Rama: Orë e vështirë për vendin

Jun 13, 2011 | 10:51
Rama, dje gjatë festës së 20-vjetorit të ps

“Ky përvjetor i familjes sonë të madhe politike përkon me një orë të vështirë për Shqipërinë”.Kështu nisi fjala e kreut të PS-së, Edi Rama, në përshëndetjen e tij para qindra të pranishmëve për 20-vjetorin e krijimit të Partisë Socialiste. Në fjalën e tij, Rama u shpreh se sot ndodhemi në një udhëkryq të vështirë për vendin. “Është ora e një sfide të madhe mes dy vizionesh të ndryshme për vendin, njerëzit, politikën. Ora e një udhëkryqi posaçërisht të vështirë, që ndahet në dy rrugë ku do të kalojë sot e ardhmja e vendit. Ora e një zgjedhjeje të qartë mes Shqipërisë që kemi, drejt së tatëpjetës ku përditë humbasin vlera e mundësi dhe Shqipërisë që duam, drejt majës ku duhet të ngjitemi për të prekur qiellin e Europës së Bashkuar. Të tilla orë, kur nuk mateshin thjesht palët, por e shkuara me të ardhmen, vendi ynë ka pasur vijimisht gjatë kalimit ende të pakryer dhe plot kthesa dramatike nga diktatura në demokraci. E, në këtë përvjetor të njëzetin të sajin, Partia Socialiste ka të gjitha arsyet të ndihet krenare, për faktin se, kështu si sot, është pozicionuar vijimisht në anën e duhur të historisë”, tha Rama. Kreu i PS-së nuk harroi të falënderojë shkrimtarin Dritëro Agolli për kontributin e tij në krijimin e kësaj partie. “Ndihem i privilegjuar të falënderoj me mirënjohje e respekt të thellë për gjithçka njeriun që pikërisht në orën e lindjes së kësaj partie, njëzet vjet më parë mbajti një fjalim shembullor mbi kurajën për të qenë në anën e duhur të historisë, mikun tonë të shtrenjtë, Dritëro Agollin”, tha Rama. Kreu i PS-së u ndal edhe në tri vlerat kryesore të socialistëve. “Kjo është një ditëlindje, dita kur e do zakoni që të thuhen vetëm fjalë të mira. Por, besoj se në çdo ditë ka disa fjalë të mira që s’mund të mos thuhen për Partinë Socialiste. E unë, sot dua të rendis tri prej tyre: Ne jemi një parti që bëjmë gjithnjë gjënë e duhur për interesin kombëtar. Ne jemi një parti që i respektojmë të gjithë shqiptarët, si qytetarë të barabartë në liritë e të drejtat e tyre. Ne jemi një parti që jeton duke u munduar të ndryshojë për mirë, që të ndryshojë për mirë Shqipërinë”, shtoi kreu i PS-së.  “Mirënjohje e respekt për të gjithë ata burra e gra që në këto njëzet vjet kanë kontribuar që Partia Socialiste t’i meritojë në çdo ditë fjalët e mira. E pikërisht përmasa e lirisë me të cilën jeton çdo anëtar i kësaj familjeje të madhe e bën të madhe edhe forcën tonë për të rezistuar sot si opozitë ndaj çdo sulmi që i bëhet lirisë së çdo qytetari dhe për të ofruar nesër një qeverisje të mirë, bazuar tek fuqia transformuese e lirisë. Lejomëni që në fund të kësaj fjale të ngre shëndetin e të gjithë anëtarëve, mbështetësve, votuesve të shumtë të Partisë Socialiste, përfaqësuesve tanë në çdo nivel, aleatëve opozitarë, miqve e partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë, të cilëve gjithashtu u shprehim sot mirënjohje e respekt për gjithë sa bëjnë në mbështetje të vendit tonë. Gëzuar!”, mbylli fjalën kryetari i PS, Edi Rama.

Aleatët

Ra në sy dje në ceremoninë festive edhe mungesa e aleatit të vjetër të Partisë Socialiste, socialdemokratit Skënder Gjinushi. Nuk dihen arsyet e mungesës së tij, por gjithashtu në festën e djeshme të PS nuk ishin as demokristiani Nard Ndoka dhe as kryetari i Partisë së të Drejtave të Njeriut, Vangjel Dule. Paskal Milo, Petro Koçi, Gjergj Koja, Kurt Kola, Spartak Ngjela e përfaqësues nga Partia e Pensionistëve, ishin prezent në festën e Partisë Socialiste.

© Panorama.al

Te lidhura