Rama: Në shtator votojmë imunitetin dhe drejtësinë

Aug 27, 2012 | 11:49

Kreu i PS, Edi Rama

Kreu socialist u rikthehet konferencave: Do rishikojmë privatizimet.

“Referendumi nuk na duhet, sepse palët janë dakord”

“Në shtator jemi gati të votojmë imunitetin bashkë me reformën në Drejtësi”. Kjo ishte deklarata e djeshme e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, nga selia rozë, i cili u shfaq dje para mediave pas disa javësh pushimi. Duke iu përgjigjur të gjitha akuzave të bëra nga Kryeministri Berisha të premten në mesditë, Rama shprehu pozicionin e PS-së për çështjet si referendumi për kufizimin e imunitetit, përcaktimi i kufirit detar me Greqinë, por dhe hetimi i vrasjeve të 21 janarit, për të cilat kreu i qeverisë kërkoi hetim për ish-presidentin dhe ish-kreun e SHISH. “Brenda shtatorit duhet të bëhet edhe diskutimi për të gjitha ndryshimet kushtetuese që ne kemi propozuar. Vetëm kështu i hapet rrugë votimit në Parlament edhe për kufizimin e imunitetit brenda muajit shtator. Ne e kemi thënë e rithënë qartë, dhe unë sot vetëm po e përsëris: Jemi pro kufizimit të imunitetit. Aq më tepër që ky që është miratuar është varianti ynë për ndryshimin kushtetues mbi imunitetin. Jemi gati ta votojmë sapo të mbyllet diskutimi edhe për ndryshimet e tjera kushtetuese të propozuara prej nesh, të cilat s’janë aspak kushte për të votuar ose jo imunitetin, po janë një vizion i yni për forcimin e sistemit të drejtësisë përmes një reforme kushtetuese”, u shpreh Rama. Duke iu përgjigjur kërkesës së Kryeministrit për referendum për imunitetin, Rama tha se ajo i ngjan një loje pa top.
“Nuk ka ç’na duhet hiç një referendum për një çështje ku palët janë dakord dhe ku s’ka asnjë palë që kundërshton. Për më tepër, në kushtet kur flasim për heqjen e imunitetit edhe në funksion të statusit që jepet ose refuzohet, duke nisur nga tetori, ndërkohë që deri në tetor s’bëhet dot asnjë lloj referendumi. Është e qartë pra, ne duam debatin për ndryshimet kushtetuese dhe votimin për imunitetin në Parlament brenda shtatorit, sepse duam t’i japim statusit një shans në tetor. Ndërsa Saliu do lojën pa top të referendumit, sepse e di që ka dështuar me integrimin dhe do medoemos të fajësojë opozitën për fushatë elektorale”, u shpreh Rama.
Koncesionet
Duke folur për licencat dhe privatizimet, Rama tha se PS nesër në pushtet do të rishikojë çdo leje dhe do të anulojë të gjitha privatizimet e bëra në mënyrë të jashtëligjshme. “Ne s’jemi absolutisht kundër privatizimeve dhe do të jemi aleatët më të mëdhenj të të gjithë sipërmarrësve që pasurohen në rrugën e ligjshme të konkurrencës. Por ne do të rishikojmë çdo ligj, çdo vendim qeverie, çdo kontratë koncesionare a marrëveshje që është hartuar e nënshkruar në dëm të interesit publik. Kush ka marrë favore të pamerituara përmes lidhjeve klienteliste e korruptive me Saliun apo ministrat e tij, duhet ta ketë të qartë se do t’i kthejë publikut përmes arkës së shtetit atë që nuk i takon”, u shpreh Rama. Për kryesocialistin, PS në muajt në vijim do të detajojë çdo politikë të saj qeverisëse në lidhje me pasuritë natyrore të vendit dhe përdorimin e tyre.
Kufiri
Për socialistët marrëveshja për përcaktimin e vijës kufitare detare mes Shqipërisë dhe Greqisë duhet të bëhet vetëm bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe jo sipas interesave të shtetit grek. “Ne nuk do të njohim asnjë lloj forme marrëveshjeje me Greqinë për kufirin detar që nuk do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Greqia është për ne një vend mik e partner dhe ne e shohim me keqardhje çdo sulm nacionalist që i bëhet fqinjësisë së mirë me Greqinë. Por, fqinjësinë e mirë me Greqinë ne do ta forcojmë vetëm përmes reciprocitetit, e në asnjë mënyrë jo përmes koncesioneve të papranueshme ndaj qeverisë greke”, u shpreh Rama gjatë konferencës për shtyp dje në selinë rozë.

Rama: Berisha, përgjegjës për 21 janarin
Duke iu përgjigjur Kryeministrit për hetim të plotë të vrasjeve të 21 janarit, Rama e akuzoi atë si përgjegjësin kryesor të vrasjeve. “Unë s’kam përgjigje më të mirë për t’i dhënë sot Saliut, sesa ajo që i dha xhaxhai i të ndjerit Aleks Nika: Krimineli kthehet gjithnjë në vendin e krimit dhe ky kthim i Saliut te 21 janari, vetëm na kujton se përgjegjësi kryesor për ato vrasje është ende në karrigen e Kryeministrit të Shqipërisë.
Por nga ana tjetër, historia na kujton se e drejta, që shpesh vonon po nuk harron, vendoset për krime të tilla edhe atëherë kur duket se krimi është harruar dhe pandëshkueshmëria është garantuar përgjithnjë për fajtorët”, u shpreh Rama. Sipas tij, Berisha do të japë në çdo kohë llogari për këto vrasje. “Herët ose vonë ai, Sali Berisha, Kryeministri shqiptar i datës 21 janar 2011, do të duhet të rrëfehet para Drejtësisë për gjakderdhjen e shkaktuar me armët e shtetit, me pasojë vrasjen e katër qytetarëve të pafajshëm. 21 janari është një plagë nga ato që historia mëson se harresa nuk arrin t’i mbyllë asnjëherë dhe vetëm Drejtësia i qetëson përgjithmonë”, u shpreh Rama.

PS: Shqipëria po digjet, Saliu krihet!
Kryesocialisti i cilësoi absurde inaugurimet e rrugëve rurale, kur në komunat e Shqipërisë po digjen me qindra hektarë pyje. “Shqipëria ka humbur drurë pyjorë në këta shtatë vjet (për shkak të zjarreve, po edhe të abuzimeve pafund), aq sa nuk ka humbur në 100 vjet shtet shqiptar. Kryeministri mund të krihet përpara kamerave edhe 10 muaj teksa Shqipëria digjet në burimet e pasuritë e saj natyrore. Pas 10 muajsh, me fitoren e zgjedhjeve të qershorit të ardhshëm, ne do të fillojmë t’i vëmë fre katastrofës mjedisore në Shqipëri, me një politikë të re dhe administrim të ri të pyjeve, kullotave, lumenjve e të vetë bregdetit pa dyshim”, tha Rama.

Rikthim te konferencat për shtyp
Kryesocialisti Edi Rama kishte kohë që s’kishte dalë para mediave në një konferencë për shtyp. Deklaratat e tij të fundit publike kanë qenë para nisjes së mbledhjes së Grupit Parlamentar socialist, të martave, ndërsa komunikimi më masiv i tij ka qenë përmes rrjetit social aktiv të tij, Twitter, duke iu përgjigjur çdo deklarate, batute apo situate politike. Me konferencën e djeshme për shtyp dhe temave që trajtoi, Rama duket se u dha fund zyrtarisht pushimeve verore dhe mungesës nga podiumi i PS.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura