Rama në shtëpinë e Aleks Nikës: Hetimi, lehtësim për viktimat

Feb 6, 2012 | 11:21
Rama në shtëpinë e Aleks Nikës

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka përkujtuar dje Aleks Nikën, një prej 4 viktimave të ngjarjeve të 21 janarit të vitit të kaluar. Gjatë vizitës në shtëpinë e protestuesit që humbi jetën pak ditë pas demonstratës, ai shoqërohej nga deputeti Gjovalin Kadeli dhe zëdhënësi i opozitës, Preç Zogaj. Në fjalën e tij në shtëpinë e Nikës, kryetari i Partisë Socialiste, Rama, u shpreh se “ecuria e hetimit do të jetë një lehtësim për shpirtrat e 4 viktimave të 21 janarit. Ndërsa sot ndajmë dhimbjen së bashku në njëvjetorin e ndarjes nga jeta të dëshmorit të katërt të 21 janarit, Aleks Nika, pas një agonie të gjatë. Të gjithë presim ndëshkimin e fajtorëve, të atyre që i vranë këta protestues, të cilët kërkonin demokraci dhe kërkonin t’i thonë “ndal” korrupsionit shtetëror, ndërsa të vetmin mëkat që bënë ishte se “ngritën zërin” e shteti shtiu mbi të”. Lideri i opozitës tha se tani qytetarët presin dënimin e atyre që qëlluan mbi protestuesit, në një kohë që ishin në godinën e Kryeministrisë, pikërisht për të zbatuar ligjin e jo për ta shkelur atë. “Ndërsa ne presim dënimin jo vetëm të atyre që shkrehen armët e shtetit mbi njerëz të pafajshëm, por edhe të urdhëruesve, duke shpresuar te shteti i së drejtës dhe duke shpresuar se hetimet do dërgojnë para Drejtësisë ata që thyen ligjin, në vend që ta mbronin atë”, theksoi më tej kryesocialisti. Kreu i PS-së tha gjithashtu se drejtësia për 21 janarin është jetike për shtetin e së drejtës dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë, ndërsa ka shtuar se ndëshkimi i fajtorëve është themelor për në Bashkimin Europian. Kreu i PS-së, Rama, ishte ndër të parët që vizitoi familjen e Aleks Nikës, e cila kishte hapur dje dyert për të pritur vizita për 1-vjetorin e ndarjes nga jeta të djalit të tyre të vetëm. Vizitën në shtëpinë e Nikës, Rama e ka njoftuar edhe në rrjetin social ‘Twitter’ ku ka shkruar se: “Sot një vit u nda nga jeta dëshmori i katërt i 21 janarit, Aleks Nika, pas një agonie të gjatë. Ecuria e hetimit, lehtësim për shpirtrat e tyre! Vizitë në shtëpinë e Aleksit në respekt të traditës dhe të familjes Nika, ku sot priten të afërm e miq dhe prej një viti pritet drejtësi. Drejtësia për 21 janarin është jetike për shtetin e së drejtës dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë. Ndëshkimi i fajtorëve, themelor për BE”.                           R.N

© Panorama.al

Te lidhura