruar këtë forum në një vend ku secili të sqarojë çdo paqartësi apo keqkuptim me njëri-tjetrin në PS.

Strategjia
Mbledhja e fundit e Kryesisë socialiste vendosi hartimin e një strategjie për komunikimin me publikun. “Kryetari i Partisë Socialiste propozoi ngritjen e një grupi pune për hartimin e strategjisë së komunikimit me publikun, duke pasur parasysh afrimin e fushatës së ardhshme zgjedhore, propozim që gjithashtu u miratua nga Kryesia e PS”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të PS.

Rama: Mos flisni me mediat
Kreu socialist gjatë diskutimeve të bëra dje u ka kujtuar deputetëve pjesëmarrës në këtë forum që të mos komunikojnë me mediat. Të kontaktuar në telefon, disa nga deputetët u shprehën se kanë bërë betimin se nuk do të flasin për atë çka është diskutuar në mbledhje. Në mbledhjen e parë të Komitetit për Marrëdhëniet me Qytetarin, Rama ka hedhur idenë se nëse debatet dalin në media, mbledhjet e ardhshme të bëhen të hapura për gazetarët.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura