
Kreu i PS shpjegon takimin në vilën e Metës.
“Nuk e kam problem të kërkoj falje, por s’ishte rasti. Folëm për të ardhmen, jo për të kaluarën”
Kryesocialisti Edi Rama shpjegoi mbrëmë në “Opinion” në Tv Klan përballë gazetarit Blendi Fevziu arsyet e darkës private me Ilir Metën pak ditë më parë. Sipas Ramës, qëllimi i takimit ishte çështja e zgjedhjes së Presidentit, ndërsa u shpreh se ishte dhe një përpjekje për të parë përpara drejt së ardhmes.
Më 1 maj, në mbrëmje keni darkuar me një nga rivalët më të mëdhenj tuaj, me të cilin keni shkëmbyer akuza të ndërsjella. Përse duhet të shkonit në një darkë gjysmë të fshehtë, ndërkohë që ju do të takoheshit sipas një axhende të përcaktuar?
Më lejoni t’ju them se do u përgjigjem të gjitha përgjigjeve tuaja se ne kemi bërë publik me kurajë dhe ambicie një vizion për rilindjen shqiptare. Unë besoj që rruga për të shkuar drejt rilindjes shqiptare kalon edhe përmes ndryshimit të sjelljeve tradicionale kur bëhet fjalë për çështje madhore, si ajo e Presidentit të Republikës, që pa dyshim është një çështje që për t’u zgjidhur si duhet kërkon bashkërendimin edhe me forcat kundërshtare.
Përse duhej bërë natën dhe të mbahej i fshehtë për 5 ditë ai takim dhe nuk e bëtë ditën në Tiranë?
Nuk kam mbajtur asgjë të fshehtë. Unë kam bërë një ftesë publike dhe u jam drejtuar të gjitha forcave politike, nga Kryeministri deri te forca më e re politike në Parlament, për të eksploruar mundësitë e hapjes së një dialogu, i cili të na çojë drejt një zgjidhje të dakordësuar.
Megjithatë nuk jeni takuar zyrtarisht, por privatisht…
Pas ftesës sime, kam marrë mbrapsht një ftesë nga kryetari i LSI-së që ka shprehur dëshirën për t’u takuar paraprakisht, për të biseduar sy më sy. Nuk kam menduar asnjë sekondë kurrë se cili është vendi dhe ora, por e kam takuar për t’i thënë në sy gjithçka që unë mendoj se është shumë e rëndësishme ta ndajmë, dhe duke besuar se mund të mbillet besimi në një klimë mosbesimi dhe pas një moskomunikimi të gjatë që është i lidhur me një histori jo të pëlqyeshme që na ka vendosur ballë për ballë. Mos harroni për asnjë moment se unë jam takuar me kryetarin e LSI-së si përfaqësues i forcave që sot qeverisin, pra me njërin nga kundërshtarët tanë.
Jeni takuar privatisht me Metën. Meta hyn te miqtë tuaj?
Do doja të fokusohemi te çështja dhe tek arsyet që janë shumë madhore, dhe të biem dakord se ky është një moment për të folur për arsyet e këtyre takimeve dhe për pse-në e kësaj hapjeje e nevojën e këtij dialogu për këtë hapje.
Cili ishte shkaku që ju detyroi të bënit 50 km rrugë natën?
Shkaku ishte për të diskutuar, jo në rrugë protokollare, por sy më sy, lidhur me atë shqetësim që unë kisha shprehur në ftesën time publike.
Kanë dështuar t’ju takojnë me përfaqësues të maxhorancës Kantrimeni, Lajçaku, zoti Baton Haxhiu, që është një negociator i njohur publik nga Kosova. O një arsye shumë e madhe, ose është magjistar Nar Koka që ju takoi?
Unë do preferoja t’u referohemi të vërtetave dhe të mos i referohemi as përrallës që është shpërndarë me shumë folklor brenda, dhe as thashethemeve të mëparshme. E vërteta është se edhe me Kryeministrin unë jam takuar në Presidencën e Republikës dy herë, edhe kur u kërkua një takim me përfaqësuesit e BE-së. Nuk kam shprehur asnjëherë refuzim për t’u ritakuar në rast se do ishte shfaqur nevoja dhe do ishin krijuar kushtet.
Çfarë pati ndonjë gjë konkrete në atë takim?
