TIRANE- Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama në një dalje para gazetarëve nga selia rozë u ndal në trajtimin e disa prej çështjeve më të diskutuara të ditëve të fundit.
Situata e zjarreve, referendumi për imunitetin, sistemi i drejtësisë, ndryshimet kushtetuese, privatizimet si dhe vrasjet e 21 janarit ishin në qendër të diskutimit të sotëm të kryesocialistit.
Filimisht kreu i Partisë Socialiste u ndal në situatën e shkaktuar nga zjarret në të gjithë vendin, situatë për të cilin akuzoi kryeministrin, Sali Berisha. Rama tha se po humbasim qindra hektarë me pyje pasi shteti e ka braktisur detyrën. Kreu i PS-së tha se Berisha inauguron për të shtatën herë një rrugë, ndërsa sa ç’kemi humbur pyje në këto 7 vite s’kemi humbur në 100 vjet.
Privatizimet ishin një çështje tjetër tek e cila kreu socialisti u ndal, ndërsa përsëriti edhe njëherë vendimin që me të ardhur në pushtet do të rishikojë çdo kontratë apo vendim qeverie që është hartuar në dëm të Shqipërisë.
“Kryeministri dhe qeveritarët e tij nga njëra anë grabisin dhe nga ana tjetër shajnë opozitën se është kundër privatizimeve, kundër sipërmarrësve. Jo, ne nuk jemi, ne do të jemi aleatët më të mëdhenj të të gjithë sipërmarrësve që pasurohen në rrugën e ligjshme te konkurrencës.”- tha Rama.
Kush ka marrë favore të pamerituara, vazhdoi ai, duhet ta ketë të qartë se do t’i kthej publikut përmes arkës së shtetit atë që nuk i takon.
Rama e cilësoi edhe njëherë tradhti kombëtare marrëveshjen për kufirin detar me Greqinë, ndërsa theksoi se PS është për fqinjësi të mirë me Greqinë por vetëm nëpërmjet reciprocitetit dhe jo nëpërmjet favoreve. Rama ishte mjaft i ashpër edhe ndaj sjelljes së autoriteteve greke me gazetarin e Top Channel, Marin Mema, për të cilin tha se ka folur normalisht për çështjen çame, ndërkohë që shteti nuk flet fare.
Duke e quajtur atë një sulm nacionalist, Rama tha se me mosreagimin e saj qeveria shqiptare është bashkëfajtore në këtë incident.
Nëse brenda shtatori do të bëhet diskutimi i ndryshimeve kushtetuese të propozuara nga PS, kreu i socialistëve shqiptarë tha se, kështu i hapet rruga edhe e votimit në parlament të imunitetit. Ai e cilësoi kërkesën e kryeministrit për referendum, si një lojë pa top, pasi sipas tij, nuk ka çfarë duhet referendumi kur të dy palët janë dakord.
“Brenda shtatorit do të bëhet edhe diskutimi i ndryshimeve që ne kemi propozuar, duke i hapur rrugë kështu edhe votimit të imunitet brenda shtatorit. Jemi gati ta votojmë sapo të mbyllet diskutimi edhe për ndryshimet e propozuara prej nesh.”- tha Rama.
Deklaratat e bërë së fundi nga kryeministri Berisha për të vrarët e 21 janarit, nxitën gjithashtu një reagim të kreut socialist.
Kapja e të gjitha institucioneve si dhe vigjilja e zëvendësimit të kryeprokurores me një tjetër shërbëtore të pushtetit, ia shtojnë epshin për ta kthyer 21 janarin nga një krim të tij, në një krim të opozitës, theksoi Rama.
Ai iu referua fjalëve të xhaxhait të njërit prej të vrarëve, Aleks Nikës, kur tha se; “Krimineli kthehet gjithnjë në vendin e krimit”, duke shtuar se ky kthim tek ngjarja vetëm na kujton se vrasësi është ende në karrigen e kryeministrit.”
“Herët ose vonë, ai, Berisha do të duhet të kthehet para drejtësisë për gjakderdhjen e shkaktuar më 21 janar”- përfundoi Rama.
© Panorama.al











