TIRANË- Kreu i PS-së, Edi Rama ka shprehur shqetësim për mosrealizimin në kohë të reformës zgjedhore, duke bërë përgjegjës palën tjetër, që sipas tij po e zvarrit procesin dhe ka pak vullnet në finalizimin e tij.
Gjatë mbledhjes së grupit të PS-së, Rama deklaroi se reforma ishte edhe shqetësim kryesor i punimeve të djeshme të Kryesisë.
“Jemi shumë të shqetësuar lidhur me dështimin e procesit në raport me afatet. Sot sipas afatit duhet të ishim drejt finalizimit të reformës zgjedhore në pak ditë të mbetura të shkurtit, jemi shumë larg këtij objektivi dhe kjo për shkak të një zvarritje nga pala tjetër”- tha Rama.
Sipas tij, reforma po zvarritet, ndërkohë që ka pak vullnet nga pala tjetër për të trajtuar thelbin e problematikës dhe për t’i dhënë drejtimin e duhur procesit dhe t’i lihet koha e duhur implementimit të reformës dhe administrimit zgjedhor.
“Ne jemi të vullnetshëm për të miratuar ndryshimet që duhet të marrin konsensusin në Komisionin e Ligjeve dhe të shprehim shqetësimin që reforma zgjedhore në asnjë mënyrë nuk duhet të kompromentohet. E njëjta gjë dhe me reformën parlamentare që na bën të vetëdijshëm për faktin se nëse këto dy reforma nuk kalojnë si duhet e në kohën e duhur procesi i integrimit është i kompromentuar. Për këtë ka vetëm një përgjegjës dhe është qeveria”- tha Rama.
© Panorama.al












