“Vendimmarrja e ardhshme e Kolegjit Zgjedhor është një vendimmarje që ka në vetëvete edhe pyetjen se në ç’rrugë do të shkojë ky vend paskëtaj.”
Kështu u shpreh kreu i opozitës, Edi Rama në komunikimin e tij të ditës me mediat, ku solli në vëmendje edhe shqetësimin e bërë publik dje nga shefja e Njësisë për Shqipërinë në Drejtorinë e Zgjerimit të KE-së, Marta Garcia Fidalgo për situatën e krijuar në vend.
Duke iu referuar vendimit të shkuar të Kolegjit, Rama tha se, “Kolegji ka thelluar një hendek mes së vërtetës dhe së drejtës, dhe nga ana tjetër një padrejtësie dhe shpërdorimit të detyrës, të legalizuar me vendim gjykatë”
“Vendimi i ardhshëm sigurisht që ka një rëndësi themelore, sepse ka të bëjë me gjykimin në themel të çështjes”- tha Rama
Kreu i opozitës tha se reagimi i Bashkimit Evropian një ditë më parë, nënvizonte faktin se problemet nisën pas procesit të numërimit. Sipas tij, theksohet ajo që shtë thënë më parë në raportin e ODIHR, përveçse nga prononcimet e opozitës këtu në vend apo të ekspertëve të fushës, është një shqetësim i njëzëshëm që ka të bëjë me shkeljen e hapur të kushtetutës, ligjit dhe praktikës së konsoliduar në Shqipëri lidhur me votat e hedhura gabim.
Kjo është një çështje që shkon shumë përtej garës në vetëvetë, vazhdoi kryesocialisti, duke theksuar se nga mënyra se si do zgjidhet kjo çështje, varen fatet e punëve të vendit në vijim.
© Panorama.al











