
Kreu i PS: Meta, rol negativ në fund të procesit.
“S’mund të ishte kandidat i PS, se i ka shërbyer qeverisë. Nishani u zgjodh në rrugë kushtetuese”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” në “NEWS 24” ka deklaruar arsyet pse nuk pranoi të kandidojë Fatos Nanon për postin e Presidentit.
Ju e kundërshtuat zgjedhjen e zotit Nishani me disa qëndrime publike, por a do e njihni atë si kryetar shteti? A jeni të gatshëm të bashkëpunoni me të, kur të jetë në zyrën e kryetarit të shtetit?
Presidenti i ri u zgjodh në rrugë kushtetuese, nuk ndodhi një atentat ndaj Kushtetutës dhe as një grusht shteti. Ç’ka ndodhi, është se u godit egër fati europian i Shqipërisë.
Pra, jeni të gatshëm të bashkëpunoni me zotin Nishani?
Ne nuk kemi asnjë lloj problemi tonin, që të na e zgjidhë Presidenti i Republikës. Problemi ynë është fati europian i Shqipërisë dhe prapambetja thellë e më thellë e vendit në rrugën e integrimit. Problemi ynë është se Shqipëria rrezikon ta humbasë statusin e vendit kandidat për të tretën herë, si asnjë vend tjetër në historinë e integrimit europian.
Çfarë roli ka pasur zoti Meta në këto takime me Kryeministrin Berisha?
Ka pasur një rol pozitiv në fillim të procesit dhe një rol negativ në fund të procesit.
Pse negativ?
Sepse braktisi pozicionin e tij fillestar dhe praktikisht u bë pjesë e asaj që në fillim, tha që nuk do ta pranonte kurrë. Zgjodhi bashkë me Kryeministrin një noter të Partisë Demokratike.
Në atë tryezë, zoti Idrizi propozoi emrin e zotit Nano dhe në fakt ngeli i shtangur se ju e refuzuat… Si është e vërteta juaj?
E vërteta është shumë e thjeshtë. Propozimi ishte i formës le të themi, siç thuhet shqip, për të larë gojën.
Pse e paragjykoni?
Sepse ishte një propozim i bërë në kontekstin e një momenti të bisedës, kur po flitej për pamundësi të zgjedhjes së një kandidature politike. Praktikisht, zoti Idrizi ishte në mbështetje të plotë të kandidaturës së Artan Hoxhës, edhe pse me rezervën që do t’i pëlqente më shumë të kishte një kandidaturë politike dhe, në rastin konkret, Fatos Nanon.
Po ju pse nuk pranuat të thoshit jo Artan Hoxha dhe po Fatos Nano?
Kandidatura politike ishte përjashtuar nga tryeza përpara se të ngrihej tryeza e parë dhe konsensusi ishte qartësisht i mundshëm vetëm jashtë kandidaturave politike. Së dyti, pati prononcime të qarta në tryezë për pamundësinë e kandidaturës politike dhe pati refuzim të qartë dhe të njohur publikisht nga ana e Kryeministrit për një kandidaturë politike, për më tepër për emrin e Fatos Nanos.
Ndërkohë që zoti Berisha u kthye te kandidaturat politike, ju pse nuk u kthyet te kandidaturat politike dhe t’i jepnit 20 firma zotit Nano që të kandidonte politikisht?
E para ne i qëndruam deri në fund interesit kombëtar, vizionit dhe argumenteve tona. Shqipërisë i duhej konsensus dhe PS-së nuk i duhej një President që të ishte një noter partiak i saj dhe PS ishte e vendosur për një President që të mos ishte noter…
Pse noter i PS-së do të ishte zoti Nano, kur 7 vitet e fundit ka deklaruar që ka votuar kundër jush? Pse thoni që do ishte noter?
Po flas për procesin. PS-ja e kishte të përjashtuar qysh në fillim mundësinë e pjesëmarrjes në një garë absurde për të zgjedhur një President me 71 vota, sepse për më tepër nuk i kishte 71 vota dhe, në kushtet kur duhej konsensusi, nuk mundte dot të godiste të gjithë ngrehinën e filozofisë së saj në këtë proces. E pamundur.
Pala tjetër ju dha disa emra dhe një nga anëtarët e asaj pale tha emrin e zotit Nano. Ju pse u shprehet kundër?
Unë absolutisht nuk jam shprehur as pro as kundër, sepse ishte një bisedë krejt jashtë kornizës së bisedimit dhe krejt jashtë kornizës ku ishte vendosur negociata jashtë kandidaturave politike.
Zoti Rama, zoti Nano ka bërë shumë deklarata, një ndër të cilat ishte ajo e paradites: “Unë kërkova mbështetjen dhe mirëkuptimin e Edi Ramës që së bashku ta fitonim garën presidenciale për t’u dhënë shqiptarëve Presidentin më të mirë. Por Edi Rama më refuzoi mua, refuzoi garën, nxori socialistët jashtë fushe dhe bëri një ratifikim hileqar të fitores së njëanshme të Sali Berishës. Edi Rama humbi. Por me këtë humbje të radhës së Edi Ramës humbëm të gjithë ne socialistët.” Keni ndonjë koment?
