Partia Socialiste do të ndjekë një kurs të ri politik duke filluar nga muaji shtator, për t’u përgatitur për zgjedhjet e vitit 2013. Nismën e re e bëri të ditur dje kryetari i PS-së, Edi Rama, në një fjalim rreth 30 minuta përpara anëtarëve të Asamblesë Kombëtare.“Lejomëni ta përsëris se fitorja e 8 majit, detyrimi për të qeverisur dy të tretat e territorit të Shqipërisë sot dhe koha e shkurtër që mbetet për të marrë nga shqiptarët detyrën për të qeverisur mbarë vendin nesër, imponojnë nevojën e konceptimit të një kursi të ri. Në këtë funksion duhet vlerësuar edhe domosdoshmëria për një jetë të re parlamentare të opozitës, për të cilën duhet të përgatitemi seriozisht dhe intensivisht. Kemi nënshkruar një pakt me qytetarët”, u shpreh kreu i socialistëve. Sipas tij, “sezoni i ri parlamentar duhet të jetë për ne sezoni i nismave ligjore për afirmimin në sallën e Parlamentit të atij angazhimi solemn. Ky është premtimi që u kemi bërë qytetarëve dhe në opozitë do ta afirmojmë, ndërsa në qeverisje do ta realizojmë”. Kreu i PS-së u shpreh se politika e bojkotit e arriti qëllimin e saj. Rama foli gjithashtu edhe për 12 prioritetet e vendosura nga Bashkimi Europian për Shqipërinë, për të cilat tha se do të jenë pjesë e programit të ri politik të partisë që ai drejton. Sipas tij, për të fituar zgjedhjet e ardhshme PS-së nuk i duhet të rikthehet te aleancat e vjetra, por të krijojë aleanca të reja “me çdo grup interesi e me çdo qytetar që ka nevojë të bëhet pjesë e një historie të re për veten, komunitetin, vendin e përbashkët”. “Krijimit të këtyre aleancave duhet t’i shërbejë jo vetëm programi ynë i ri, po edhe reforma jonë organizative”, tha ai.
Kolegji Zgjedhor
Teksa foli për kursin e ri politik që do të ndjekë selia rozë, Rama u përqendrua gjatë edhe te beteja ligjore me demokratët në Kolegjin Zgjedhor për Bashkinë e Tiranës. Sipas tij, PS-ja i ka fituar zgjedhjet e 8 majit në kryeqytet dhe këtë e pa çdo qytetar nga televizori. “Si fitimtarët e zgjedhjeve, por edhe në emër të interesit publik e kombëtar për të mos lejuar që kriza e zgjedhjeve të thellohet në Shqipëri, përkundrazi, për të mundësuar daljen nga kriza e zgjatur prej dy vjetësh, ne jemi gati të rikthehemi para popullit sovran të Tiranës për një rigjykim përmes votës”, u shpreh Rama. “Sot, në një vend tjetër, në çdo vend tjetër europian e demokratik, të gjithë do të mund ta merrnin me mend përfundimin e natyrshëm të Kolegjit të ardhshëm, atij të 6 korrikut, bazuar në provat e shifrat e pakundërshtueshme të kaosit që ka prodhuar me tabelat e rezultateve futja e duarve në proces. Ato tabela, në vend që të shprehin përputhjen mes vullnetit të zgjedhësve dhe fletëve të votimit të gjetura në kuti pas zbatimit të vendimit të Kolegjit nga KQZ-ja, u ç’atrafiluan me keq se ç’ishin”.
Deklaratat e Ramës
Sot, në një vend tjetër, në çdo vend tjetër europian e demokratik, të gjithë do të mund ta merrnin me mend përfundimin e natyrshëm të Kolegjit të ardhshëm, atij të 6 korrikut, bazuar në provat e shifrat e pakundërshtueshme të kaosit që ka prodhuar me tabelat e rezultateve futja e duarve në proces.
Aritmetika nuk është opinion dhe latinishtja e Tom Ndrecës nuk mund ta kthejë dot aritmetikën nga shkencë ekzakte në shkencë politike.
Unë shpresoj që ata të respektojnë Kushtetutën dhe të mos ligjërojnë një tjetër rezultat haptazi antikushtetues.
Si fitimtarët e zgjedhjeve, por edhe në emër të interesit publik e kombëtar, për të mos lejuar që kriza e zgjedhjeve të thellohet në Shqipëri, përkundrazi, për të mundësuar daljen nga kriza e zgjatur prej dy vjetësh, ne jemi gati të rikthehemi para popullit sovran të Tiranës për një rigjykim përmes votës.
Nuk është vendosur asnjë rikthim në bojkot dhe pavarësisht se nuk janë të pakët deputetët apo mbështetësit tanë kudo që e konsiderojnë ribojkotimin e Parlamentit një opsion parësor, kam mbrojtur e mbroj mendimin se bojkoti e ka kryer misionin e vet.
Lejomëni ta përsëris se fitorja e 8 majit, detyrimi për të qeverisur dy të tretat e territorit të Shqipërisë sot dhe koha e shkurtër që mbetet për të marrë nga shqiptarët detyrën për të qeverisur mbarë vendin nesër, imponojnë nevojën e konceptimit të një kursi të ri.
Sezoni i ri parlamentar duhet të jetë për ne sezoni i nismave ligjore për afirmimin në sallën e Parlamentit të atij angazhimi solemn. Ky është premtimi që u kemi bërë qytetarëve dhe në opozitë do ta afirmojmë, ndërsa në qeverisje do ta realizojmë.
12 prioritetet e përcaktuar e të ripërcaktuara prej Komisionit Europian, si kusht për ecurinë e Shqipërisë në rrugën e integrimit, duhet të afirmohen prej nesh si pjesë përbërëse e programit tonë të ri politik, por edhe si angazhim konstant parlamentar përmes nismash të reja ligjore.
Shumë tribuna mediatike sot janë kthyer në degë të partisë në pushtet. Fahriçupizmi është kthyer në shkollë mediatike me filiale të përhapura si kërpudhat nën shiun e parasë që shpenzon pushteti i vjedhur për të shpërfytyruar imazhin e opozitës.
Për t’i fituar bindshëm zgjedhjet e ardhshme dhe nxjerrë Shqipërinë nga kriza, ne nuk na duhen aleanca me politikën e vjetër, po aleanca të reja me çdo grup interesi e me çdo qytetar që ka nevojë të bëhet pjesë e një historie të re për veten, komunitetin, vendin e përbashkët.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