Shprehja e atij shqetësimi konkret që unë kam, por që besoj se është shqetësim i ndarë me shumë të tjerë, faktorë dhe opinioni publik për të krijuar kushtet që Shqipëria të zgjedhë një President, i cili të përfaqësojë unitetin kombëtar. Të mos e harrojmë asnjë çast se bëhet fjalë për një provë që do të përcaktojë në mënyrë të qartë fatin e provimit tonë në vjeshtën e ardhshme. Unë dua të bëj çmos me mish e shpirt që të mos mbetemi në klasë për statusin për herë të tretë.
Ka pasur një tentativë për një takim mes jush që në nëntor të 2011-s në Bruksel?
Informacionet tuaja janë përgjithësisht të kontestueshme, sepse vijnë nga burime informale.
A ka një problem moral në takimin tuaj me zotin Meta? Pak kohë më parë ju keni hedhur disa akuza ndaj zotit Meta. A e amniston Metën ky takim nga akuzat?
Së pari, unë nuk jam takuar për të rishkruar të kaluarën. Qëndrimet e mia në këto momente dhe në momentet e tjera, kur kemi mbajtur qëndrime politike, janë qëndrime të mbajtura në rrethana të qarta dhe pa asnjë dyshim janë pjesë e historisë. Unë vetë nuk kam asnjë arsye që të ndjehem keq për gjithçka kam thënë që kur jam në krye të PS-së. Por, më lejoni nga ana tjetër të them që është shumë e rëndësishme të kuptohet që procesi në të cilin ne, PS përmes meje dhe të tjerësh, kemi hyrë me vullnetin për të krijuar kushtet që politika shqiptare të japë një shembull politik të munguar prej vitesh përballë familjes ku duam të integrohemi, na imponon krijimin e një klime besimi mes kundërshtarësh. Është e domosdoshme që kur ndërmarrim një nismë të tillë politike me këtë qëllim madhor, ne nuk rishkruajmë të shkuarën, por marrim përsipër të flasim për të ardhmen. Politika është qenie e gjallë, e cila vepron në të sotmen në funksion të së ardhmes.
Pa pasur asnjë ndjesi për të shkuarën?
Ky nuk është princip, është spekulim. Më lejoni t’ju kujtoj një fakt. Në debatin e fundit para garës presidenciale në Francë, Sarkozi i tha kundërshtarit se “ju jeni një shpifarak i vogël”. Pak ditë më pas, në homazhet tradicionale, theu një traditë të gjatë të atyre homazheve, duke ftuar Presidentin e sapozgjedhur. Atëherë, sipas jush, çfarë duhet të mendonin francezët, përveçse asaj që menduan se sa mirë që në këtë moment me rëndësi për kombin dhe vendin, këta dy burra u bënë së bashku dhe dhanë një mesazh për unitetin kombëtar. Mos harrojmë se këtu nuk bëhet fjalë për komunikim mes personash, ku njeriu zgjedh se me kë do kalojë kohën e lirë, këtu është çështje njerëzish që përfaqësojnë vullnete të shprehura të të njëjtin popull që ka të njëjtin qëllim dhe aspiratë, që sa më parë të ndahemi nga rruga e rrënimit të mëtejshëm.
A vazhdoni të mendoni se zoti Meta është i korruptuar me bllok në dorë dhe se vendimi për pafajësinë e tij është i gabuar?
Nuk do i shmangem pyetjes, por do më lejoni që të them disa gjëra. Së pari, unë nuk kam parë në asnjë emision në televizionet prestigjioze që intervistat të bëhen me inserte të kësaj natyre, ky është problemi juaj. Është problemi i kësaj shtëpia mediatike, ku ardhja ime është një hap për t’i parë gjërat me syrin e të ardhmes dhe për të mos ngatërruar as historinë në çështjet që duhen zgjidhur së bashku në funksion të interesit kombëtar dhe as qëndrimet që janë politike të mbajtura nga unë si kryetar i PS. Unë besoj se për njëmijë e një insertet dhe njëmijë e një arsyet që mund të rendisim për të shkuarën, është dita për të kërkuar rrugën e së ardhmes për të ndarë betejat e palëve, për të cilat edhe demokracia duhet të funksionojë për betejat e aspiratat e një popullit të tërë. Edhe Sali Berisha është ai që është. Unë kam bërë ftesë dhe do e takoj dhe atë. Është me rëndësi që të kuptohet se këta njerëz përfaqësojnë pjesë të një populli që nuk është i ndarë.
A ka bërë drejtësia gabim me pafajësinë e Ilir Metës? Unë jam dakord që politikanët të takohen, por unë iu referova një takimi në mesnatë.