Unë me Fatos Nanon kam qenë i qartë, i drejtpërdrejtë. Kam qenë koherent. Fatos Nano nuk mund të ishte në asnjë rast kandidat i njëanshëm i PS-së. Nëse Fatos Nano mund të ishte…
Dikush duhet ta propozonte?
Nëse Fatos Nano mund të ishte një nga emrat ku mund të mbërrihej konsensus, kjo nuk mund të lidhej me faktin se ai ishte një socialist që vinte nga PS-ja, sepse ai ka kohë që ka ikur nga PS-ja. Kjo lidhet me faktin që, pse ka një histori të dyfishtë me një anë shërbimi në krye të PS-së dhe, nga ana tjetër, shërbim të qeverisë së Sali Berishës si ish-kryetar i PS-së mund të ishte një emër ku pala tjetër të mund të kërkonte konsensus apo të jepte konsensus.
Që pala tjetër të jepte konsensus, duhet t’ia propozonit ju?
Kjo ka qenë e gjithë rruga, qoftë e komunikimit me të dhe qoftë e komunikimit me publikun për Fatos Nanon. Fatos Nano nuk është sot pjesë e PS-së. Ai ka ikur nga PS dhe këtë e kam thënë dhe më para se të zhvillohej gara dhe procesi për zgjedhjen e Presidentit. E kam thënë në atë që italianët e quajnë kohë e padyshimtë, s’po e them sot dhe, në rast se në nuk kishim paragjykime të shprehura paraprakisht për emrin e tij, kjo lidhej me faktin se ai ka bërë një shërbim të gjatë në gjithë këto vite dhe në funksion të qeverisë dhe Kryeministrit. E, si i tillë, ai pretendonte që ishte një kandidat mbi palët dhe mes palëve. Faktikisht, me djegien e kandidaturës politike të Jozefina Topallit dhe hierarkëve të lartë të PD-së, u dogj nga fusha e politikës dhe nuk kishte asnjë shans që të vinte në tryezë te një emër me “backgraund” politik. Ndërsa për sa i përket garës, PS-ja e kishte të qartë qëndrimin e saj dhe në të gjitha rastet PS-ja nuk mund të kandidonte Fatos Nanon.
Ndërkohë, ai ju ka akuzuar sot se e keni çuar partinë vetëm në humbje; në 7 vite ju konsideron humbës të madh dhe, në një letër të hapur drejtuar socialistëve, shprehet i hapur për t’u rikthyer në PS.
Unë nuk dua të humbas kohë me komente të këtyre, që nuk di as si t’i quaj, sepse janë vërtet të neveritshme këto shfrime të një mllefi primitiv që nuk kanë lidhje fare as me PS-në, as me mua, as me historinë e këtyre shtatë viteve dhe as me ndonjë dhimbje për PS-në, por ka lidhje me një paaftësi për të menaxhuar emocione shumë negative për të cilat mua më vjen shumë keq.
Zoti Nano thotë: Ky palo kryetar ka guximin e më akuzon mua se qenkam përdorur si diversion dhe tallje nga qeveria, në një kohë kur Edi Rama rendi si batakçi nëpër natë me një torbë me ëndrra perverse kryeministrore drejt Gjirit të Lalzit, ku shiti brenda një nate 4 viktimat e 21 janarit, 26 viktimat e Gërdecit, zgjedhjet e 8 majit, zgjedhjet e 2009, grevën e urisë të dhjetëra deputetëve dhe socialistëve, e mijëra e mijëra sakrifica madhore që socialistët e mirë dhe të ndershëm kanë bërë për të. A ishte takimi juaj me zotin Meta një veprim tejet emocional në panik?
Përgjigjja ime është: Duke dëgjuar atë që lexuat ju, nuk besoj se gjendet një telespektator i arsyeshëm që atë tekst ta konsiderojë si tekst të shkruar nga një njeri, që deri dje pretendonte të ishte kreu i shtetit shqiptar. Atë tekst, atë gjuhë, atë qasje. Megjithatë, kjo është një çështje që s’ka asnjë peshë dhe për të cilën nuk kam kohë për të humbur.
Grupi i PS
Dje në mesditë, Rama ka mbledhur Grupin Parlamentar socialist ku i ka përgëzuar për qëndrimin që mbajtën në Parlament gjatë zgjedhjes së Presidentit të ri. Rama është shprehur se “ju jeni njerëzit ku unë mbështetem”. Kreu socialist ka kërkuar nisjen e punës nëpër zona për të sqaruar programin e ri të PS, takime të shumta me strukturat, me komisionerët, patronazhistët për të përgatitur partinë për zgjedhjet e ardhshme. Pas zgjedhjes së Presidentit, Rama ka kërkuar nisjen nga puna për zgjedhjet e ardhshme, ndërsa ka premtuar se do të zhvillojë takime me deputetët të ndarë sipas qarqeve.
ILIR BABARAMO
© Panorama.al











