Kryetari i PS-së, Edi Rama, u shpreh dje se integrimi i vendit në BE është i lidhur direkt me vendimin e Kolegjit Zgjedhor për Tiranën. “Është një shqetësim i njëzëshëm që ka të bëjë me shkeljen e hapur të Kushtetutës, të ligjit dhe të praktikës së konsoliduar në Shqipëri lidhur me të ashtuquajturat vota të hedhura gabim”, tha Rama në fillim të konferencës, duke shtuar se “nga mënyra se si do të zgjidhet kjo çështje varen fatet e punëve të vendit në vijim”. Sipas tij, një gjë të tillë e thonë ndërkombëtarët. “Komisioni ka thënë, në qëndrime të ndryshme së bashku me përfaqësuesen e lartë, me Shtetet e Bashkuara dhe OSBE-në, që këtu qëndron problemi, i cili mund të kthehet praktikisht nga një problem që lidhet me mënyrën se si do të përfundojë kjo odise e zgjatur e zgjedhjeve në Tiranë, në një problem që do të lidhet drejtpërdrejt me të nesërmen, me të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Pra këtë e thotë Brukseli. Ndërkohë që kur alarmin e vumë ne, pikërisht sepse është fare e qartë që kjo është një çështje që tashmë shkon shumë përtej garës në vetvete, sigurisht që u ngrit i gjithë korri i pushtetit dhe i kanakarëve të tij për të thënë se kjo është thjesht dhe vetëm një shprehje e ambicies sonë që lidhet me garën. Nuk është e vërtetë”, tha Rama. Ai theksoi rëndësinë e vendimit të Kolegjit për ditën e hënë, ndërkohë hodhi hije dyshimi mbi vendimin e parë kundër tij. “Unë dua të rinënvizoj se vendimmarrja e Kolegjit Zgjedhor është një vendimmarrje që ka në vetvete pyetjen se në ç’rrugë do të shkojë ky vend paskëtaj? Sigurisht që, nga ana tjetër, nuk kam asgjë për të shtuar, por vlen të ritheksohet se deri këtu shenjat kanë qenë alarmante, dhe mjafton të lexosh arsyetimin e bërë me vonesë, një vonesë e përcaktuar nga koordinimi mes relatorit dhe palës tjetër për të kuptuar se në vend që të zgjidhte një çështje të qartë si drita e diellit, Kolegji ka thelluar një hendek mes së vërtetës dhe të drejtës”, tha ai. Kreu i opozitës tha më tej se “mbetet për t’u parë se si do të reagojnë anëtarët e Kolegjit përballë të vërtetash që janë të vërteta, të cilat jo vetëm nuk kanë asnjë hije dyshimi, por plotësojnë kuadrin e qartë për çdo qytetar të këtij vendi që e ka parë të gjithë ngjarjen që do të gjykohet në televizor”.
Tabaku: Integrimi nuk varet nga dëshirat e Ramës
“Integrimi Europian i Shqipërisë nuk varet nga dëshirat politike të z. Rama. Integrimit europian të Shqipërisë i shërben ndjekja e procesit ligjor, me qetësi, maturi dhe respekt ndaj ligjit. E ardhmja europiane e Shqipërisë është e lidhur ngushtë me rrugën e ligjit dhe procesit demokratik, dhe jo me rrugën e kërcënimeve dhe presionit politik. Kolegji Zgjedhor ka folur dhe vendimi i KQZ-së ka qenë i ligjshëm. Këto çështje janë zgjidhur. Pse vazhdon ende z. Rama të spekulojë për këtë temë?” reagoi Jorida Tabaku e PD-së, ndaj deklaratave të kreut të opozitës.