Unë në konceptimin tim të gjuhës shqipe dhe përdorimit të saj, nuk di të shaj. Jua përsëris, unë fola për një situatë, në të cilën udhëkryqi e imponon një përpjekje për bashkërendim forcash. Nuk fola për një rrugë rozë tash e mbrapa, ku politika do pushojë së bëri politikë dhe palët nuk do mbajnë qëndrime ndaj njëra-tjetrës. Ju si gazetar duhet të jeni i saktë se nuk ka pasur udhëtim në mesnatë dhe as makinë të fshehtë. Ka pasur një takim normal jopublik pas një ftese për të hapur rrugët e komunikimit me të gjithë ata që kanë një zë dhe disa vota për procesin e Presidentit. Paqja bëhet me armiqtë, dialogu bëhet me kundërshtarët. Metën e Berishën nuk i kam armiq, por kundërshtarë politikë. Është më kundërshtarët për të kërkuar dialog. Kjo nuk nënkupton rishkrimin e historisë dhe vendosjen në rendin e ditës të gjykimeve me natyrë morale që nuk kanë lidhje me atë që po diskutojmë. Ka një moral më të lartë se morali i deklaratave reciproke të nxjerra nga konteksti kur ne flasim për një çështje më të madhe.
Ishte apo nuk ishte fajtor Ilir Meta për videon “Prifti-Meta”, sipas jush si kryetar i PS-së?
Ju keni të drejtë në këtë pikë dhe shumë shqiptarë kanë të drejtë që i referohen të shkuarës si një arsye për të qenë cinikë dhe për të thënë se kjo është një lojë e njohur dhe historia kështu do të vazhdojë. Ndërkohë që unë ju them, dhe përmes jush të gjithëve atyre që na ndjekin, se unë besoj se Shqipëria mund të bëhet, se Shqipëria meriton më shumë. Pa asnjë dyshim jemi të gjithë ne që duhet të bëjmë më shumë. Edhe në këtë rast jam gati që të tregoj atë që do bëj nesër si kryetar qeverie. Nëse sot qenka çudi që u takoka kryetari i opozitës me Kryeministrin, kur unë të jem Kryeministër, në rast se shqiptarët do më zgjedhin, një nga gjërat që do të jetë prioritet në politikën time të komunikimit do jetë vendosja e kontakteve normale me liderin e opozitës. Kjo nënkupton kontaktet publike dhe jopublike, në funksion të një amaneti, të Shqipërisë europiane.
I kërkuat falje Metës për gjithçka kishte ndodhur mes jush?
Kjo është një pyetje që buron nga cikli sajo, komento dhe më pas pyet atë që ke sajuar. Nuk kam asnjë problem për kulturën dhe edukatën time, që e kam marrë qysh prej gjyshes sime katolike që të kërkoj falje, por nuk ka qenë rasti. Unë me kryetarin e LSI-së nuk jam takuar dhe nuk do takohem përsëri për të rishkruar të kaluarën, por për të shkruar të ardhmen.
A keni emra konkretë për Presidentin e Republikës?
Ne e kemi bërë të qartë që duhet një proces dhe duhet që nga një proces të shkojmë në një emër të dakordësuar nga palët.
Keni një identikit?
Nëse Presidenti i vendit duhet zgjedhur vetëm nga salla e Kuvendit, atëherë ruana Zot. Unë mendoj se ka vetëm një kusht, të paktën sa na takon ne, që Presidenti të mos jetë një figurë e imponuar nga radhët e PD-së. Ne nuk mund të pranojmë si një figurë të PD nga një proces i dakordësuar, sepse atëherë nuk do quhej i dakordësuar, ashtu sikurse ne nuk pretendojmë të imponojmë asnjë figurë të PS-së.
A do t’i jepni mbështetje me 20 vota zotit Nano, për t’u regjistruar si kandidat për President?
Nuk ka arsye, sepse ndërkohë që ne po angazhohemi në një proces konsensusi ku duam dakordësinë e palëve, nuk mund të bëjmë të njëjtën gjë me atë që bën Kryeministri, duke mos lënë asnjë hapësirë për të gjetur dakordësi.
A keni biseduar me Metën se ai mund të jetë kandidat për President?
Nuk kemi bërë bisedë të natyrës konspirative, por kemi bërë bisedë për të ndarë pikëpamje se ku ka pika referimi të përbashkëta, gjithmonë në parim.
BLENDI FEVZIU
© Panorama.al











