Rama: Nuk do bëjmë gabimet e 2008

Jul 11, 2012 | 14:38
Kreu i PS, Edi Rama

Kryesocialisti Rama tha para deputetëve socialistë se është i gatshëm të ndërhyjë në Kushtetutë, por jo me nxitim dhe gabimet e shkuara të 2008-s. Duke folur në mbledhjen e Grupit Parlamentar, Rama tha se është i gatshëm për heqjen e imunitetit të deputetëve dhe gjyqtarëve. “Për temën e imunitetit unë do ta bëj shumë të qartë se kjo kërkon një ndërhyrje në Kushtetutë dhe se Partia Socialiste nuk do të ndërhyjë më asnjëherë në Kushtetutën e Republikës me nxitimin e 4 viteve më parë. Aq më tepër sot, në kushtet kur jemi përpara faktit të kryer të kthimit të shtetit në një mishërim të pushtetit njëpartiak dhe kur një President i zgjedhur njëanshmërisht pritet të përzgjedhë një prokuror dhe një drejtor Shërbimi që s’kemi ende asnjë arsye të besojmë se do të përzgjidhen për t’i shërbyer shtetit dhe jo pushtetit njëpartiak. Ne jemi të bindur se gjithmonë do bëjmë gabime, por ama ajo që e dallon një forcë të pjekur nga një forcë aventurash, është se bën gjithmonë gabime të reja, nuk bën gabime të përsëritura”, u shpreh Rama. Por, sipas Ramës, heqja e imunitetit duhet të shoqërohet dhe me përcaktimin në Kushtetutë të miratimit të dekreteve të Presidentit për anëtarët e gjykatave të larta me shumicë të cilësuar. “Sot jemi në kushtet kur arbitrarisht spikerja e Kuvendit mban peng në sirtar prej kohësh propozimet e Presidentit në detyrë të Republikës për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë. I mban peng sepse pret që Presidenti i zgjedhur të hyjë në zyrë dhe t’i bëjë propozime që i shkojnë për shtat Këshillit të Miliarderëve në qeveri, për t’i emëruar pastaj me shumicën e thjeshtë të Parlamentit, duke asgjësuar më pas përfundimisht çdo lloj fryme autonomie, se pavarësia ka marrë fund me kohë në këto dy gjykata, që janë bërë gjykatat e pafajësimit të pushtetit për të gjitha krimet e rënda të zbuluara në dritën e diellit në sytë e të gjithë shqiptarëve dhe të amnistuara përmes këtyre trupave të kthyera në trupa të pushtetit njëpartiak”, u shpreh Rama. Sipas kreut socialist, gjykatat e larta duhet të përfaqësojnë jo vetëm maxhorancën. “Na duhen gjykata të cilat sidomos në shkallët e tyre të larta, Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese, të përfaqësojnë vullnetin kushtetues të Parlamentit si i tërë dhe jo thjesht vullnetin e një partie, e cila e ka kthyer Këshillin e Ministrave në Këshill Miliarderësh, ai është Këshilli i Miliarderëve”, u shpreh Rama. Për kreun socialist, Kryeministri Berisha kërkon një alibi kur fajëson opozitën se nuk ka vullnet të heqë imunitetin e deputetëve të saj. “Është e qartë se Saliu kërkon një alibi për të fajësuar opozitën për dështimin e paralajmëruar të provimit të vjeshtës lidhur me statusin e kandidatit. Është kapur pas kësaj historie si i mbyturi pas fijes së barit dhe flet e flet për imunitetin dhe për një gjoja ‘këshill miliarderësh’ në Partinë Socialiste, që e dashkan imunitetin për t’u mbrojtur nga ligji”, tha Rama.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura